“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për zgjidhjen e çështjes së emrit, por jo me çdo çmim”. Kështu theksoi kryeministri, Zoran Zaev I cili nuk zbuloi asnjë detaj rreth përcaktuesit të pranueshëm gjeografik, në mënyrë që të mos dëmtojë negociatat. Ai ishte I prerë se zgjidhja e mundshme për kontestin me Greqinë do t’i respektojë identitetet dhe dinjitetet e të dyja palëve, por se nuk ka nevojë për ndryshim të Kushtetutës.
E dini se pjesë e kërkesës greke për zgjidhjes erga omnes është edhe ndryshimi I Kushtetutës. Por ky është qëndrimi I Greqisë. Ne kemi qëndrimin tonë. Flas për Kushtetutën. Maqedonia e ndryshoi Kushtetutën e saj në vitin 1993 që ta precizonte Nenin 49 me amendamentin 2. Bëmë hap të madh si vend atë vit, që ta largojmë irredentizmin. Për momentin gjithçka që bëjmë është të dëshmojmë se Maqedonia nuk ka kurrfarë aspiratash territoriale, irredentiste. Maqedonia dëshiron të ndërtojë miqësi dhe në këtë aspekt nuk shoh nevojë – deklaroi krzeministri Zoran Zaev.
Megjithatë VMRO-DPMNE-ja opozitare kërkon sqarim të detajuar nga Zaevi, nëse negociohet për identitetin dhe nëse kemi dobi nga riemërimi I aeroportit dhe autostradës.
Përveç gatishmërisë për emër me përcaktues gjeografik, a ekziston gatishmëri edhe për koncesione që kanë të bëjnë me ndryshimin e Kushtetutës, gjuhës, identitetit dhe kodeve ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë? Opinioni pret përgjigje edhe në pyetjen nëse riemërim i aeroportit dhe autostradës janë pjesë e ndonjë strategjie më të gjerë për zgjidhjen e kontestit me Greqinë fqinje ose paraqet koncesion të njëanshëm të Republikës së Maqedonisë. Qeveria solli vendim, por deri tani nuk ka asnjë sqarim as për dobitë e strategjisë, që le dyshim se sërish bëhet fjalë për koncesione nga e cila Maqedonia nuk ka asnjë dobi – thanë nga VMRO DPMNE.
Partitë shqiptare ndërkohë përshëndesin qëndrimin e Qeverisë për emër me përcaktues gjeografik dhe riemërimet. Sipas BDI-së këto vendime janë në kuadër të implementimit të masave të dakorduara mes dy Qeverive për krijimin e mirëbesimit reciprok dhe krijimin e ambientit të përshtatshëm për mbylljen e kontestit.
Ne jemi pa emër. Ne e kemi një emër të përkohshëm, Ish Republika Jugosllave. Praktikisht tani ne po përpiqemi që të marrim emrin që na takon, me këto negociata, me këto takime, me këto marrëveshje që bëhen- tha Ali Ahmeti, BDI .
Kreu i Aleancës për shqiptarët Ziadin Sela pas takimit me ambasadorin Zhbogar tha se mirëpret riemërimin e autostradës dhe aeroportit si përpjekje për të krijuar mirëbesim mes dy shteteve. Megjithatë Sela tha se është kundër një emri i cili nuk do të përkthehej edhe në gjuhën shqipe.
Për Lëvizjen Besa është i pranueshëm një emër me atribut gjeografik, por i cili do të krijonte një identitet të përbashkët shtetëror, i cili do të ishte inkluziv për të gjitha etnitë në vend. Ndërsa përshëndesin vendimin për të ndryshuar emrat e aeroportit dhe autostradës, si shenjë e vullnetit të mirë për të gjetur kompromis.
Ndryshe, javën e ardhshme pritet që ndërmjetësuesi I OKB-së për emrin, Metju Nimic t’i takojë ministrat e jashtëm të të dyja palëve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas.