LDK feston 26 vjetorin e themelimit
Lidhja Demoratike e Kosovës feston sot 26 vjetorin , e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.
“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte Presidenti Rugova në vitet e rënda ’90 të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.
“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.
Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër.
Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.
Formimi i LDK-së dhe disa partive të tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992.
LDK ishte pjesë dhe fituese edhe e zgjedhjeve të dyta të marsit të vitit 1998 në një kohë kur rezistenca paqësore e aktive po pasohej edhe me luftën për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës, të UÇK-së.
Pas luftës, në Kosovën e lirë nga qershori 1999, LDK ishte fituese në zgjedhjet e para dhe të dyta parlamentare, e në tre proceset tjera zgjedhore parlamentare doli parti e dytë.
Pas zgjedhjeve të pesta në liri, të dytave në pavarësi, të 8 Qershorit 2014, LDK në koalicion me partinë fituese, PDK-në, udhëheqë për herë të parë qeverinë e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, i cili është kryetari i tretë i partisë, ndërsa i dyti, pas Presidentit historik Ibrahim Rugova, ishte ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Në zgjedhjet parlamentare 2014 LDK fitoi 30 mandate deputetësh në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ka fituar në nëntë nga 38 komunat kosovare.
Manifestimi i festës së 26 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës zhvillohet sot në mesditë në Prishtinë. Para këtij manifestimi, kryetari i LDK-së, njëherësh dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa me anëtarët e Kryesisë së LDK-së, do të bëjnë homazhe te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova.