☀️
Tiranë 32°C · Kthjellët 07 September 2026
S&P 500 7,719 ▼0.38%
DOW 53,414 ▼0.51%
NASDAQ 26,507 ▼0.29%
NAFTA 91.48 ▲0%
ARI 4,477 ▲0%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063 EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063
₿ CRYPTO
BTC $79,528 ▼ -0.49% ETH $2,497 ▼ -0.08% XRP $1.4064 ▼ -0.76% SOL $104.9800 ▼ -0.73%
S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 91.48 ▲0 % ARI 4,477 ▲0 % S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 91.48 ▲0 % ARI 4,477 ▲0 %
EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063 EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8591 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1611 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3447 EUR/TRY 56.2809 EUR/JPY 181.39 EUR/CAD 1.6063
07 Sep 2026
Breaking
Opinion

Kryeministrit nuk i mjaftojnë më konstatimet. Duhen zgjidhje

Nga Ylli Manjani

Kryeministri ka të drejtë kur thotë se SPAK ka përdorur mediat për të goditur publikisht njerëz që ende nuk janë gjykuar. Ka të drejtë edhe kur denoncon se gjyqtarë dhe prokurorë të posaçëm mbyllen në dhoma pa praninë e palëve dhe marrin vendime që prekin lirinë, reputacionin dhe autoritetin e njerëzve, madje edhe të pushteteve të tjera që Kushtetuta i ka ndarë.

Kam bindjen se Kryeministri ka edhe konstatime të tjera, ndoshta edhe më të rënda, për mënyrën si funksionon sot shteti i së drejtës. Besoj se Ai thjesht ka zgjedhur të mos i nxjerrë të gjitha njëherësh në publik.

Por pyetja është: po pastaj?

Biem dakord me konstatimet. Ato janë serioze, madje alarmante për një shtet kushtetues. Por çfarë ndodh më pas?

Ku ndryshon Kryeministri nga gjithë turma e“flamingove” që dalin të
tufëzuara çdo ditë në ekran dhe konstatojnë, amplifikojnë problemet, por nuk ofrojnë kurrë një zgjidhje, sepse nuk kanë as përgjegjësi dhe as drejtim?

Kryeministri nuk është analist televiziv. Aq për pak flamingo pa kokë e pa përgjegjësi. Ai është zyrtari më i fuqishëm politik në Republikën e Shqipërisë. Ai lëviz mekanizmat institucionalë, propozon ligje, ndërmerr reforma, korrigjon deformime. Roli i tij nuk është të bëjë diagnozën, por të nisë trajtimin.

Padyshim që ka një kundërthënie të dukshme tashmë në deklarimet e Tij.

Për vite me radhë, Kryeministri ka mbrojtur autorësinë autentike të Reformës në Drejtësi. Ka kërkuar ta konsiderojmë suksesin e tij më të madh politik. Sot, po thotë se institucionet e kësaj reforme drejtohen nga njerëz me maska, që veprojnë fshehurazi dhe pas shpine.

Sigurisht që është kështu dhe, problemi nuk është më një devijim i vogël. Është një krizë e vetë reformës.

Për hir të së vërtetës, nuk është se këtyre institucioneve u mungojnë vetëm maskat. Shpesh u kanë munguar edhe skrupujt në raport me liritë kushtetuese. Këtë e kanë konstatuar edhe vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në raste të ndryshme. Proçesi i rregullt ligjor ka bërë hapa galopantë pas në Shqipërinë e post reformës në drejtësi.

Por, edhe sikur të mbetemi vetëm te konstatimet e Kryeministrit, ato mjaftojnë për të ngritur alarmin. Prandaj pyetja mbetet e njëjtë: çfarë ndodh në vijim?

Imagjinoni ç’u bëjnë vdekatarëve të thjeshtë, kur drejtësia ka njerëz me maska që godasin pushtetin, politikën dhe vetë Kryeministrin?!

Do të vazhdohet t’u lihet “maskave” në dorë drejtësia, ndërsa ato bëjnë kërdinë me vendime të marra larg syrit të publikut dhe larg garancive të procesit të rregullt? Apo do të kuptohet më në fund se me maska nuk ndërtohet as ligj, as drejtësi, e aq më pak një shtet që pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian? Pa proçes të rregullt ligjor nuk garantohet as drejtësi sepse çdo kriminel rrezikon të marrë pamjen e “qinjit të urtë”, ashtu sikurse çdo i pafajshëm rrezikon të damkoset si kriminel i rrezikshëm. Kjo nuk quhet drejtësi.

Ndoshta gjithçka duhet të nisë me një ndjesë publike. Me pranimin se një pjesë e drejtësisë iu dorëzua njerëzve që e ushtruan pushtetin pa transparencë dhe pa llogaridhënie.

Pastaj duhet diçka më e rëndësishme se ndjesa: një nismë e plotë për rishikimin e mekanizmave që e kanë lejuar këtë sistem të dalë jashtë kontrollit kushtetues.
Problem është sa ekzistenca e drejtësisë së posaçme, aq edhe sjellja e saj sikur është vetë ligji, mbi ligjin dhe jashtë çdo kontrolli.

Duhen zgjidhje, jo më gjetje.

Gjetjet janë bërë. Madje janë edhe më të rënda sesa ato që Kryeministri ka zgjedhur të thotë publikisht. Tani radha është e zgjidhjeve. Dhe për to, përgjegjësia është e Kryeministrit.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.