Lajm i mirë/ Pensionistëve kontributpagues do t’iu njihen diplomat edhe pas janarit 1991
Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshëm një nen të një udhëzimi administrativ që kërkonte nga pensionistët kontributpagues të dëshmonin nivelin e shkollimit para 1 janarit të vitit 1991 me qëllim që të përfitonin nga kriteri i kualifikimit.
Supremja tha se ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të një udhëzimi administrativ të miratuar më 2015, që rregullon kategorizimin e kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve. Sipas këtij neni, pensionistët duhej të dëshmonin kualifikimin e tyre arsimor – qoftë të mesëm, të lartë, universitar dhe pasuniversitar – të fituara para kësaj date.
“Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj. Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji përkatës për skemat pensionale nuk e lidhin të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore”, u tha në njoftimin e gjykatës.
Gjykata Supreme tha po ashtu se kufizimi i vendosur është “arbitrar” pa ndonjë “qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional”, duke argumentuar se përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontributpagues “që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor.
Supremja tha se neni i shfuqizuar është në kundërshtim me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Në Kosovë ka disa lloje pensionesh. Pensioni i moshës është 150 euro, ndërkaq pensioni kontributpagues sillet nga 218 deri në 318 euro në muaj, varësisht shkallës së arsimimit./REL
The post Lajm i mirë/ Pensionistëve kontributpagues do t’iu njihen diplomat edhe pas janarit 1991 appeared first on Sot News | Lajme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.