Ligji i dosjeve, Nishani: Nuk siguron transparencë të plotë
Kreu i shtetit Bujar Nishani është takuar me një delegacion të deputetëve të Bundestagut gjerman. Në përbërje të këtij delegacioni është edhe Komisioneri Federal gjerman për administrimin e dosjeve të Shërbimit Sekret Shtetëror të ish-Gjermanisë Lindore, Stasi-t, zoti Roland Jahn.
Presidenti Nishani shprehu rezervat e tij për ligjin për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të shtetit. “Miratimi i këtij ligji është një hap pozitiv, por minimal dhe i pamjaftueshëm, pasi nuk siguron një transparencë të plotë të mekanizmit të kontrollit të diktaturës dhe lë hapësirë për keqpërdorim të një pjese të informacionit. Shoqëria shqiptare duhet të çlirohet nga ai mekanizëm kontrolli dhe ata që e udhëhoqën dhe drejtuan atë mekanizëm nuk mund të jenë sot drejtues të reformave. Qytetarëve shqiptarë nuk mund t’u themi se lustracioni është i panevojshëm dhe nga ana tjetër t’u flasim për dekomunistizimin e shoqërisë”, tha z. Nishani.
Ndërsa deputeti gjerman Johannes Selle tha se e rëndësishme është që ligji të ketë konsensus të gjeë shoqëror. Sipas tij, ligji i miratuar në Gjermani në vitin 1991 është amenduar deri tani tetë herë për të siguruar një mbështetje të shoqërisë gjermane. Ndërsa Komisioneri Federal gjerman Jahn e konsideroi ligjin shqiptar si një hap të parë, por nëse nuk vë në qendër të vëmendjes viktimat, zbatimi i tij do të ishte i pasuksesshëm.
Në qendër të bisedimeve ka qenë dhe rruga e Shqipërisë drejt integrimit, dhe mbështetja e shtetit gjerman.