Ekonomia

La Tribune: Situata e re ekonomike shqiptare, mundësi për biznesin francez

la_tribune_logoE përditshmja ekonomike franceze “La Tribune” i kushtonte të martën  një shkrim situatës së re ekonomike shqiptare, me autor Alfred Mignot, i cili vëren se kjo situatë paraqitet tërheqëse për ndërmarrjet franceze dhe se për këtë qëllim Ubifrance, agjencia franceze për zhvillimin ndërkombëtar të ndërmarrjeve do t’i kushtojë një ditë prezantimit të kësaj ekonomie më 20 nëntor ne Paris, në praninë e shumë ministrave shqiptarë.

‘Me një normë rritjeje ekonomike prej  3 %, Shqipëria i nxjerr gjuhën krizës! Aq më mirë, pasi edhe falë statusit të saj si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo do të përfitojë si rrjedhojë, financime për të zhvilluar infrastrukturat më të rëndësishme të saj, si ato rrugore, hekurudhore, portuale, aeroportuale … dhe vepra të tjera të mëdha. Edhe pse vend i vogël, Shqipëria sheh larg. Nuk i mungojnë as tiparet tërheqëse për ndërmarrjet franceze. Ubifrance, agjencia franceze për zhvillimin ndërkombëtar te ndërmarrjeve  do t’i kushtojë një ditë prezantimi më 20 nëntor ne Paris, me praninë e shumë ministrave shqiptarë”, shkruan gazeta.

‘La Tribune” boton gjithashtu një këndvështrim të ambasadorit shqiptar në Paris, Dritan Tola, që vijon si më poshtë:

Raporti i para disa javëve i Bankës Botërore « Doing Business » mbi klimën e biznesit për vitin 2015 e rendiste Shqipërinë në vendin e 68-të në botë, me një ngjitje prej 40 vendesh në klasifikim, krahasuar me raportin e një viti më parë. Është fjala për një arritje historike, që pasqyron përpjekjet e mëdha të bëra nga Shqipëria, me shqetësimin e përhershëm për përmirësimin e klimës së biznesit.

Rimëkëmbja ekonomike shkon paralelisht me një njohje më të mirë në shkallë ndërkombëtare të progresit të arritur. 28 vendet i dhanë qershorin shkuar Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Hapja e bisedimeve do të pasojë së shpejti. Një zonë e lirë shkëmbimesh  është vendosur tani e tutje mes BE-së dhe Shqipërisë.

Shqipëria ka shënuar një rritje të shpejtë ekonomike gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Prodhimi i Brendshëm Bruto është më shumë se dyfishuar gjatë këtyre viteve. Investimet janë rritur me më shumë se  50% nga  2008 deri në 2013. Ndërkohë që Evropa zhytej në krizën e saj më të thellë financiare dhe ekonomike, shkaktuar nga kriza e kredive,  Shqipëria diti të ruante një rritje  ekonomike prej  më shumë se 3%, megjithë pothuajse kolapsin e dy partnerëve të saj ekonomikë tradicionalë, Greqinë dhe Italinë.

Investime të mëdha në infrastrukturë

Vendi është angazhuar në projekte të shumta të zhvillimit ekonomik, që prekin infrastrukturën, transportin, energjinë, bujqësinë dhe turizmin. Shqipëria  mundi të financonte gjatë krizës, pa asnjë subvencion nga jashtë, realizimin e autostradës më të madhe të vendit që lidh portin e saj më të madh  (Durrës) me Kosovën fqinje, me një kosto prej më shumë se një miliard euro. Ky aks rrugor shumë i rëndësishëm forcon dhe nxjerr më në pah  vlerat e pozicionit gjeografik strategjik të Shqipërisë, si një portë hyrëse në pjesën jugperëndimore të Ballkanit.

Një tjetër projekt i përmasave akoma më të mëdha është në rrugë e sipër: « Trans Adriatic Pipeline » (TAP), një gazsjellës prej afro 900 km, që do të transportojë gazin natyror të Detit Kaspik në Azberjaxhan drejt Italisë dhe tregut evropian, përmes Shqipërisë. Duke nisur që nga fillimi i vitit 2015, kantiere të mëdhenj do të hapen ë Shqipëri në kuadër të këtij projekti gjigant, që realizohet nga një konsorcium shumëkombësh i përbërë nga BP (20 %), SOCAR (20 %), Statoil (20 %), Fluxys (19 %), Enagás (16 %) dhe Axpo (5 %).

Projekte të tjera të infrastrukturës rrugore, hekurudhore  dhe aeroportuale janë në studim e sipër, që janë vepra të mëdha që do të lidhin vendin me fqinjët e tij ballanikë dhe më gjerë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama  sapo ka kryer një vizitë në Beograd, e para e një kryetari qeverie që prej 68 vjetësh, për të përmendur ndër të tjera, ndërtimin e një linje hekurudhore ndërkombëtare, që do të lidhë Serbinë me Shqipërinë dhe për të cilën Komisioni evropian mund të financojë deri në një miliardë euro, në kuadrin e fondit të para anëtarësimit, nga i cili përfitojnë të dy vendet. Shqipëria mendon gjithashtu t’i ofrojë kryeqytetit të saj, Tiranës, tramvajin e tij të parë,  dhe për këtë ka realizuar një studim fizibiliteti, në saj veçanërisht të një financimi nga Franca.

Në fushën e energjisë, ambiciet janë po ashtu të mëdha. Ato kanë të bëjnë me ndërtimin linjave të interkonjeksionit dhe ndërtimin e hidrocentraleve për të shfrytëzuar potencialin e madh të vendit në këtë drejtim. Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në Evropë për nga burimet hidrike, por nuk shfrytëzon veçse një pjesë të kësaj pasurie  për nevojat e saj për energji. Ekonomia shqiptare ka gjithashtu pasuri të rralla nëntokësore  (hekur, krom dhe bakër)  si dhe hidrokarbure.  Nxjerrja e naftës dhe e gazit rritet çdo vit, edhe në saj të mbërritjes së investimeve të huaja.

Bujqësia paraqet gjithashtu një potencial gjerësisht të pashfrytëzuar  dhe është kthyer në prioritetin kryesor të një vendi, që ka një klimë mesdhetare dhe një krahë punë shumë konkurrues. Trajtimi i mbetjeve urbane dhe i ujërave të zeza, si dhe furnizimi pa probleme i popullatës me ujë dhe energji, që paraqesin mungesa në të gjithë vendin, përbëjnë gjithashtu projekte strategjike imediate. Po ashtu,  turizmi detar dhe ai malor që i ofrojnë Shqipërisë mundësi të mëdha zhvillimi për sa i përket rritjes ekonomike. Këto projekte, për nga përmasat e tyre, kërkojnë një partneritet të përforcuar me ndërmarrje evropiane e natyrisht edhe me ndërmarrje franceze.

Shqipëria, një treg dhe vend që ofron garanci reale për investitorët

Tregu shqiptar në pamje të parë duket modest (me një popullsi prej 3 milionë banorësh), por ai duhet parë në shtrirjen e tij gjuhësore dhe kulturore. Në rajon jetojnë rreth 7 milionë shqipfolës. Për më tepër, nisur nga pozicioni i saj gjeografik  buzë detit Adriatik, përballë Italisë, Shqipëria mund të kthehet fare mirë në një trampolinë të tregtisë rajonale,  në sajë veçanërisht edhe të portit të saj të Durrësit. Me heqjen e pengesave doganore, ekonomitë e rajonit jug-perëndimor të Ballkanit do të bëhen gjithmonë e më të ndërvarura.

Në të kundërt të ideve të krijuara, Shqipëria  është një vend absolutisht i sigurt. Ajo ka akse rrugore të mira, edhe pse sistemi i rrugëve dytësore mbetet për t’u përmirësuar. Shqiptarët e kanë  të shenjtë ndjenjën e mikpritjes ndaj të huajve. Popullsia është e re  dhe flet gjuhë të huaja. Anglishtja është gjuhë e biznesit, italishtja është shumë e përhapur dhe ndodh shpesh të gjesh bashkëbisedues që flasin frëngjisht, përfshi edhe në qeveri, ku një e treta është frëngjishtfolëse perfekte dhe me shkollim francez. Shqipëria është ndër të tjera vend anëtar i organizatës së Frankofonisë. Numri i të rinjve në kurset e gjuhës frënge  dhe numri i studentëve  që kanë zgjedhur frëngjishten është rritur me 30% në 2014. Shqipëria është vend laik,  ku fetë jetojnë në harmoni të plotë. Një shembull ky i përshëndetur nga papa Françesku, që sapo ka zhvilluar një vizitë zyrtare në vend, ku u prit me një entuziazëm të madh popullor. Në Shqipëri, afro një e treta e ndërmarrjeve të biznesit drejtohen nga gra.

Shqipëria ka marrë masa mbështetëse ndaj investimeve, duke synuar veçanërisht  reduktimin e kostove për investitorët. Këta të fundit përfitojnë nga lehtësira të ndryshme tarifore. Kështu vendosja e një investitorit të huaj mund të bëhet, me disa kushte, me qiranë simbolike  prej  një euro për metër katror. Norma e kontributeve të punëdhënësit as që ka të krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, duke ditur që « paga minimale» për orë në Shqipëri është më e ulët se një euro,  dhe paga mesatare mujore është nën 300 euro. Kompanitë tatohen me një përqindje maksimale prej 15 %, dhe janë të përjashtuara nga tatimet në zonat e lira.  Heqja e tarifës doganore me vendet e Bashkimit evropian i ofron Shqipërisë mundësi në rritje në sferën e prodhimeve fason, veçanërisht në prodhimin e veshjeve, këpucëve, që janë shumë të synuara nga industrialistë italianë.

Shqipëria dhe Franca kanë nënshkruar një konventë që shmang taksimin e dyfishtë në fushën e taksave mbi të ardhurat dhe pasurinë. Kjo konventë ka gjithashtu si qëllim të shoqërojë zhvillimin e shkëmbimeve ekonomike mes Francës dhe Shqipërisë.

Shoqëritë dhe bankat franceze janë të prezantuara shumë mirë në Shqipëri, në sektorë të tillë si  tregtia, minierat, tekstilet, financat, shërbimet aviacioni etj. Ato zhvillohen në një klimë që e vlerësojnë si miqësore dhe frankofile.  Dhoma e Tregtisë Francë-Shqipëri i ndihmon në përpjekjet e tyre.

Për ta mbyllur këtë përmbledhje të shkurtër mbi ekonominë e vendit tim, edhe një lajm tjetër i mirë: një fluturim direkt i parashikuar për në fund të tremujorit të parë 2015  do të lidhë dy kryeqytetet Tiranën dhe Parisin për  2 orë e gjysmë. Shkëmbimet dhe qarkullimi i biznesmenëve dhe turistëve do të ndiheshin shumë më të lehtësuara.

Pikërisht në këtë klimë, Ubifrance në bashkëpunim me ambasadën e Francës në Tiranë dhe autoritetet shqiptare organizojnë më 20 në Paris një  seminar « Dita shqiptare » me pjesëmarrjen e disa ministrave shqiptarë, veçanërisht ata të ngarkuar me infrastrukturën, transportin, energjinë, inovacionin dhe administratën publike.  Qeveria shqiptare, sipas shembullit të asaj franceze  është shumë “pro-biznesit” dhe u kushton një vëmendje të veçantë investitorëve të huaj.

Dritan Tola është ambasador i Shqipërisë në Francë që prej marsit 2013. Ai ka kryer studimet për letërsi dhe drejtësi. Përpara se të merrte detyrën në Paris, ai ka punuar pranë Bashkimit Evropian për çështjet politike, të demokratizimit dhe zhvillimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button