Teknologji

“Kumbari i inteligjencës artificiale” largohet nga Google, paralajmëron për rreziqet nga teknologji

Alarmimi për inteligjencën artificiale po ndjehet kudo në epokën pas programit ChatGPT dhe shprehet madje nga personalitete si industrialisti Elon Musk, Noam Chomsky dhe ish-burri i shtetit tashmë në moshën 99 vjeçare Henry Kissinger. Vëmendje të veçantë kanë marrë shqetësimet e ekspertëve nga komuniteti i shkencëtarëve për inteligjencën artificiale. Një nga pionerët e kësaj shkence, i mbiquajtur “Kumbari i Inteligjencës Artificiale”, Geoffrey Hinton, dha dorëheqjen nga kompania Google, në mënyrë që të mund të fliste më hapur për rreziqet e teknologjisë që ai ndihmoi për ta krijuar.

Gjatë një karriere prej dekadash, puna novatore e zotit Hinton për të mësuarin dhe për rrjetet e neuroneve, ndihmoi në ngritjen e themeleve të pjesës më të madhe të teknologjisë artificiale që shohim sot.

Gjatë muajve të fundit ka patur një vërshim prezantimesh të teknologjive të reja artificiale.

Kompania me seli në San Françisko, OpenAI, që krijoi programin ChatGPT dhe që mbështetet nga kompania Microsoft, paraqiti modelin më të fundit GPT-4 në muajin mars.

Kompani të mëdha të teknologjisë kanë investuar në mjete të tjera të tilla – siç është programi “Bard”, i kompanisë Google.

Disa nga rreziqet e programeve të inteligjencës artificiale janë “shumë të frikshëm”, i tha zoti Hinton BBC-së. “Për momentin, nuk janë më inteligjentë se ne, me sa mundem të kuptoj. Por, mendoj se së shpejti mund të jenë”, tha ai.

Në një intervistë me revistën Technology Review të Universitetit Teknologjik të Miçiganit, zoti Hinton përmendi edhe “aktorë të këqinj” që mund ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyra që dëmtojnë rëndë shoqërinë, si p.sh. manipulimi i zgjedhjeve apo nxitja e dhunës.

75-vjeçari Hinton thotë se dha dorëheqjen nga kompania Google që të kishte kështu mundësinë për të folur më haptazi për rreziqet e mundshme, duke mos qenë më i punësuar nga kjo kompani gjigande e teknologjisë.

Që nga largimi i tij, zoti Hinton ka thënë se Google ka “vepruar në mënyrë shumë të përgjegjshme” me inteligjencën artificiale.

Ai tha se ka “edhe shumë gjëra të mira nga Google” për të cilat do të donte të fliste, por se këto komente do të ishin shumë më të besueshme nëse nuk do të punonte më atje.

Kompania Google konfirmoi se zoti Hinton u largua nga pozicioni i tij prej dhjetë vitesh si mbikëqyrës i ekipit kërkimor në Toronto të kësaj kompanie.

Në zemër të debatit për inteligjencën artificiale është pikëpyetja nëse rreziqet kryesore do të vijnë në të ardhmen, apo nëse ekzistojnë që tani.

Nga njëra anë ka skenarë hipotetikë për rrezikun ekzistencial të shkaktuar nga kompjutera që ia kalojnë inteligjencës njerëzore.

Nga ana tjetër ka shqetësime për teknologjinë e automatizuar që po përdoret tashmë nga bizneset dhe qeveritë, dhe që mund të shkaktojë dëme reale.

“Mund të imagjinoni një adoleshent që thjesht për qejf ulet të shkruajë një program për të sulmuar shërbime jetike qeveritare, një sulm kibernetik pra ndaj një shërbimi jetik të qeverisë. Kjo ndoshta nuk do të sjellë fundin e botës, por do të jetë jashtëzakonisht dëmtuese”, thotë Mike Wooldridge, nga Instituti “Alan Turing”.

Një numër shkencëtarësh kanë shprehur prej kohësh shqetësimin për anshmërinë racore, gjinore apo në forma të tjera të sistemeve të inteligjencës artificiale, përfshirë programet e dialogimit që trajnohen me sasi të mëdha tekstesh të shkruara nga njerëzit dhe që mund të shumëfishojnë kështu diskriminimin që ekziston tashmë në shoqëri.

“Janë më tepër të shqetësuar për mënyrat se si inteligjenca artificiale do të përdoret nga njerëzit. Është pra një mjet që mund të përdoret në mënyra të gabuara, në mënyra dëmtuese. Dhe mendoj se ky është një shqetësim real, por ideja se inteligjenca artificale apo robotët do të rebelohen dhe do të rrëzojnë njerëzimin, që shfaqet ndonjëherë në fantashkencë, përbën më pak shqetësim” , thotë Glyn Morgan nga Muzeu i Shkencave i Londrës.

Zoti Hinton ishte një ndër tre pionerët e inteligjencës artificiale që fituan në vitin 2019 Çmimin Turing, që është ekuivalenti i Çmimit Nobel në botën e teknologjisë.

Edhe dy fituesit e tjerë të këtij çmimi, Yoshua Bengio dhe Yann LeCun, kanë shprehur shqetësimet e tyre për të ardhmen e inteligjencës artificiale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button