Politika

Kuvendi, seanca maratonë shqyrtohen 22 nisma ligjore

KLD, kodet, harta e re janë testi përfundimtar i mazhorancës për të konfirmuar shumicën e cilësuar

Nga Herion Mesi

KuvendLigjëvënësit shqiptarë do të mblidhen sot në seancën e fundit plenare, ku Parlamenti do të mbyllë punimet e këtij sesioni parlamentar, pa demokratët dhe republikanët, dhe ku mazhoranca pritet të miratojë një sërë ligjesh me shumicë të cilësuar prej 84 votash, përfshi edhe reformën territoriale, në të cilën do të marrë pjesë dhe PDIU-ja, si partia e vetme e opozitës.

Seanca e fundit

Seanca e fundit parlamentare e sesionit të dytë parlamentar të Legjislaturës së VIII-të, do të nisë rreth 10:00 të paradites së sotme dhe parashikohet të jetë e gjatë për shkak të axhendës së ngjeshur dhe çështjeve të rëndësishme që do të miratohen. Sipas njoftimit të Kuvendit në rendin e punimeve të Kuvendit janë përfshirë 21 pika, ndërsa për votim janë disa projektligje të mbartura nga seanca e javës së kaluar, miratimi i të cilave kërkonte shumicë të cilësuar prej 84 votash, por që votimi i tyre u shty për shkak të mungesës së gjashtë deputetëve të mazhorancës, të cilët u etiketuan si grupi i rebelëve të PS-së. Ndërkohë, opozita do të përfaqësohet vetëm nga PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, e cila do të votojë draftin përfundimtar të ndarjes së re administrativo-territoriale të vendit. Ndërsa pjesa tjetër e opozitës parlamentare nuk do të marrë pjesë në seancën e fundit të këtij sezoni parlamentar, sikurse ka ndodhur në tre seancat e fundit, për shkak të vendimit të saj për të bojkotuar parlamentin, pas konfliktit në seancën e 10 korrikut, mes deputetit demokrat, Gent Strazimiri dhe deputetëve socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu. Ndërsa, në punimet e sotme të Kuvendit, parashikohet diskutimi i një sërë pr/ligjesh me natyrë ekonomike, sociale, por dhe atyre në fushën e sigurisë, ndërkohë që për nga rëndësia kryefjala e seancës së fundit të këtij sesioni është drafti i reformës territoriale, i cili gjithashtu kërkon 84 vota. Dhe për këtë arsye, gjatë këtyre ditëve krerët e PS-së, Edi rama dhe Gramoz Ruçi, kanë zhvilluar një sërë takimesh intensive me deputetët që braktisën Kuvendin javën e kaluar Tom Doshi, Pjerin Ndreu, Armando Prenga dhe Parid Cara, në mënyrë që te mazhoranca e majtë të konfirmojë pikërisht në seancën e fundit shumicën e saj të cilësuar në Parlament, prej 85 deputetësh. Dhe vetëm dy ditë më parë, u arrit dakordësia mes socialistëve, dhe që do të konfirmohej nga vetë grupi i deputetëve të pakënaqur jo vetëm me ndarjen territoriale, por edhe me performancën e ministrave të qeverisë “Rama” gjatë këtyre 300 ditëve të para.

Draftet më të rëndësishme

– Projektligji për miratimin e strategjisë së sigurisë kombëtare.

– Projektligji për sigurimet shoqërore

– Projektligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik

– kontrata  me shoqërinë “Eurocopter” për blerje helikopterësh

– Planifikimi dhe zhvillimi i territorit

– Policia e Shtetit

– Marrëveshja për zgjidhjen e kontratës me Shoqërinë CEZ, a.s.

– Ndarja administrativo-territoriale

– Struktura e re e ILDKPKI-së

– Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë

– Kodi i Procedurës Penale

– Projektligji për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative.

– Projektligji për organizimin dhe funksionimin e KLD-së

– Projektligji për dhënie amnistie

– Kodi Doganor

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button