Parlamentare

Kuvendi pritet të miratojë sot pr/buxhetin dhe paketën fiskale

Kuvendi pritet të miratojë sot nen për nen paketën fiskale dhe projektbuxhetin e vitit 2015.

kuvendi-ne-seance-plenare-2-525x3503Pas rreth një muaji diskutimesh në komisionet parlamentare pa pranine e opozites, dy ligjet më të rëndësishme financiare do të paraqiten parlamentit në seancë plenare për miratim. Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë, ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014. Rritja e të ardhurave, sipas ministrisë së Financave, vjen prej luftës ndaj evazionit fiskal dhe jo nga rritja e taksave.
Sipas ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, efekti nga rritja e taksave është më pak se sa një e treta e të ardhurave shtesë që pritet të realizohen. “Synimi kryesor i këtij buxheti është që të fillojë në rrugën e kthimit të rritjes normale të parakrizës”, është shprehur ministri Cani.
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2015 është planifikuar të arrijë 475 miliardë lekë ose rreth 31.7% e PBB. Bazuar në parashikimet afatmesme, shpenzimet totale buxhetore parashikohen të ulen në terma realë (30.6% e PBB në 2016 dhe 29% të PBB në 2017) duke reflektuar kësisoj objektivin e uljes së borxhit publik gjatë kësaj periudhe. Sidoqoftë, niveli total i investimeve publike i parashikuar për periudhën 2015-2017, reflekton një trend konstant përgjatë kësaj periudhe me një mesatare prej 5.3% të PBB. Ky fakt konfirmon dhe një herë prioritetin e Qeverisë për të kontribuar aktivisht në rritjen ekonomike dhe rritjen e nivelit të punësimit në vend.
Qeveria ka parashikuar të investojë per vitin 2015 80 miliardë lekë ose 5.4 për qind të Prodhimit Kombëtar për vitin e ardhshëm.
Fondi total i investimeve është i ndarë në dy pjesë, ku 67.5 miliardë lekë janë investime në projekte kombëtare, ndërsa 12.5 miliardë lekë të tjera kalojnë përmes Fondit Rajonal të Zhvillimit që administron pushteti vendor.
Gjatë diskutimit nen për nen për rreth 10 ditë në komisionet parlamentare u propozuan disa ndryshime në fondet e disa institucioneve, pas argumentimit të përfaqësuesve të institucioneve në komisione.

Ndërkohë, paketa fiskale e paraqitur nga qeveria ka në thelb të saj të gjitha masat për mbështetjen e prodhimit vendas për t’u rikthyer edhe një herë tek favoret fiskale për prodhimin në industrinë e rëndë, në manifaktura, në bujqësi, në peshkim dhe në përpunim të mineraleve dhe të produkteve të tjera për industrinë vendase. Deputetët e komisionit të Ekonomisë do t’i propozojnë Kuvendit uljen e akcizë për pijet energjke nga 50 lek në 30 lekë/litri, ndryshe nga sa ishte propozuar nga qeveria për t’u hequr.
“Jemi kundër propozimit që ka ardhur nga qeveria për heqjen e akcizës për pijet energjike”, tha kryetari i Komisionit, Erjon Braçe.

Ndërsa ndryshimi i dytë ishte ai që e shtrin uljen e rentës minerare, jo vetëm për kromin që përpunohet në vend siç propozon qeveria, por edhe mineralet e tjera te metalit.
Pjesa tjetër e paketës u votua sipas variantit të propozuar nga qeveria edhe pse për rritjen e Tatimit mbi të Ardhurat mes deputetëve pati debate të forta. Paketa e re fiskale ndryshon 18 taksa, 15 prej të cilave në ulje. Por, në total barra fiskale për individët dhe biznesit nga kjo paketë rritet me 160 milionë dollarë në vit.
Pika të tjera të parashikuara në rendin e ditës janë edhe projektligji “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ai “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit” të ndryshuar, Projektvendim “Për krijimin e komisionit të posaçëm “Për reformën në sistemin e drejtësisë”, projektvendimi “Për ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr.166, datë 16.12.2004, si dhe projektvendimi “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së
Shqipërisë”, të ndryshuar./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button