Opinion

Ky tip, Reshat Arbana!

Ylli-Polovina-249x300Kur shoqëritë dhe popujt kalojnë momente vendimtare, energjia kryesore e ndryshimit për të përparuar krijohet te njerëzit e thjeshtë, tek ata që rrinë jashtë ambicies për të grumbulluar dhe ushtruar pushtet politik. Painteresi i ndihmon ata të jenë në raport zemërhapët me atdheun, pa asnjë hile për t’i marrë. Oh, si rrëmbehet sot (si dje) një post partiak apo edhe më tej, një karrige me veturë, duke klithur shesheve dhe gazetave për shqiptarinë!

Një bashkëkombës, ky tip që nuk i merr, por i jep mëmëdheut, është aktori dramatik, Reshat Arbana.

Njihet nga të gjithë për deklamimin e vargjeve të autorëve tanë. Zëri i tij është si gjëmim mali, ngrihet si furtunë, bie si daulle kushtrimi, herë pas here vjen si për të derdhur lot, tingull i hollë violine.

Mes aktorëve, në mjeshtëri interpretimi edhe më të talentuar se Reshat Arbana, ky zotëron një dhunti mbi të gjithë të tjerët, e cila është kaq të dobishme për kohën që kalojmë (dhe për çdo kohë): ai ka një forcë shpirtërore të pashtershme dhe zë si prej gjeniu të lindur, për të recituar poezi dhe poema epike. Madje më tepër se kaq: që kanë temë sociale, të përditësisë.

Pikërisht kjo na shtrëngon ta dëgjojmë në heshtje, pa i thënë kurrë se këtë herë ndiheshim aq fort të befasuar prej tij, aq tepër të mahnitur, aq shumë të vënë në mendime

Në 2 korrik e gjetëm në gjendje “vlimi”, çfarë ofronte një mundësi të shkëlqyer për të mos u munduar ta kryenim depërtimin në shpirtin e tij me ngacmime pyetjesh. Vullkani Reshat Arbana ato çaste rridhte vetvetiu.

Cila rrethanë e kishte bërë të përndizej ashtu dhe të deklamonte në intimitet, vetëm me përballë dy miq, vargje të Ali Asllanit kundër shpërdoruesve të prestigjit kombëtar, kundër hajdutëve, batakçinjve, servilëve, mashtruesve politikë, dhunuesve të lirisë, hipokritëve? Dukej fillimisht se vërshimi i natyrshëm i vargjeve, ndërsa kaloi te  Millosh Gjergj Nikolla, kishte ndodhur sepse qe vrarë bankieri Santo. Mes gulçimit të vargjeve Reshat Arbana e përmend këtë ngjarje, por nuk bën asnjë përpjekje ta komentojë. E shpjegon më shumë me vargjet e Asllanit dhe të Migjenit.

Pa e dëgjuar nga goja e tij, e kuptojmë se zgjimin e aq shumë vargjeve kundër vesit moral Arbanës ia ka vënë në lëvizje kjo vrasje. Santos iu mor jeta në mes të Shqipërisë, në kryeqytet. Në mes të Tiranës, në Bllok. Në të vërtetë jo në zemrën politike të regjimit të dikurshëm, të mbyllur, por të atij të tanishëm, të hapët, në atë lagje e cila në qytetet e mëdha të botës quhet “bancar city”.

Vetëm disa dhjetëra metra larg Parlamentit, Kryeministrisë, Presidencës. Pra edhe në zemër të Shtetit.

Ndërsa ministri i Brendshëm thotë se kjo u bë për zhurmë. Ajo vrasje bankieri të fuqishëm, për të shkaktuar zhurmë do të mjaftonte, kudo që të kryhej, edhe në qoshen më të padukshme të vendit. Pastaj ministrit, të cilit lufta e brendshme politike, siç për fat të keq e bëjmë ne edhe kur jemi në opozitë, i ka dhënë më shumë barrë se në një vend normal, pohon që hetimet do të jenë të vështira. Thua kjo duhet të jetë gjuha e një ministri të Brendshëm, të cilit vota popullore dhe Kryeministri i vet i ka besuar ruajtjen e rendit publik? Dhe ky mision, duke mos qenë patjetër detyrim për të parandaluar çdo vrasje, sidomos kur janë tinëzare dhe të vendosura vetëm në çastet e fundit, siç qe kjo e Santos, të paktën lyp domosdoshmërisht zbulimin e shpejtë të zinxhirit të vrasësve, duke nisur nga shtirësit me armë.

Nga mosdalja në krye e kësaj jo një ministër, por bie një qeveri e tërë. Madje edhe kur kjo nuk ndodh me mënyrat normale parlamentare, por frenohet me ndonjë truk, gjithsesi në konsensusin e popullit rrëzimi ka ngjarë. Punë tjetër kur del e “zonja e shtëpisë” me tabakanë e kutisë së votimit për të mbledhur rezultatin.

Për fat të keq kanë filluar të mendojnë se ajo vrasje duhet minimizuar. Veç nuk duhet të jetë ky interesi politik i kabinetit qeveritar dhe i çdo institucioni tjetër. Duhet e anasjella, sepse njerëzit i kuptojnë, pa ia thënë kush, që hetimi dhe zbulimi këtë herë janë punë të vështira. Urdhërdhënësit e vrasjes së bujshme janë krerë strategjikë. Ata e dinin që ato ditë sapo morëm lajmin e të drejtës për t’u regjistruar si shtet kandidat për në BE. Por edhe sikur rrethana të ngutshme thjesht kriminale ta kenë përcaktuar momentin e vrasjes, nuk qe e tillë mënyra si u bë, vendi që u zgjodh. Pas çdo arsyeje tjetër, qoftë edhe emergjence për të shpaguar ndonjë pastrim parash, ajo që ndodhi ishte për të gjunjëzuar Shqipërinë, shqiptarët, çdo shpresë të tyre.

Ky është, të paktën, efekti shpirtëror dhe psikologjik. Kjo nuk mund të fshihet e të bëjmë si struci.

Ja pse gjëmon vargje kundër hajdutëve, mashtruesve politikë, shpirtshiturve, demagogëve, Reshat Arbana.

Ai ka zgjedhur mënyrën e tij të reagimit, të kundërveprimit, të dhënies së shpresës, të përhapjes së virtytit moral. Shoqëritë e popujt mund të mbijetojnë vetëm në rast se në strukturën e identitetit të tyre e ruajnë dëshirën dhe e kanë aftësinë, e zotërojnë guximin për kritikë dhe protestë sociale, jo patjetër politike e ca më tepër vetëm partiake. Në tavolinën tonë, ku takimi u krye fare rastësisht, Reshat Arbana, vetëm një njeri, gjëmon vargje dhe ta ngre peshë zemrën si të jetë një demonstratë e madhe.

Sepse fëlliqësia morale, duhet thënë, pas rënies së diktaturës, nuk u pakësua aspak, siç qe edhe dëshira e madhe. Gjatë vetëmbrojtjes së shqiptarëve në vitet e pushtimit fashist, ku, duke luftuar me shpirt, mendje dhe me armë, populli i thjeshtë i përkushtoi të gjitha energjitë e veta për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë, ajo çfarë shkëlqeu sa u shporr armiku i jashtëm, u shpërdor dhe u errësua më pas, së brendshmi, për një gjysmëshekulli. Ves imoral atë kohë qe sundimi me anë të luftës së klasave, mbylljes së frikshme të kufijve, doktrinimit ideologjik të detyruar dhe varfërimit total, deri në ushqim me triska. Gjithçka tjetër, që ishte e mbarë, e humbi padrejtësisht vlerën, u mpak.

Pas nëntëdhjeta i ka sjellë Shqipërisë e tërë trojeve tona të mira shoqërore dhe materiale të dukshme, deri edhe mundësi për t’u bërë qytetar i botës, por ceni moral ka marrë tërsëllimë të madhe dhe galop. Ai nuk u pengua dot as në 1 dhe 2 korrik 1990, kur mijëra hynë në ambasadat e huaja, as në dhjetor, kur dhjetëra mijëra studentë e punëtorë u ngritën në këmbë për t’i dhënë fund atij gjymtimi social. Kjo nuk ngjau as në 1997, as në 2005, ndërsa është ende në provë 2013-ta.

Vesi i rëndë moral përbën tanimë një kërcënim të madh për çfarë është arritur në një shoqëri të hapët si e jona. Në thelb ai është mendësi dhe veprim kundëratdhe dhe antikomb.

Ndoshta për këtë arsye, që Reshat Arbana nuk e thotë, por lë ta nënkuptojë, ai e vazhdon deklamimin e vargjeve të poetit nacional, Gjergj Fishtës.

Sikur, thua me vete, Reshat Arbana të shkojë në Kuvend e në një seancë parlamentare, në prani live të kamerave të të gjitha televizioneve këtu e në Kosovë, kudo ka ndodhen shqiptarë, të recitojë Ali Asllanin, Migjenin, Gjergj Fishtën…

YLLI POLOVINA

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button