Lëvizjet nga Rinasi u tkurrën me 60 për qind në janar-qershor 2020
Në një vështrim të ecurisë muaj pas muaji që nga nisja e kufizimeve për shkak të shpërthimit të pandemisë muaji me më pak pasagjerë ishte prilli ku nga Rinasi janë nisur jashtë Shqipërie apo kanë hyrë në Shqipëri në total 4500 pasagjerë. Ky numër i referohet pjesës së riatdhesimeve të bëra nga qeveria për ata shtetas shqiptarë që kishin mbetur jashtë territorit për shkak të kufizimeve të menjëhershme. Edhe në maj që regjistrohet një total prej 7 mijë pasagjerësh janë kryesisht riatdhesimet e bëra në vijim të planit të nisur më herët. Qershori ka shënuar një total prej 28.5 mijë pasagjerësh teksa një vit më parë ky muaj regjistronte 312 mijë të tillë.
Pavarësisht lehtësimit të kufizimeve sa i takon lëvizjes mes disa shteteve Bashkimi Europian vijon të mbajë të mbyllur kufijtë për vendet si Shqiëpria ku numri i rasteve të të prekurve me koronavirus ka qenë në rritje ng dita në ditë një rritje kjo që erdhi menjëherë pas heqjes së plotë të masave kufizuese në fillim të qershorit. Fluturimet që kryhen nga Rinasi nuk kufizojnë vetëm pasagjerët që duan të udhëtojnë drejt vendeve ku janë rezidentë. Sa i takon të huajve që duan të udhëtojnë drejt Shqipërisë kjo nuk i kufizon por shumica e vendeve kërkojnë një karantinë 14 ditore pas kthimit. Kjo ka bërë që të ketë edhe stepje për të fluturuar drejt Shqipërisë një fakt që po mban peng sidomos sektorin e turizmit që priste të kishte vizitorë nga disa vende si ato nordike, Gjermania apo Cekia.