Leskaj drejt largimit nga KLSH, nuk kërkon një mandat të dytë
Mandati i kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj përfundon në fillim të dhjetorit, ndërkohë që Kuvendi po përgatit nisjen e procesit për zëvendësimin e tij.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe thotë për Top Channel, se vetë zoti Leskaj i është drejtuar me një letër Kuvendit ku njofton afatin për përfundimin e mandatit të tij, ndërkohë që ka nënvizuar se nuk kërkon një mandat të dytë.
“I është drejtuar Kuvendit me një letër të qartë, ku konfirmon që nuk do të vazhdojë me kërkesën për një mandat të dytë pavarësisht vullnetit të Presidentit apo institucioneve të tjera që kanë detyrimin kushtetues për të nominuar kandidatura të mundshme. Kuvendi i është drejtuar, ose do t’i drejtohet presidentit të Republikës me një letër për të patur në vëmendje pikërisht këtë gjë dhe nisjen e procedurave për të thirrur kandidatura të mundshme”, tha Braçe.
Por cili do të jetë profili i kryetarit të ardhshëm të KLSH? A do të negociohet me opozitën për emrin? Braçe thotë se do të zbatohen procedurat ligjore, propozim nga presidenti dhe miratim nga parlamenti.
“Në detyrën time si kryetar i Komisionit të Ekonomisë, por edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë kam detyrimin që të respektoj kriteret që ka vendosur ligji për kandidaturën e kryetarit të KLSH, në rast se më pyesni pastaj për një marrëveshje politike do të doja t’iu kujtoja që e drejta e propozimit është e Presidentit jo e Kuvendit, Kuvendi thjesht përzgjedh me votë midis kandidatëve që sjell Presidenti”, shprehet Erion Braçe.
Ajo që Braçe do të zbatojë në komisionin që drejton, që është edhe përgjegjës për shqyrtimin e kandidaturave do të jetë një proces vettingu.
“Ne kemi vendosur që kësaj radhe të aplikojmë standardin e vettingut për të gjithë kandidaturat që paraqiten në Kuvendin e Republikës së Shqipëri për detyrën e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, thotë Braçe.
Vjeshta do të jetë me emërime të tjera të rëndësishme në disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit. Gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u mbaron mandati. Bëhet fjalë për Elisabeta Gjonin, Petraq Milon, Dhori Kulen, Ela Golemin, Arben Malajn dhe Denada Priftin. Ndërkohë, tre kandidatura do të propozohen nga Qeveria dhe tre nga Kuvendi.