Kryeministri Mustafa i premton Nulandit: Do ta çojmë përpara demarkacionin me Malin e Zi
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, ku diskutuan për zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e mëtejme të SHBA’vë për Kosovën.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, zëvendës asistenti i sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Michael Carpenter si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delaëie. Kryeministri Isa Mustafa, e njoftoi për progresin e arritur në proceset eurointegruese, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e shtetit ligjor. Kryeministri Mustafa foli edhe për proceset aktuale dhe për përkushtimin e institucioneve të Kosovës në adresimin e çështjeve të rëndësishme që lidhen me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-të, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së.
Duke shprehur mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e ofruar për Kosovën, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës. Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi interesimin që të punohet në riformatimin e Qeverisë, i cili do të përfshijë zvogëlimin e kabinetit, përfshirjen e njerëzve të rinj si dhe rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e proceseve reformuese.
Ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, i përcolli kryeministri Mustafa përshëndetjet e presidentit Obama nga Samiti Varshavës.
Nuland, po ashtu, vlerësoi progresin e arritur, si dhe shprehu përkrahjen e mëtejme të SHBA për proceset në Kosovë. Ndihmës sekretarja amerikane, theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës. Nuland gjithashtu vlerësoi reformat e ndërmarra në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër terrorizmit si dhe shprehu përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” si dhe inkurajoi që të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar