Opinion

Kush po luan me Euron?

Nga Jorida Tabaku/deputete e Patrisë Demokratike

Ditët e fundit është hapur një debat, në fakt i keqorientuar, se forcimi i Lekut tek ne është shenjë një ekonomie të shëndetshme dhe që po ecën në drejtimin e duhur dhe se problemi qëndron tek eksportuesit.

Në ekonomi tre janë faktorët që forcojnë një monedhë; rritja e ekonomisë së brendshme që do të thotë rritja ekonomisë shqiptare, bilanci tregtar që do të thotë diferenca mes eksporteve dhe importeve në sasi dhe së fundi kërkesa në tregun ndërkombëtar për monedhën shqiptare. Për të tre këto faktorë të dhënat që janë nga Banka e Shqipërisë flasin për një realitet tjetër nga fasada që propagandohet.

Monedha jonë nuk është një monedhë që ka një kërkesë të madhe ndërkombëtare. Së dyti nuk ka një rritje të ekonomisë reale, nuk ka rritje të prodhimit, pasi ksuhdo e di që ne nuk prodhojmë ndonjë produkt me kërkesë të lartë eksporti.

Sa i takon Bilancit Tregtar, pra diferencës mes eksporteve dhe importeve, ai është thelluar me 17% sipas Bankës së Shqipërisë.

Kjo do të thotë që jo vetëm që eksportuesit kanë nxjerrë më pak se sa importi, pra produktet tona nuk blihen dhe aq shumë jashtë, por vlera e eksporteve është më e ulët se sa vlera e importeve. Për ta kuptuar këtë secili mund të shohë portofolin e vet. Sot me 1000 lekë nuk blen më dot asgjë që ke blerë deri dje. Çmimet janë rritur dhe sasia është ulur. Një familje me të ardhura mujore mesatare 50 mijë lekë në muaj konsumon gjithnjë e më pak ushqime se sa një muaj më parë. Produktet e shportës janë shtrenjtuar ndonëse janë duke u importuar me një lek më të fortë.

Kush përfiton nga forcimi i lekut? Jo familjet shqiptare! Kush humbet nga forcimi jo prej ekonomisë së lekut? Familjet shqiptare!

Nëse leku i fortë do të ishte në dobi të familjeve shqiptare, ekonomia e vendit do të ishte gjithashtu në rritje. Trajektorja e forcimit të pashpjegueshëm të lekut tonë ka nisur në 2016 dhe sa vjen edhe monedha Euro dobësohet ndërsa ekonomia jonë nuk ka ndonjë rritje të shpjegueshme, përveç se paratë e pista që financojnë një ekonomi informale dhe jo rrallë investimet strategjike pa harruar dhe milionat e korrupsionit.

Dhe sa më sipër nuk janë shpikje por fakte:

Shqipëria prej mbi katër vite është përfshirë në listën e MoneyVal duke qenë i vetmi vend i Europës në listën e vendeve që dyshohen se pastrojnë para. Raportet ndërkombëtare flasin se 1.8 mld euro janë pastruar në fushën e ndërtimit në Tiranë, korrupsioni i niveleve të larta është faktuar se ndërton, blen dhe mobilon shtëpi me para të pista dhe korruptive.

Pra, shqiptarët paguajnë më shumë për ushqimet e tyre, për rrobat e tyre dhe për pushimet e tyre dhe jo vetëm kaq. Sipërmarrjet e eksportit që kanë të punësuar mbi 100 mijë punëtorë janë sot me humbje. Pra, të gatshëm të ulin kostot, pra rrogat e punëtorëve, për të mbijetuar nga rritja e lekut prej një ekonomie informale. Për fasadën e lekut të fortë, familjet shqiptare dhe bizneset, paguajnë faturën e kripur të një ekonomie informale, parave të pista dhe mbi të gjitha taksën e korrupsionit. Një taksë që e paguajnë njëlloj të majtët dhe të djathtët.

Taksa e korrupsionit nuk është imagjinata e opozitës por realiteti që shqiptarët paguajnë nga portofoli tyre. Rruga për të ndaluar këtë taksë kalon përmes vullnetit politik. Miratimi i ligjeve në letër për pastrimin e parave nuk ndihmon askënd dhe nuk është zgjidhje!

Kambana e alarmit që dëgjohet sot në çdo familje shqiptare duhet të jetë shqetësimi i qeverisë dhe që fatkeqësisht nuk është i tillë. Prandaj dhe vendi po vazhdon të zhytet edhe më shumë në këtë spirale që sa me shumë e mohojnë aq më e qartë shpërfaqet në portofolin e çdo shqiptari!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button