☀️
Tiranë 34°C · Kthjellët 07 September 2026
S&P 500 7,719 ▼0.38%
DOW 53,414 ▼0.51%
NASDAQ 26,507 ▼0.29%
NAFTA 91.48 ▲0%
ARI 4,477 ▲0%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063 EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063
₿ CRYPTO
BTC $79,171 ▼ -0.74% ETH $2,487 ▼ -0.06% XRP $1.3966 ▼ -1.24% SOL $104.4800 ▼ -1.99%
S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 91.48 ▲0 % ARI 4,477 ▲0 % S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 91.48 ▲0 % ARI 4,477 ▲0 %
EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063 EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063
07 Sep 2026
Breaking
Opinion

Kush e di verdiktin e 16 shtatorit?

Nga Baton Haxhiu

Më 16 shtator, në orën 10:00, Dhomat e Specializuara do të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pas gati gjashtë vjetësh paraburgim, 134 dëshmitarëve dhe një procesi që ka përfshirë 156 viktima pjesëmarrëse, ky nuk është vetëm fundi i një gjykimi. Është një moment që prek kujtesën e luftës, legjitimitetin e UÇK-së, besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe stabilitetin politik të Kosovës.

Nuk jam i çmendur të them se e di aktgjykimin dhe nuk kam ndërmend të konkurroj me Aleksandar Vuçiçin në shpalljen e vendimeve përpara gjykatësve. Nuk e kam parë tekstin, nuk i di arsyetimet dhe nuk i di vitet që mund të shqiptohen.

Por do të ishte po aq e paarsyeshme të pretendonim se, deri në çastin kur kryetari i trupit gjykues fillon ta lexojë vendimin, askush jashtë sallës nuk di asgjë dhe askush nuk po përgatitet për asgjë.

Vendimet e kësaj peshe nuk jetojnë vetëm brenda dosjeve juridike. Ato prodhojnë protesta, zhvendosin marrëdhënie politike, ndikojnë në sigurinë e komuniteteve, mobilizojnë veteranë, aktivizojnë shërbime informative dhe krijojnë mundësi për provokime në pjesën veriore të Kosovës.

Përpara një aktgjykimi të tillë, drejtësia mund të heshtë, por siguria nuk mund të presë.

KFOR-i duhet të jetë i përgatitur, jo sepse komandanti i tij është gjykatës dhe as sepse NATO-ja shkruan aktgjykime, por sepse është përgjegjësi e tij të dijë se çfarë mund të ndodhë një orë pasi vendimi të jetë lexuar.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia nuk janë spektatore të largëta të Kosovës. Ato kanë përgjegjësi politike, informative dhe ushtarake, kanë trupa në terren dhe duhet të marrin vendime për sigurinë e njerëzve të tyre, mbrojtjen e institucioneve dhe reagimin ndaj çdo përpjekjeje për destabilizim.

Italia ka përgjegjësi të posaçme për shkak të rolit të saj në komandën e KFOR-it. Shtetet e tjera që kontribuojnë me trupa duhet të kenë vlerësim të rrezikut, sepse ushtarët nuk mund të vendosen, të përforcohen ose të lëvizin vetëm pasi turma të ketë dalë në rrugë.

Edhe qeveritë e Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë kanë arsye të ndryshme për t’u përgatitur. Prishtina duhet të menaxhojë reagimin qytetar dhe ta mbrojë rendin pa e trajtuar zemërimin si armik. Tirana duhet të koordinojë qëndrimin politik dhe diplomatik ndaj një vendimi që prek drejtpërdrejt historinë kombëtare. Beogradi duhet të parandalojë që vendimi të shndërrohet në instrument mobilizimi në veri, edhe pse pushteti serb zakonisht është i pari që investon në një mobilizim të tillë.

Asnjëra prej këtyre nuk do të thotë domosdoshmërisht se kryeministrat kanë mbi tavolinë kopjen e aktgjykimit. Do të ishte akuzë shumë e rëndë të thuhej se Gjykata ua ka shpërndarë qeverive një vendim ende të pashpallur, dhe për këtë nuk kemi prova.

Por sistemi i sigurisë nuk ka nevojë t’i njohë të gjitha faqet e aktgjykimit dhe as numrin përfundimtar të viteve. Për përgatitje operative mjafton të njohë skenarët më të mundshëm, drejtimin themelor të vendimit dhe natyrën e reagimit që ai mund të prodhojë.

Në diplomaci dhe siguri, informacioni nuk shpërndahet gjithmonë në formën e një dokumenti. Ndonjëherë mjafton një paralajmërim, një vlerësim i përbashkët, një ndryshim i nivelit të gatishmërisë ose një këshillë që familjet dhe personeli joesencial të mos ndodhen në një vend të caktuar në një ditë të caktuar.

Pikërisht këtu duhet trajtuar edhe informacioni për largimin e mundshëm të një pjese të stafit të Bashkimit Evropian ose të EULEX-it nga Prishtina.

Deri tani nuk ka konfirmim publik për një evakuim të përgjithshëm. Prandaj fjala “evakuim” duhet përdorur me kujdes, sepse krijon përshtypjen e një rreziku të menjëhershëm dhe të një operacioni masiv që publikisht nuk është dëshmuar.

Por, nëse familjarëve, personelit joesencial ose një pjese të stafit ndërkombëtar u është rekomanduar largimi i përkohshëm, kjo do të ishte masë standarde parandaluese. Nuk do të thoshte se pritet luftë dhe as se dikush po largohet përgjithmonë nga Kosova. Do të thoshte se institucionet ndërkombëtare po e zvogëlojnë ekspozimin e tyre për disa ditë, derisa të shihet reagimi ndaj aktgjykimit.

EULEX-i ka deklaruar publikisht se siguria e të gjitha komuniteteve është përparësi, se mbetet vigjilent dhe se po e monitoron situatën në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Kur është pyetur për masa të shtuara dhe rrezikun e dhunës pas vendimit, nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë për hollësitë.

“Menaxhimi i sigurisë është pjesë e përgjegjësive të rregullta të EULEX-it dhe masat operacionale rishikohen vazhdimisht në dritën e situatës së sigurisë. Për arsye konfidencialiteti, EULEX-i nuk ndan detaje lidhur me çështjet organizative dhe të brendshme, pasi ato nuk janë për publikim”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Albanian Post.

Në gjuhën institucionale, edhe mungesa e përgjigjes është informacion. Një mision sigurie nuk e zbulon planin e vet operacional, por as nuk fillon të flasë për vigjilencë, koordinim dhe sigurinë e komuniteteve pa pasur vlerësim të rrezikut.

Largimi i përkohshëm i stafit, nëse ka ndodhur, nuk do të na tregonte se çfarë ka vendosur Gjykata. Do të na tregonte vetëm se reagimi i mundshëm konsiderohet mjaftueshëm serioz për të aktivizuar planet e emergjencës.

Evakuimi nuk është profeci. Është sigurim ndaj skenarit më të keq.

Pastaj është Aleksandar Vuçiçi, i cili nuk flet si një njeri që po pret vendimin, por si dikush që dëshiron t’ia përcaktojë kuptimin përpara se Gjykata ta shpallë.

Vuçiçi pretendon se, përmes “kanaleve informative”, ka mësuar se Thaçi do të lirohet nga akuzat për krimet e luftës dhe do të marrë vetëm një dënim që ia mbulon kohën e kaluar në paraburgim. Këtë e ka lidhur me tezën e vjetër se Perëndimi nuk e çmon gjakun serb dhe se tribunalet ndërkombëtare janë ndërtuar për t’i shpallur vetëm serbët fajtorë.

“Kam marrë informacione se Hashim Thaçit do t’ia mbulojnë paraburgimin duke e dënuar për mospërfillje të gjykatës, ndërsa për krimet e kryera kundër serbëve, asgjë”, deklaroi Vuçiçi.

Por Vuçiçi bën një gabim që e tradhton. Ai e lidh aktgjykimin e 16 shtatorit me akuzat për pengim të drejtësisë, ndërkohë që ato i përkasin një procesi tjetër, të ndarë nga gjykimi për krimet e luftës.

Kjo e bën të vështirë të besohet se ai po transmeton informacion juridik të saktë. Një burim i vërtetë brenda procesit do ta dinte dallimin ndërmjet dy çështjeve dhe nuk do ta ndërtonte parashikimin mbi një dënim që nuk mund të shqiptohet në këtë proces më 16 shtator.

Vuçiçi nuk duhet lexuar si burim. Duhet lexuar si aktor.

Ai nuk po përpiqet të na tregojë se çfarë do të thotë Gjykata. Po përpiqet ta përgatisë opinionin serb se si duhet ta kuptojë çfarëdo që Gjykata të thotë.

Nëse aktgjykimi është lirues, Vuçiçi do të thotë se e kishte paralajmëruar dhe se drejtësia ndërkombëtare i ka braktisur edhe një herë viktimat serbe. Nëse aktgjykimi është dënues, por jo në përmasën që ai kërkon, do të thotë se u dënuan disa individë vetëm për ta mbrojtur strukturën e UÇK-së. Nëse dënimet janë të rënda, mund të pretendojë se presioni i Serbisë dhe zbulimi i “planit” e detyruan Gjykatën të ndryshonte drejtim.

Në secilin skenar, Vuçiçi i rezervon vetes rolin e njeriut që kishte informacion dhe që e kishte paralajmëruar kombin. Ai nuk po parashikon aktgjykimin. Po ndërton alibinë e vet për ditën pas tij.

Kosova nuk duhet t’i përgjigjet kësaj loje duke shpallur aktgjykime alternative, duke prodhuar thashetheme ose duke e kthyer 16 shtatorin në ditë hakmarrjeje politike. Kjo do t’i shërbente pikërisht skenarit të Beogradit, i cili kërkon pamje trazirash në Prishtinë dhe frikë në veri.

Por institucionet e Kosovës kanë detyrim të jenë më të sinqerta me qytetarët. Nëse KFOR-i, EULEX-i dhe ambasadat po ndërmarrin masa sigurie, qeveria duhet të shpjegojë se çfarë po bën për ta ruajtur rendin, cilat janë rreziqet reale dhe pse qytetarët nuk duhet të bien pre e provokimeve.

Nuk mund të ndodhë që personeli ndërkombëtar të marrë udhëzime konkrete, ndërsa publikut kosovar t’i mbetet vetëm deklarata e zakonshme se situata është e qetë, por e brishtë.

Qetësia nuk ruhet duke e mbajtur qytetarin në errësirë. Ajo ruhet duke i treguar se shteti është i përgatitur, se protesta paqësore është e drejtë demokratike, se dhuna nuk do të tolerohet dhe se veriu nuk do të lihet si hapësirë për operacione politike të Beogradit.

Më 16 shtator, Gjykata do të flasë për fajësinë ose pafajësinë e katër njerëzve. Nuk duhet të lejojmë që ajo ditë të përdoret për ta gjykuar gjithë UÇK-në, gjithë luftën e Kosovës ose të drejtën e shqiptarëve për liri.

Por deri atëherë ekziston një histori tjetër, e cila zhvillohet jashtë sallës së gjyqit. Është historia e institucioneve që përgatiten, e misioneve që heshtin, e qeverive që vlerësojnë pasojat dhe e një presidenti serb që po përpiqet ta kolonizojë kuptimin e vendimit përpara se ai të ekzistojë publikisht.

Nuk po them se e di aktgjykimin. Po them se shumë aktorë po sillen sikur dinë mjaftueshëm për t’u përgatitur për pasojat e tij.

Por edhe ata që pretendojnë se kanë informacion se dy prej të akuzuarve do të lirohen, se do të lirohen të katërt, apo se të katërt do të dënohen, nuk duhet ta trajtojnë këtë informacion si një vendim tashmë të kryer. Vlerësimet e shërbimeve informative, paralajmërimet diplomatike dhe masat e sigurisë mund të tregojnë drejtimin e pritshëm, por nuk janë aktgjykim.

Në një proces të tillë mund të dihen skenarët, mund të njihen qëndrimet brenda sistemit dhe mund të parashikohen pasojat, por fundi juridik ekziston vetëm atëherë kur trupi gjykues e shqipton. Deri në atë çast, çdo informacion mbetet informacion, çdo parashikim mbetet parashikim dhe çdo siguri e shfaqur publikisht mund të jetë po aq lehtë propagandë sa edhe dijeni.

Vetëm gjyqtarët që e kanë marrë vendimin e dinë aktgjykimin, dhe vetëm gjyqtari që më 16 shtator do ta shqiptojë fjalën e fundit do ta kthejë atë nga një sekret, dyshim apo informacion në një fakt juridik.

Deri atëherë, pyetja nuk është vetëm se çfarë do të vendosë Gjykata. Pyetja është se kush po përgatitet ta përdorë vendimin, kush po përgatitet t’i kontrollojë pasojat e tij dhe pse qytetarët e Kosovës janë të fundit që informohen për një ditë që do ta jetojnë vetë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.