Kosova

Kryeministri Mustafa vlerëson dhe uron median në pritjen e fundvitit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, organizoi mbrëmë, në Prishtinë, pritje për përfaqësuesit e mediave, me rastin e festave të fundvitit 2015.

Gjatë këtij viti, madje edhe që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008, ngjarja më e rëndësishme ishte Marrëveshja për Stabilizim Asociim e nënshkruar në 27 tetor në Strasburg me Bashkimin Evropian, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale, ka vlerësuar qeveria kosovare, e cila zhvillon sot mbledhjen e 65-të drejt arritjes së 80 projektligjeve të miratuara në vitin e parë.

Gjatë pritjes për gazetarët e akredituar, ku ishte edhe korrespondenti i ATSH, kryeministri Mustafa ka falënderuar përfaqësuesit e mediave për prezencën në këtë përfundim të vitit të qeverisjes, një viti që e vlerësoi të rëndësishëm të bashkëpunimit të qeverisë së Kosovës me median.

Duke vlerësuar lartë përcjelljen shumë të rëndësishme të mediave, opinionet dhe analizat, kryeministri Mustafa tha se qeveria me shumë kujdes i ka dëgjuar dhe lexuar të gjitha ato dhe pastaj i ka trajtuar në sjelljen e saj qeverisëse.

“Është me rëndësi shumë të madhe që mediat ta bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, ajo është një faktor korrigjues edhe për qeverisjen”, tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar lartë kontributin, bashkëpunimin dhe kryerjen në mënyrë profesionale të punës nga ana e mediave.

“Apeloj që të kemi prapë bashkëpunim në vitet në vijim, në mënyrë që të punojmë bashkërisht në të mirën e vendit, të bashkëpunojmë dhe t’i realizojmë objektivat të cilat nuk mund të jenë objektiva të ndara të qeverisë. Janë objektiva të kësaj shoqërie, të mediave, të shoqërisë civile, të qytetarëve dhe si të tilla ne i pranojmë dhe i përqafojmë”, tha kryeministri Mustafa.

Kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, u ka uruar Vitin e Ri të gjithë përfaqësuesve të mediave, familjeve të tyre, shumë suksese dhe mirëqenie në vitin 2016 dhe në vitet në vijim.

Në 1 vjetorin e qeverisë së zgjedhur në Kuvend në 9 dhjetor 2014, kryeministri Isa Mustafa në konferencë shtypi theksonte se në vitin e dytë të qeverisjes, që nisë tash, prioritetete themelore do të jenë zhvillimi ekonomik e rritja e punësimit si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si parakusht që Kosova të krijojë besim më të madh për ardhje të investimeve të huaja direkte.

“Tani po punohet në Planin Nacional të Zhvillimit, në fillim të vitit është aprovuar Programi i Reformave Ekonomike si pjesë e detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian”, ka theksuar kryeministri i Kosovës.

Mustafa ka vlerësuar se viti i parë i qeverisë që e drejton ka qenë një vit i ballafaqimit me vendime të mëdha, dhe një vit i fillimit të ndryshimeve të mëdha në Kosovë dhe se, koalicioni qeverisës i dy partive më të mëdha kosovare, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë, ka qenë stabil.

“Është arritur që të kapërcehen të gjitha situatat e krijuara pas marrjes së disa vendimeve mjaft të ndjeshme, por që kanë qenë të dobishme për perspektivën integruese euroatlantike të Kosovës”, është shprehur ai.

Për Kosovën Viti i Ri 2016 pritet të sjellë liberalizimin e vizave, pas raportit përfundimtar të Komisionit Evropian publikuar në 18 dhjetor në Bruksel dhe plotësimit të kritereve të fundit që janë theksuar.

Një nga ngjarjet e rëndësishme për Kosovën e Shqipërinë në vitin 2016 është paralajmëruar të jetë inaugurimi i gjithë “autostradës” energjetike – linjës interkonektive 400 kV, ndërtimi i së cilës në pjesën kosovare përfundoi dhe u përurua para festës së Vitit të Ri, në 17 dhjetor.

Ndërkohë, Kosova përgatitet për festën e Vitit të Ri 2016, të 17-tin në vitet e lirisë e të 8-tin në vitet e pavarësisë tradicionalisht në sheshe qytetesh edhe me koncerte e fishekzjarre.

Në Prishtinë janë bërë dekorimeve për festat e fundvitit, bredhat me stoli janë vendosur në sheshe dhe në “porta hyrëse” të kryeqytetit të Kosovës. Pjesë e organizimeve është edhe “Tregu i Fundvitit” në shesh në qendër të qytetit.

Në vitin e madh të lirisë së Kosovës 1999, në mbrëmjen e 31 dhjetorit mëse 100 mijë njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës në pritjen e Vitit të Ri 2000. Festime të mëdha në sheshe kishte edhe në qytetet e tjera kosovare.

“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet e ATSH nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button