Opinion

Ligjërimi i të marrëve

Nga Ilir Yzeiri

Mishel Fuko në ligjëratën e tij “Rendi i ligjërimit”, thoshte se ne jemi të mbështjellë nga ligjërimi, nga fjalët, nga tingujt ashtu siç jemi të mbështjellë nga ajri, nga vështrimet e të tjerëve, nga mijëra tinguj e valë që nuk i shohim. Ai shtyhej më tej dhe thoshte se për ne, njerëzit e vdekshëm është e vështirë të dimë se cili e filloi i pari bisedën, cili e ndërtoi i pari ligjërimin. Më tej, duke ecur nëpër kohë, ai dalloi disa lloje ligjërimesh dhe ndërtoi edhe një hierarki të tyre. Por ajo që i tërhoqi vëmendjen atij ishte ligjërimi i të marrëve. Në fakt, ligjërimi i tyre është vërtet një mundësi për të studiuar forma të çuditshme të shfaqjes së gjuhës ashtu siç mund të jetë ky ligjërim një udhë për të shkuar te deformimi që ka pësuar bartësi fatkeq i këtij ligjërimi. Atij i bënte përshtypje se parimi i përjashtimit që përdoret në ligjërim e prekte drejtpërdrejt këtë kategori.

Mirëpo kufiri mes ligjërimit të një të marri që është viktimë e një devijimi vetjak psikologjik dhe ligjërimit të marrë të një njeriu që ne e çmojmë për normal, është i padallueshëm. Një i marrë që ka pësuar një devijim vetjak të ndërtimit psikik është një përjashtim nga bota jonë e njerëzve të frustruar nga rregulli, nga frika dhe nga përgjegjësia e disiplinës. Shoqëritë tona janë shoqëri të ligjërimit, të cilat e ndërtojnë atë, veç të tjerash, edhe me parimin e përjashtimit, të përzgjedhjes dhe të shfaqjes. P.sh., në Mesjetë temat e seksualitetit ishin të përjashtuara nga ligjërimi. Por le të mbetemi te ligjërim i të marrëve.

Shoqëritë njerëzore e kanë përjashtuar këtë ligjërim nga ligjërimi shoqëror dhe kanë pranuar në fakt ligjërimet e ndërtuara mbi disiplina edhe filozofike që kanë shkaktuar luftëra. Nëse do të shohim sot ligjërimin e Hitlerit fjala vjen, ai është i ndërtuar mbi përzgjedhjen, që do të thotë se ligjërimi i tij është i pranueshëm nga shoqëria dhe arrin ta bindë atë. Ata miliona gjermanë që rrëmbyen armët dhe u rreshtuan në ushtrinë naziste u frymëzuan nga ligjërimi i liderit të tyre, i cili nuk ishte i marrë. Të marrët e Gjermanisë së asaj kohe ne nuk i njohim, sepse ligjërimi i tyre ishte i përjashtuar nga ligjërimi shoqëror gjerman. Dilema është kjo, cilët janë të marrët e vërtetë, ata që shkaktojnë masakra njerëzore apo ata që ne i kemi përjashtuar nga ligjërimi ynë shoqëror dhe që i kemi shpallur të marrë? Nëse do të ktheheshim në realitetin tonë, pra në ligjërimin e shoqërisë shqiptare, sidomos në këta njëqind e ca vjet, e kemi të vështirë të ndajmë ligjërimin e të marrëve, nga të marrët e vërtetë. Por po aq e vështirë është ta bësh këtë diferencim edhe në ligjërimin njerëzor në përgjithësi.

Nga pikëpamja filozofike, shoqëritë njerëzore duket se përsëritin në forma më të holla dy ligjërime bazë ose dy tekste bazë, që janë librat e shenjtë të kristianëve e të myslimanëve apo të budistëve. Nuk është rasti për të bërë shumë filozofi as këtu, por nëse vështron atë që ndodh sot në botë, do të bindesh se ashtu siç thonë filozofët, arsyet e jetës dhe të vdekjes kërkohen në përsëritjen e këtyre teksteve ose duke gjetur arsyen e vdekjes ose të jetës në të shumtën e herës këtu. Por le të kthehemi në realitetin tonë. Nëse e vështron me sy të ftohtë historinë e ligjërimit tonë në këta njëqind e ca vjet shtet, e ke të vështirë të ndash marrëzinë nga të marrët. Por një gjë është e sigurt, ky rezultat në të cilin jemi projektuar e manifeston më së miri këtë që sapo thashë. Ligjërimi shoqëror nuk është vetëm mbështjellja me fjalë që vuajmë të gjithë.

Ligjërimi shoqëror është ai që përcakton dhe që ndërton botën që ne shohim dhe atë që ne kemi brenda nesh. Jashtë nesh kemi një vend kaotik që megjithëse është i vendosur mbi një zonë të bukur të globit, është i mbushur me banesa e njerëz që nuk kanë një identitet të qartë. Rrugët, banesat, makinat, kishat xhamitë nuk kanë rrjedhën e një ligjërimi të qartë e të bukur, po paraqitin klithmat dhe ulërimat e një komuniteti që bën me tokën çfarë të dojë vetë. Sa herë që ndërrohen pushtetet në këtë vend, gjithçka ndërron edhe pamje. Komunizmi rrafshoi të gjithë të shkuarën dhe e përzgjodhi atë që ndërtoi sipas ligjërimit që imponoi mbi këtë vend. Postkomunizmi eliminoi komunizmin dhe sot askush nuk e kupton se çfarë historie ka ky vend. Pra, nga një pikëpamje, duket se një palë të marrë janë zëvendësuar me një palë tjetër të marrësh. Për ta përmbyllur përsëri me Fukonë, do të shtoja se shoqëritë moderne e kanë zgjeruar ligjërimin duke përfshirë në shkëmbimet njerëzore jo vetëm filozofinë, religjionin, por edhe tema të vështira, si atë të gjinisë njerëzore fjala vjen dhe në shoqëritë njerëzore moderne askush nuk ndihet i përjashtuar. Në shoqëritë si e jona që kanë vuajtur shumë nga të marrët e zgjedhur dhe të duartrokitur me hir e me pahir, përgjithësisht populli është i përjashtuar nga ligjërimi. Ai vuan pasojat e kësaj ndotjeje të rëndë që vjen nga ligjërimi që ndërtohet mbi luftën dhe asgjësimin dhe që e projekton shoqërinë si një ushtri, e cila është e gatshme të luftojë në mënyrë që të marrët të ndërrohen periodikisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button