Tani protesta duhet të ruajë edhe plazhet

Ka dalë një detyrë e re për protestën në Tiranë. Përveçse duhet të kërkojë zgjedhje të ndershme, rregulla demokratike, institucione që funksionojnë, kontroll mbi pushtetin dhe një shtet normal, tani duhet të merret edhe me rendin në Ksamil. Mundësisht të caktojë nga dy protestues në çdo plazh, një tjetër në hyrje të lokaleve të natës dhe një grup rezervë për hotelet.
Këtë përfundim mund ta nxjerrësh fare lehtë nga disa shkrime të mbrojtesve te pushtetit për vrasjen e turistit portugez në Ksamil. Po të lexosh këto analiza, përgjegjësia mbërrin te protesta. Pyetja që bënte njëri sot ishte: pse nuk protestojnë për vrasjet, por për “ngordhjen e zogjve”.
Duhet të jesh shumë i cekët të mos kuptosh se protesta që kërkon ndryshimin e mënyrës së qeverisjes është edhe protestë kundër vrasjes së turistit portugez. Ajo nuk po kërkon vetëm ndryshimin e disa emrave në zyra. Po kërkon një shtet ku rregullat zbatohen, ku institucionet bëjnë punën e tyre dhe ku pushteti nuk kujtohet për sigurinë pasi ndodh ngjarja.
Protesta kërkon një shtet që duhet të dijë kush punon në sektorin e sigurisë, kush mban përgjegjësi për klientët e një lokali, kush merr licencë, kush kontrollohet, kush është i përshtatshëm për një punë të caktuar dhe kush jo. Duhet të kontrollojë bizneset, lokalet, hotelet dhe hapësirat publike. Duhet të pengojë që njerëzit e fortë, sidomos ata me lidhje politike, të bëjnë çfarë të duan në zonat turistike.
Jo shumë kohë më parë mori flakë një hotel në një nga zonat kryesore turistike të Vlorës. Edhe aty nuk mund t’u kërkohej protestuesve të kontrollonin fikëset e zjarrit, daljet e emergjencës, sistemet e alarmit dhe planet e evakuimit.
Kur një hotel funksionon, dikush duhet ta kishte kontrolluar. Kur një lokal merr licencë, dikush duhet ta ketë firmosur. Kur një aktivitet zhvillohet pranë mijëra turistëve, dikush duhet të garantojë standardet e sigurisë.
Përndryshe shteti reduktohet në një zyrë që jep leje dhe del në televizor pas fatkeqësisë.
Qeveritarët mbeten duke postuar video dhe foto nga natyra shqiptare, plazhet dhe duke numëruar turistët që hyjnë në territorin e Shqipërisë. Nuk di si ta shpjegosh se Qeveria nuk ka ndërtuar detin Adriatik dhe as Jonin. Nuk ka bërë Ksamilin, Dhërmiun, Vlorën, Plazhin e Gjeneralit apo malet e Shqipërisë. Ato kanë qenë aty. I kemi dhuratë nga Perëndia.
Merita e një qeverie nuk është se Shqipëria ka det të bukur. Nuk është meritë as të postosh video apo të reklamosh, qoftë edhe në mediat ndërkombëtare, se Shqipëria është e bukur. Nuk është meritë e qeverisë që njerëzit janë mikpritës dhe se ushqimet e Shqipërisë janë të shijshme.
Merita e saj fillon kur turisti mbërrin te ai det apo tek ai mal.
A ka rrugë? A ka ujë? A ka kanalizime? A pastrohen mbeturinat? A kontrollohen ushqimet? A ka ambulancë? A funksionon policia? A respektohen standardet e hoteleve? A kontrollohen masat kundër zjarrit? A ka plane evakuimi? A janë plazhet publike apo janë ndarë sipas fuqisë së pronarit të lokalit më të afërt?
Këto janë punët e qeverisë.
Prandaj është pak komike që pas një vrasjeje të rëndë në Ksamil të përfundojmë duke kërkuar llogari nga protesta në Tiranë. Protesta nuk ka armë, komisariate, kamera sigurie, inspektorë, licenca dhe buxhet shteti. Protesta ka vetëm kërkesa politike.
Dhe një nga këto kërkesa është pikërisht krijimi i një shteti që të bëjë të gjitha ato që sot po kërkojmë t’i bëjnë protestuesit.
Nëse kërkon një shtet normal, kërkon edhe plazhe më të sigurta. Kërkon edhe lokale më të kontrolluara. Kërkon edhe më pak njerëz të paprekshëm nga ligji. Kërkon edhe inspektorë që kontrollojnë dhe jo vetëm firmosin. Kërkon polici që parandalon dhe jo vetëm mbërrin pasi ka ndodhur vrasja. Kërkon institucione që nuk dallojnë midis qytetarit të zakonshëm dhe biznesmenit me mik në pushtet.
Protesta për demokracinë nuk është e shkëputur nga siguria e jetës. Është pikërisht pjesë e së njëjtës kërkesë.
Sa për krahasimet se Parisi, Berlini, Barcelona apo Napoli janë më të rrezikshëm, ato mund të jenë interesante për turistët që zgjedhin destinacionin e radhës. Por nuk ndryshojnë asgjë nga përgjegjësitë e shtetit shqiptar.
Nëse vidhet një turist në Barcelonë, nuk bëhet më e pranueshme të vritet një turist në Ksamil. Nëse ka krim në Berlin, nuk i ulet detyra policisë në Sarandë. Dhe nëse digjet një hotel në ndonjë vend tjetër europian, kjo nuk e përjashton administratën shqiptare nga detyrimi për të kontrolluar hotelin në Vlorë.
Por nga ato që lexoj nëpër rrjete sociale duket sikur detyra e protestës është patrullimi i plazheve, kontrolli i hoteleve, licencimi i lokaleve, inspektimi i kuzhinave, verifikimi i fikëseve të zjarrit dhe ruajtja e rendit pas mesnate. (Pastrimin e ka marrë përsipër me kohë, sepse një pjesë e aktivistëve që janë në protestë, i sheh edhe duke pastruar plehra dhe hedhurina në plazhe dhe vende publike.)
Qeveria, ndërkohë, mund të vazhdojë të promovojë detin. Ajo është puna më e vështirë. Duhet ruajtur koha me diell, këndi i ndriçimit dhe pozicioni i kamerës. Nuk është kollaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.