Libri në Panair më i shtrenjtë se një vit më parë/ Petrit Ymeri: Janë rritur kostot e botimit
Në veçanti, është vlerësuar pjesëmarrja e më shumë se 10 shtëpive botuese nga Kosova, duke treguar një rritje të interesit edhe për letërsinë që vjen nga Kosova.
“Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij panairi është numri i madh i titujve të rinj që po prezantohen. Me mbi 1000 tituj të rinj, nga autorë shqiptarë dhe të huaj panairi na sjell më pranë botës së librave. Megjithatë, është vërejtur se, edhe pse jemi pak a shumë në të njëjtat statistika të titujve të rinj si një vit më parë, sivjet është vënë re ulje në tirazhe. Kjo sepse kostot e botimit janë rritur shumë, duke filluar, me rritjen e çmimit të letrës që është rritur gati dyfish, dhe me radhë të gjithë komponentët e botimit të librit janë rritur me nga 3%. Pasojë e rritjes së kostos është që libri këtë vit në Panair, vjen me një çmim pak më të lartë për lexuesit. Megjithatë ashtu si çdo vit shtëpitë botuese për Panair aplikojnë ulje të çmimit të librit nga 20-30%, me qëllimin që libri të jetë i arritshëm për të gjitha kategoritë sociale”- tha ekskluzivisht për Top Channel, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.
“Një zhvillim i rëndësishëm që do të ndodhë në ditët e Panairit është organizimi i një aktiviteti ku do të flitet për rritjen e përkthimeve në letërsinë për fëmijë. Ndërsa tradita e përkthimit të librave për të rritur është e njohur tashmë, vitet e fundit kemi filluar të përkthejmë gjithnjë e më shumë libra për fëmijë. Letërsia jonë për fëmijë ka nivele mesatare dhe botimet për fëmijë duhet të shërbejnë si një nxitje për autorët e rinj që të shkruajnë për këtë kategori të lexuesve.”, tha Ymeri për Top Channel.
Një sfidë tjetër me të cilën përballet libri është dhe konkurrenca e madhe në treg. Autorët e huaj kanë një prani të fortë dhe kjo bën që autorët vendas të kenë vështirësi për të arritur një audiencë të gjerë. Për të përballuar këtë sfidë, organizatorët e panairit po investojnë në promovimin e autorëve vendas dhe në organizimin e aktiviteteve të ndryshme për tërheqjen e lexuesve.
Ashtu si dhe vitet e tjera Panairit 2023 do të shpallë edhe më të mirët e Panairit në kategoritë: “Shkrimtari më i mirë”, “Përkthyesi më i mirë”, “Libri më i mirë studimor” dhe “Libri më i mirë i letërsisë për fëmijë”.
Për herë të parë Kryetari i Shoqatës së Botuesve zbulon jurinë e përzgjedhur që do të shpallë në ditët e fundit të Panairit fituesit. Ata janë: Arta Marku, gazetare dhe kritike e letërsisë (kryetare) dhe anëtarë, Monika Stafa, autore dhe gazetare e Top Channel, Enkel Demi, gazetar dhe shkrimtar, Aristotel Spiro, studiues dhe Erion Kristo, përkthyes.
Leximi është një aktivitet që nxit zhvillimin intelektual dhe emocional të njeriut, ndaj ndaloni këto ditë në Panairin e librit. Le të krijojmë një kulturë të leximit dhe të promovimit të librit si një pasuri e çmuar që na nxit të mendohemi, të ëndërrojmë dhe të krijojmë.