Sporti

Lajme sportive shkurt

Brazili

Parreira kundër trajnerëve të huaj

Parreira Felipao brasilIsh-koordinatori i ekipeve kombëtare të Brazilit, Karlos Alberto Parreira, ka paralajmëruar drejtuesit e Federatës Braziliane që të mos rrezikojnë duke emëruar një trajner të huaj në krye të kombëtares. “Skuadrat e mëdha kanë një trajner vendas. Nëse një i huaj emërohet, do të vuajë shumë. Për një të huaj është më e vështirë të implementojë idetë e tij. Nëse humb 3 nga 6 ndeshjet e para, njerëzit do ta kritikojnë dhe puna do të ketë shkuar dëm. Shihni Erikson apo Kapelon tek Anglia. I pari ishte një dështim, ndërsa i dyti një dështim edhe më i madh”, tha Parreira, i cili u largua nga puna dy ditë më parë, bashkë me trajnerin Skolari.
Argjentina

Refuzon Simeone, gati “Tata” Martino

Lionel Messi Gerardo MartinoArgjentina ka filluar kërkimin për një trajner të ri, pasi Alehandro Sabeja vështirë se do të rinovojë marrëveshjen ekzistuese. Por një nga kandidatët më popullorë, Diego Simeone, ka bërë të ditur se nuk ka në plan që ta drejtojë tani shpejt këtë përfaqësuese. “Është herët për mua, por jam i sigurt se një ditë mund të drejtoj Argjentinën”, ishin fjalët e tij. Pasardhësi i Sabejas me shumë mundësi do të jetë Gerardo Martino, i larguar nga Barcelona në fundin e sezonit të kaluar. Lajmi ka dalë nga Federata e Paraguait, e cila kishte kontaktuar me trajnerin, por ishte tërhequr pasi ai u kishte treguar për “akordin parimor” me Argjentinën.

Itali

Ish-trajneri i Milanit firmos për dy vite me kampionët

Juventusi zgjedh Alegrin,

por tifozët nuk janë dakord

Masimiliano Alegri do të jetë trajneri i Juventusit për dy sezonet e ardhshme. Pa kaluar 24 orë nga largimi i Antonio Kontes, drejtuesit e kampionëve të Italisë nuk kanë vonuar për të gjetur zëvendësuesin, me të cilin kanë firmosur një kontratë dyvjeçare, nga e cila ai do të përftojë 2 milionë euro në vit. Një vendim ky që ka acaruar tifozët bardhezinj, të cilët kujtojnë deklaratat e Alegrit për “vjedhje të titullit” gjatë periudhës kur drejtonte Milanin, gjë të cilën e kanë shprehur në rrjetet sociale, por edhe para zyrave të klubit. “E kuptoj skepticizmin e tifozëve, pasi në një ditë ka ndryshuar gjithçka. Por ata do të kenë mundësi të më njohin mirë, pasi jam gati të vazhdoj serinë e rezultateve pozitive. Juventusi ka dominuar në Itali, por në Ligën e Kampioneve duhet përmirësuar diçka. Pirlo? Do të isha budalla po të vija në diskutim cilësitë e tij. Ai është një kampion dhe kam një marrëdhënie shumë të mirë me të”, tha Alegri në konferencën e parë për shtyp si trajner i Juventusit.

Spanjë

Trajneri i Barcelonës premton lojë të bukur dhe rezultate

Enrike është i lumtur: Si të

mos jem me Mesi-Neimar-Suarez!

Luis Enrike pret me padurim ditën kur të ketë mundësinë të hedhë në fushën e lojës treshen Mesi-Neimar-Suarez. Për trajnerin spanjoll, çdo homolog i tij do ta ëndërronte një mundësi të tillë. “Në parim, trajnerët ose të paktën unë, duam sa më shumë lojtarë të mirë në ekip që të jetë e mundur. Ne jemi përforcuar, do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë dhe kjo është arsyeja pse jam i lumtur. Duhet ta keni parasysh se nuk janë vetëm këta të tre në sulm, kemi edhe Pedro, Deulofeu, Rafinja… Objektivi im është të kthehemi sa më shpejt në një ekip dhe për këtë kam nevojë për ndihmën e të gjithëve. Jam shumë i lumtur, sa më shumë lojtarë të mirë me të cilët firmosim, aq më mirë për mua”, ishin fjalët e teknikut, i cili ka bërë të qartë se “tiki-taka” nuk ishte modeli i vetëm i lojës që do të përdorte Barcelona. “Unë dua një ekip që të mahnitë, të jetë tërheqës kur luan, që të ketë mundësi të ndryshme teknike e taktike si brenda ashtu edhe jashtë fushës, të shënojë shumë e të mbrohet mirë. Këtë synojmë të gjithë”, tha ai.

Shkurt

Van Gal

Trajneri holandez do të prezantohet sot te Mançester Junajtid, për të filluar menjëherë punën me ekipin anglez. Van Gal mbërriti që dje në Mançester, por vendosi që në ditën e parë të takonte stafin ndihmës, me në krye Rajan Gigs, i cili në javën e fundit ka filluar punën me një pjesë të lojtarëve.

Filipe Luis

Mbrojtësi brazilian ka firmosur dje me skuadrën e Çelsit, e cila ka paguar 20 milionë paund për ta marrë nga Atletiko Madridi. “Kam preferuar të mos them asgjë më parë, pasi nuk desha të prishja imazhin e Atletikos”, tha lojtari brazilian.

Vidal

Mançester Junajtid vazhdon të interesohet për mesfushorin kilian të Juventusit. Sipas mediave angleze, oferta e radhës që i ka shkuar klubit bardhezi është prej 44 milionë eurosh.

Keilor Navas

Mediat spanjolle e cilësojnë të përfunduar transferimin e portierit Keilor Navas në radhët e Real Madridit, që ka paguar 10 milionë euro për kartonin e tij te Levante. Nuk dihet ende se cili mes Iker Kasijas dhe Diego Lopez do të largohet nga radhët e madrilenëve.

Iturbe

Duke përfituar nga situata e paqartë te Juventus, skuadra e Romës ka bërë një lëvizje të suksesshme në merkato, duke siguruar Huan Manuel Iturbe. Lojtari do të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me rrogë prej 1.6 milionë eurosh në sezon, ndërsa në arkat e Veronës përfundojnë 31 milionë euro.

Gëtce

Bajern Mynih i ka “vjedhur” Borusia Dortmundit vëllain e vogël të Mario Gëtce, potierin 16-vjeçar Feliks Gëtce, i cili i është bashkuar akademisë së bavarezëve me parametër zero.

Luis Suarez

Kompania e basteve spanjolle “Luckia” ka vendosur kuota mbi kafshimin e radhës të Luis Suarez në kampionatin spanjoll. Dy lojtarët më të mundshëm janë mbrojtësit e Real Madridit, Pepe dhe Serxhio Ramos, për të cilët është vendosur kuota 21, duke vijuar me Godin dhe Çabi Alonso (26), si dhe Koentrao, Gabi e Miranda (36). Ndërsa një kafshim ndaj Kristiano Ronaldos ka koeficientin 51.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button