Ekonomia

Legalizimet, hyn në fuqi ligji i ri

aluizniiiii-foto Ligji i ri për legalizimin e 270 mijë ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin ka hyrë në fuqi. Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Legalizimeve (ALUIZNI), ky ligj zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje deri më 15 janar 2009, me funksione banimi, veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social kulturore dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar, përfshirë dhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer procedurën e vetëdeklarimit për legalizim, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj. Fusha e zbatimit të këtij ligji shtrihet edhe për ndërtimet pa leje, të ngritura pas datës 15.1.2009, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që ato të jenë të ngritura në truall në pronësi të personit posedues të ndërtimit pa leje, si dhe procedura e legalizimit të mos kërkojë kalimin e së drejtës së pronësi së mbi truallin.

Të gjitha pagesat për shërbimet (matjet në terren, përditësimi, lidhja e kontratave) janë falas. Penalitetet dhe kamatë vonesat për ndërtimin në proces legalizimi falen. Për familjet që kanë investuar dhe ndërtuar për banim në tokë në pronësi të tyre, legalizimi do të bëhet tërësisht falas. Vlera e truallit të zënë nga ndërtimi pa leje, është i vetmi detyrim financiar, për ata që kanë ndërtuar në tokë shtetërore apo të pronarëve. Personat që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik dhe që posedojnë ndërtim pa leje përfitojnë falas parcelën ndërtimore. Poseduesit e ndërtimeve pa leje që kanë në përbërje familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, përfitojnë 50% zbritje nga vlera e parcelës ndërtimore.
Përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës poseduesit e ndërtimeve pa leje që janë subjekte të ndihmës ekonomike.

Neni 17 i këtij ligji përcakton se kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m. Ndërkohë, pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe me bono privatizimi. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë.

Neni 20 që përcakton ndryshimet në nenin 39 për përjashtimin për legalizimet, thotë se ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtimet me leje që, në bazë të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, cenojnë veprat kryesore të infrastrukturës publike, akset rrugore kombëtare, territorin e institucioneve publike, integritetin e monumenteve të kulturës nuk legalizohen.
Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni i zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtimet me leje, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndryshimet ligjore parashikojnë gjetjen e një mekanizmi eficient dhe përshpejtues për sa i takon legalizimit të ndërtimit pa leje, që kërkon kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin nëpërmjet ndërhyrjes në skemën e konfigurimit dhe madhësisë së parcelës ndërtimore me qëllim evitimin e abuzivizmit në përcaktimin e sipërfaqes maksimale për efekt legalizimi: trajtimit të diferencuar për sa i përket vlerës dhe mënyrës së pagesës së parcelës ndërtimore, për kategori të ndryshme të ndërtimeve pa leje në varësi të funksionit të ndërtimit, çka lidhet me aftësinë shlyese, financiare të subjektit që e posedon atë: parashikimit të mënyrave alternative të pagesës siç është pagesa e pjesshme me bono privatizimi: nxitjes për shlyerjen e menjëhershme të detyrimit përmes reduktimit të vlerës si dhe përfshirjes në skema alternative të pagesës së parcelës ndërtimore, të subjekteve që janë në kushtet e paaftësisë paguese dhe posedojnë ndërtime pa leje me funksion banimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button