Liberalizimi i energjisë, OSSH do krijojë profile të standardizuar për klientët fundorë
Sipas rregullores Furnizuesi Universal/ Furnizuesi i Mundësisë së Fundit do të informojë të gjithë Klientët Fundore të saj, nëpërmjet një teksti të miratuar nga ERE dhe të përfshirë tek faturat e klientit edhe/ose me ane te medias, për të drejtën e tyre për të ndryshuar furnizimin e tyre me energji elektrike nga furnizues i shërbimit universal ose furnizues i mundësisë së fundit tek një furnizues alternativ.
Për ta pasur më të thjeshtë gjetjen e një furnizuesi tjetër klientit do t’i jepen të dhënat e nevojshme për energjinë e tij dhe profilin e ngarkesës.
OSSH do të krijojë profile të standardizuara të ngarkesës për të gjitha kategoritë e klientëve në rastin kur të dhënat e kërkuara të matjes për shlyerjen e disbalancës nuk janë në dispozicion nga sistemi i matjes i klientit. Për të shmangur dyshimet, nëse periudha e vendosur për disbalancat është çdo orë, profili i standardizuar i ngarkesës duhet të jetë të paktën në intervale një orëshe. Nëse profili i standardizuar i ngarkesës është i ndarë në segmente më të vogla se një orë, të dhënat duhet të vendosen në intervale një orëshe.
Profilet e ngarkesës do të krijohen në bazë të kategorisë së klientit dhe zonës administrative ku është vendosur ai.
Sipas ERE klientët të cilët i përkasin një kategorie kanë të njëjtat karakteristika dhe për shlyerjen e disbalancave, konsumi i tyre i energjisë elektrike standardizohet për një profil ngarkese të veçantë. Për disa kategori klientësh kriteri zonës mund të merret në konsideratë. “ Profili i Standardizuar i ngarkesës për çdo kategori klientësh do të vendoset nga OSSH për një periudhë prej të paktën një vit kalendarik. Profili i Standardizuar i ngarkesës për çdo kategori klientësh për çdo vit kalendarik do të publikohet të paktën tre muaj para fillimit të vitit tek faqja e OSSH. Para publikimit të profileve të standardizuara të ngarkesës, OSH do të konsultohet me pjesëmarrësit e tregut, ERE dhe palët e tjera të interesuara” thuhet në rregullore.
Kjo e fundit pritet që të hyjë në fuqi në vitin 2021 nëse do të respektohen të gjitha etapat e miratimit por edhe nëse reforma e tregut të energjisë dhe pjesa e liberalizmit do të ecin sipas parashikimeve.