Ekonomia

Kultivimi i duhanit, qeveria: Humbasim 80 milionë euro nga informaliteti, skemë e re për kontrollin

Një projektligj i ri i propozuar nga Ministria e Bujqësisë synon që të vërë në një zinxhir të ri kontrolli kultivuesit dhe grumbulluesit e duhanit për të vjelë më pas detyrimet që duhet të paguhen për këtë prodhim si akcizë.

Në një draft të hedhur për konsultim, ministria pranon se rreth 25-30% e konsumit të duhanit është informal dhe nuk paguan taksa.

“Ky duhan informal (duhan i grirë) që nuk paguan taksa i shkakton buxhetit humbje 20-25 milionë euro. Nëse këtë konsum informal, e konvertojmë në cigare të shitura nga furnizuesit formal, humbjet për buxhetin e shtetit llogariten rreth 80 milion euro në vit”, thuhet në draft.

I njëjti dokument synon që të falë formalizimit të nisë edhe mbështetja konkrete për sektorin pasi sipërfaqja e mbjellë me duhan ka pësuar rënie drastike.

“Mungesa e politikave të veçanta dhe mospërfshirja në mbështetjen financiare me skema kombëtare nga viti në vit, është shoqëruar me ulje të ndjeshme të sipërfaqes së mbjellë me duhan” vlerëson ministria.

Skema si do të kontrollohet kultivimi

Ngitja e një skeme që funksionon mes kultivuesve dhe grumbulluesve është ajo që synon të bëjë Ministria e Bujqësisë. Kjo sipas saj pritet të ndikojë edhe tek formalizmi. Projektligji rregullon krijimin e garancisë bankare në masën 100% të vlerës së duhanit të grumbulluar dhe shlyerjen e detyrimit financiar jo më vonë se 30 ditë nga dita e blerjes së duhanit.

Drafti parashikon se fermeri, para se të mbjellë farishtet, duhet të dorëzojë një kërkesë me shkrim pranë njësisë përgjegjëse për bujqësinë në rajon (AREB) për të gjitha ngastrat kadastrale të deklaruara për t’i mbjellë me duhan dhe pajisin kultivuesin e duhanit me kartelën personale të konfirmuar për të dhënat faktike.

Fermerët do të operojnë me kuota prodhimi sipas marrëveshjes me grumbulluesit, ndërkohë që do të duhet të plotësojnë disa kushte për të lidhur një kontratë me një grumbullues.

Në këtë projektligj janë përcaktuar rregulla të reja për kontrollin e produkteve të duhanit të pranishme në tregun shqiptar, kundërvajtjet administrative dhe sanksionet për këto kundërvajtje, si dhe janë bërë përmirësime të rëndësishme për disa tarifa për sanksionet që vendosen nga inspektorati i AKU-së.

Kur një kultivues kultivon duhan pa u pajisur me kartelën e posaçme ai gjobitet me vlerën 100 mijë lekë. Kur bëhet përpunim pa licencë, gjoba shkon në 1 milion lekë. Kur grumbulluesi-përpunuesi lidh kontratë me më shumë se një kultivues i cili ka lidhur kontratë me një grumbullues-përpunues tjetër për të njëjtin lloj dhe sipërfaqe gjoba është 100 mijë lekë. Shkeljet e përfshira në draft janë të paktën 14 dhe po kaq edhe gjobat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button