Kryeziu: Vazhdimësi dhe përkushtim për objektivat e Kosovës U21
Përzgjedhësi i Kombëtares U21 të Kosovës, Hekuran Kryeziu, ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës lidhur me rolin e tij të ri dhe objektivat e ekipit në këtë cikël kualifikues, duke theksuar përkushtimin maksimal për vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
Kryeziu u shpreh se kalimi nga fusha në një rol teknik ka qenë një proces i menduar prej kohësh, duke nisur që nga periudha kur ishte futbollist aktiv. “Gjatë karrierës si lojtar, gjithmonë kam analizuar vendimet e trajnerëve, qoftë në aspektin taktik, sistemin e lojës apo formacionin. Ka qenë diçka që më ka interesuar vazhdimisht dhe pas përfundimit të karrierës ishte dëshira ime që të vazhdoj të kontribuoj në futboll edhe jashtë fushës”, tha ai.
Ai e cilësoi si një hap të rëndësishëm angazhimin në kuadër të Kombëtares U21, duke falënderuar ish-përzgjedhësin Afrim Tovërlani dhe gjithë stafin për bashkëpunimin. Kryeziu veçoi edhe grumbullimin e fundit në nëntor, ku sipas tij ekipi ka treguar atmosferë shumë të mirë dhe unitet të lartë brenda grupit.
Duke folur për kualifikimet për Euro 2027, ai theksoi se Kombëtarja U21 ndodhet në një proces të rëndësishëm dhe në një rrugëtim që ka nisur me sukses. “Kemi filluar këtë cikël që nga shtatori dhe kemi pasur paraqitje të mira. Baza e lojtarëve ka mbetur pothuajse e njëjtë në pesë ndeshjet e fundit dhe kjo na ka dhënë stabilitet në lojë dhe rezultate. E dimë që është një rrugë e vështirë, por synimi ynë është të përgatitemi maksimalisht dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje”, u shpreh Kryeziu.
Ai bëri të ditur se gjatë muajve të fundit stafi teknik ka punuar intensivisht në analizën e lojtarëve, jo vetëm të kundërshtarëve, por edhe të futbollistëve të Kombëtares, duke hyrë në detaje për secilin prej tyre. Megjithëse ekipi përballet me disa mungesa në këtë grumbullim, Kryeziu theksoi se besimi te lojtarët e ftuar është i plotë.
“Për ne është shumë e rëndësishme që ata lojtarë që janë pjesë e grumbullimit të japin maksimumin. Dyert e Kombëtares janë të hapura për të gjithë dhe përzgjedhja bëhet në bazë të performancave në klubet e tyre”, theksoi ai, duke përmendur edhe prurjet e reja si Arjol Bllaca nga FC Prishtina, Fuad Ajvazi nga Llapi dhe portieri Art Miftari.
Në fund, Kryeziu theksoi se fokusi i ekipit mbetet te ndeshjet e radhës, duke nisur me përballjen ndaj Rumanisë. “Është mirë të ëndrrosh dhe t’i ndjekësh ëndërrat, por tash i kemi dy ndeshje shumë të vështira kundër Rumanisë dhe Spanjës. Për momentin fokusi është 100% për ndeshjen me Rumaninë”, përfundoi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.