Kuvendi emëron Bordin e e Agjencisë Kosovare të Privatizimit
Kuvendi i Kosovës në sallë alternative vazhdoi seancën plenare të ndërprerë rreth mesnatës së të hënës në mungesë kuorumi dhe sot me shumicë votash, 64 pro, 4 kundër e 3 abstenime, bëri emërimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Të zgjedhurit në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë: Petrit Gashi- kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skender Komoni, Ismajl Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Gjokiç dhe Bajram Zejnullahu – anëtarë.
“Mandati i kryesuesit e zëvendësit është tre vjet, ndërsa i anëtarëve 2 vjet”, bëri të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pasi konstatoi rezultatin e votimit.
“Aktulisht nuk kemi asnjë çështje në pritje për shqyrtim në seancën plenare të Kuvendit. Shkojmë në pushimin, të cilin e kemi dimëror”, u shpreh ai.
“Në të njëjtën kohë, kishim dëshiruar që të kthehet normaliteti për të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. I përshëndesim organet e rendit dhe të drejtësisë për punën e tyre dhe shpresoj se do t’i lirojnë të kthehen në familjet e tyre, veçanërisht para festave të fundvitit, kolegët tanë deputetë”, tha kryeparlamentari Veseli.
Pas zhvillimeve me gaz lotsjellës në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se, “numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”.
“Pas 20 minutash do vazhdojmë seancën e mbetur plenare të 14 dhjetorit 2015”, paralajmëroi kryeparlamentari Kadri Veseli, pas fjalimit vjetor të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një seancë të veçantë, pa opozitën, në sallën plenare.
“Ky adrsim është i fundit imi para këtij Kuvendi në prag të përmbylljes së mandatit tim si Presidente e Republikës së Kosovës”, tha Jahjaga.
“Në këto pesë vite nuk ka pasur nder më të madh për mua se të jem Presidentja e Kosovës. Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se nuk ka pasur privilegj më të madh se të qëndroj në ballë të një shoqërie që, nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vet ekzistencës, asnjëherë nuk u zmbraps nga ëndrra e të bërit shtet. Që vazhdon të mbështetet fuqishëm në vlerat më të avancuara të njerëzimit. Që me krenari e lartëson partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që synon pa u dekurajuar integrimin në Bashkimin Evropian. Që edhe sot, përkundër vështirësive dhe debatit të ashpër për ta trasuar rrugën e vet, është e palëkundur në përpjekjen për ta bërë Kosovën vend të denjë për të jetuar”, përmbylli fjalën e saj Jahaja.
Presidentja e Republikës, fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës e nisi me një përshkrim dramatik të situatës: “Po ju drejtohem në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë tonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës i kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre.
Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji. U sfiduan sërish.
Në këtë Kuvend, qytetarët e Kosovës, në vend se të gëzojnë mundësinë historike të fituar me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra të jenë zot të vetvetes për ta çuar vendin e tyre përpara, u shndërruan në spektatorë të një tensionimi të skajshëm, të një tronditjeje të thellë, të një dhune të pashembullt, të një arrogance të paparë në historinë tonë të re. Në këtë moment kritik për të ardhmen e Kosovës, a kemi nevojë për një thyerje të tillë? A është e mundur që njerëzit, të cilëve qytetarët e Kosovës ua besuan të bërit shtet, ta sfidojnë mu atë shtet për të cilin dikur sfiduan çdo frikë dhe bënë çdo sakrificë?”, tha fillimisht Jahjaga në fjalën e saj.
Para se të procedohet me rendin e ditës, në vazhdimin e seancës në sallën alternative, fjalën e mori zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Taçi, i cili theksoi se, “tani e tutje, me të vërtetë, asnjë argument Bashkimi Evropian nuk e ka për të shtyrë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Zëvendëskryeministri e ministri Jashtëm, Thaçi, foli sikur edhe dje në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ku u miratua një deklaratë e qeverisë së Republikës së Kosovës me rastin e publikimit të konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian mbi Zgjerimin.
Të hënën, në 14 dhjetor, në rrethanat e tre hedhjeve të gazit lotsjellës nga opozita gjatë ditës në sallën plenare e atë alternative dhe të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në përmbyllje të punimeve të seancës së dytë të zhvilluar rreth mesnates, u paralajmërua se, “në mungesë të kuorumit, shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pritet të bëhet të enjten, më 17 dhjetor, pas adresimit të Presidentes Atifete Jahjaga në Kuvend”.
Në mbledhjen e qeverisë, dje, gjatë shqyrtimit të pikës lidhur me vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare për Privatizim, kryeministri Isa Mustafa bëri të ditur se kjo pikë duhet të riformulohet, pasi qeveria ka vendosur dhe i ka dorëzuar Kuvendit propozimin lidhur me këtë bord.
“Nuk bëhet fjalë për propozim të ri të vendimit, por vetëm që të shtohet se ky Bord do ta ketë fuqinë e marrjes së vendimit, pas hyrjes në fuqi të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, dhe se propozimi i qeverisë bazohet në Rregulloren e punës së qeverisë së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, të hënën, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në parim në seancën e parë, ku u vendim për shmangie nga rregullorja e punës,
që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke krijuar mundësinë për shqyrtimin e miratimin tij edhe në leximin e dytë brenda ditës.
Në kohën e pushimit midis dy seancave, projektligji është shqyrtuar nga komisionet përkatëse dhe i është rekomanduar Kuvendit miratimi i tij. Me shumicën e votave të deputetëve, Kuvendi ka miratuar për herë të dytë këtë projektligj, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.