Kush është prokurorja që u shkarkua sot, ambasada e SHBA i refuzoi vizën 10 muaj më parë
Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku ka bërë sot ndryshimin e parë në institucionin që ajo drejton prej 10 ditësh. Paraditen e sotme, Prokurorja e Përgjithshme ka firmosur emërimin e Arqile Koçit në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, pjesë e së cilës është edhe Sektori për verifikimin e integritetit të zyrtarëve, në kuadër të dekriminalizimit.
Deri më sot, ky pozicion ushtrohej nga Rovena Gashi, e cila tashmë është caktuar prokurore pranë Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Rovena Gashi ka qenë zyrtarja që ka kërkuar në më shumë se 5 raste heqjen e mandatit të disa deputetëve dhe kryebashkiakëve. Kujtojmë se pak ditë më parë Rovena Gashi dërgoi në KQZ kërkesën për heqjen e mandatit të dy deputetëve, Aqif Rakipi i PDIU-së, dhe Gledion Rehociva i LSI-së.
Përveç angazhimit në zbatimin e dekriminalizimit dhe largimin e deputetëve dhe kryebashkiakëve me të shkuar kriminale, Rovena Gashi, u përfol edhe për një ngjarje tjetër.
Ashtu si disa prokurorëve dhe gjyqtarëve të tjerë, edhe Rovena Gashit i është revokuar viza nga Ambasada Amerikane. Pas vendimit të ambasadës, Gashi i dërgoi një letër Presidentit të asaj kohe, Bujar Nishani.
LETRA
Të nderuar Zotërinj,
Unë që po Ju drejtohem quhem Rovena Gashi dhe jam Prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme. Prej muajit Qershor 2013 jam në pozicionin e Drejtorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Prej muajit Tetor 2016 drejtoj njëkohësisht edhe strukturën e “Dekriminalizimit” në institucionin ku ushtroj funksionet si prokuror. Gjithashtu, në datën 27.01.2017, jam përzgjedhur anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në bazë të procedurës së zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë.
Po Ju drejtohem, në përmbushje të detyrimit tim ligjor dhe moral, për shkak të një situate që në vlerësimin tim është absurde dhe në kundërshtim të hapur me normat ligjore vendase dhe ndërkombëtare. Në datë 26.01.2017, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, konkretisht zyra konsullore, më ka revokuar vizën amerikane të shërbimit, e tipit R B1/B2.
Punonjësit konsullorë nuk e shoqëruan me asnjë lloj komunikimi zyrtar ose jozyrtar këtë vendimmarrje të tyre. Ky akt i ndërmarrë ndaj personit tim nga Ambasada Amerikane në Tiranë ishte tërësisht i papritur, pavarësisht se, për shkak të pozicionit si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, kisha marrë sinjale për veprime konkrete ndaj personit tim.
Në vlerësimin tim, revokimi i vizës së shërbimit ka lidhje më së pari me qëndrimet që kam prezantuar lidhur me draftin e Reformës në Drejtësi. Në cilësinë e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme, unë kam qenë pjesëmarrëse në disa aktivitete dhe tryeza diskutimi lidhur me paketën kushtetuese dhe ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë. Në çdo rast, unë kam shprehur qëndrimin tim parimor dhe profesional, duke vlerësuar nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë.
Në prezantimet e mia publike, në disa raste në prania edhe të Ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Donald Lu, kam kundërshtuar disa aspekte të drafteve ligjore, të cilat, në pikëpamjen time binin ndesh me parimet e përgjithshme të së drejtës, si edhe me forcimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Këto qëndrime të miat parimore binin ndesh me projektin e hartuar nga disa ekspertë vendas dhe të huaj, i cili mbrohej publikisht nga ambasadori amerikan, Donald Lu.
Në kontakte formale dhe informale me zyrtarë të ndryshëm të Ambasadës Amerikane më është përcjellë mesazhi që, nëse do të vijoja të prezantoja qëndrime kundër projektit të mbrojtur nga ambasadori Lu, ndaj meje mund të kishte pasoja negative. Këto sugjerime nuk janë marrë parasysh prej meje, duke mbrojtur në çdo aktivitet bindjen time, bazuar në përvojë dhe profesionalizëm. Rezultoi se, një pjesë e konsiderueshme e argumentave të prezantuara nga ana ime, u konsideruan të tilla edhe nga Opinioni i Komisionit të Venecias, i cili u investua nga palët politike në Shqipëri.
Pra, rezultoi që, pavarësisht presioneve ndaj meje, por edhe prokurorëve të tjerë, që të mbështesnin pa asnjë kundërshti draftin e mbrojtur nga ambasadori Lu, profesionalizmi i dëshmuar nga unë, nga prokurorët e tjerë, si edhe njohës të ligjit, të ishte në përputhje me parimet ndërkombëtare të së drejtës. Gjithashtu, në cilësinë e drejtuesit të sektorit shumë të rëndësishëm të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, deri më tani kemi siguruar rezultate të kënaqshme në drejtim të largimit nga Kuvendi dy deputetë, si edhe një numër të konsiderueshëm zyrtarësh nga administrata publike.
Gjithashtu, kemi në proces verifikimi edhe disa deputetë, të cilët, me shumë mundësi, mund të penalizohen nga ligji “Për Dekriminalizimin”. Ajo që konstatoj është se, disa prej deputetëve që penalizohen nga ky ligj, janë persona të shantazhuar publikisht me mesazhe nga Ambasada Amerikane, të cilat janë bërë publike edhe në media, që këta të fundit të siguronin balancat parlamentare, si edhe votat e nevojshme për të miratuar projektin e ambasadorit Lu në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu, unë jam përzgjedhur anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Unë isha kandidaturë e vetme e Prokurorisë së Përgjithshme për një vend anëtar në KED. Përzgjedhja ime në KED u formalizua në procedurën e zhvilluar nga Kuvendi i Shqipërisë, më datë 27.01.2017. Por, vetëm një ditë më parë, konkretisht më dt. 26.01.2017, kur emri im tashmë ishte publikuar si kandidaturë pa konkurencë për anëtare e KED, thirrem me urgjencë në Ambasadën Amerikane në Tiranë.
Unë gjendesha në Gjermani, në një aktivitet të Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit. Nga komunikimi telefonik me zyrtarët e Ambasadës Amerikane në Tiranë më është kërkuar që të paraqitesha me urgjencë, për të zhvilluar një takim me konsullin. Duke qenë se unë ushtroj detyrën e Drejtorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, vlerësova se urgjenca e kërkesës mund të lidhej me çështje të ngutshme të hetimit ndërkombëtar ose terrorizmit.
Për shkak të përgjegjësisë që kam ndaj detyrës, rikthehem në Tiranë dhe paraqitem menjëherë para Ambasadës Amerikane. Por, aty nuk pritem nga konsulli, por nga një punonjës, i cili, pasi më kërkoi pasaportën, më njofton se më ishte revokuar viza e shërbimit. Pas këtij veprimi, nuk më komunikuan asnjë arsye për këtë veprim dhe këtu përfundoi takimi. Të nderuar zotërinj, Sa më lart Ju prezantova angazhimin tim profesional në sektorë të rëndësishëm të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe qëndrimet e mia ndaj draftit të Reformës në Drejtësi, të mbrojtur publikisht nga Ambasadori Amerikane në Tiranë, z. Donald Lu.
Në vlerësimin tim, pikërisht qëndrimet e mia parimore përsa i përket Reformës në Drejtësi, të cilat, siç e përmenda më lart, gjetën mbështetje edhe nga Opinioni i Komisionit të Venecias, mund të kenë shërbyer si shkak për revokimin e vizës amerikane të shërbimit, me të cilën isha pajisur për shkak të detyrës. Gjithashtu, vlerësoj se ky akt tërësisht jo-diplomatik, mund të jetë edhe një formë presioni që struktura e “Dekriminalizimit” që unë drejtoj, të mos penalizojë deputetë, të cilët njihen publikisht si persona që zhvillojnë komunikim të vazhdueshëm me ambasadorin Lu.
Personalisht nuk evidentoj asnjë justifikim që Ambasada Amerikane në Tiranë të më thërriste me urgjencë për revokimin e vizës së shërbimit, pikërisht, një ditë para se të zhvillohej procedura për përzgjedhjen e anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në të cilin unë u zgjodha anëtare. Për më tepër, në momëntin që unë sapo kam dalë nga Ambasada e SHBA në Tiranë, ku më ishte komunikuar revokimi i vizës së shërbimit, në median shqiptare ka dalë njoftimi i Ambasadës së SHBA-së për heqjen e vizave disa prokuroëve dhe gjyqtarëve.
Në këtë deklaratë, citoj “…Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin…”.
Pra, personalisht e vlerësoj se veprimi jo-diplomatik i Ambasadës Amerikane në Tiranë ka qenë një manovër për të goditur personin tim për shkak të detyrës, angazhimeve të mia në drejtim të “Dekriminalizimit”, si edhe për të mos legjitimuar pjesëmarrjen time në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Të nderuar zotërinj, Pavarësisht sjelljes jo-korrekte të Ambasadës së SHBA në Tiranë, unë Ju garantoj se do të vijoj të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore. Do të vijoj që të zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit për krimin e organizuar, transnacional dhe terrorizmin.
Gjithashtu, Ju garantoj se struktura e “Dekriminalizimit” do të vijojë të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimin e saj ligjor për të siguruar pastërtinë e Parlamentit dhe të administratës publike shqiptare, pavarësisht presioneve dhe shantazheve nga segmente të caktuara të politikës apo diplomatë të huaj.
Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin Tuaj,
PROKURORI ROVENA GASHI