Lojërat e fatit, NJMLF: Në 6 javë, 78 masa administrative
Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, pranë Ministrisë së Financave, ka vijuar të ushtrojë kontroll ligjor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë lidhur me evazionin fiskal dhe informalitetin në këtë sektor, zhvillimin e palejuar të lojërave të fatit, mospagimin e taksave e tatimeve, etj.
Në njoftimin për shtyp thuhet se “gjatë periudhës Tetor 2013 – Maj 2015, NJMLF ka bashkëpunuar me institucionet shtetërore dhe të drejtësisë, duke i asistuar me informacionin e kërkuar në lidhje me veprat penale të si “Fshehja e të Ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, vepra penale në lidhje me lojërat e fatit si “Zhvillimi i palejuar i lojërave të fatit”. Në këtë kuadër, NJMLF ka bashkëpunuar me Drejtoritë e Policisë së rretheve të ndryshme të Shqipërisë në mbi 365 procedime penale të hapura prej tyre, me prokuroritë e rretheve të ndryshme të Shqipërisë në 818 raste procedimesh penale, me organet tatimore në 47 raste procedimesh administrative të iniciuar prej tyre, etj”.
Gjithashtu, në luftën kundër evazionit fiskal dhe ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe sipas kërkesave të paraqitura nga prokuroritë e të gjitha rretheve të Shqipërisë dhe Drejtorive të Policisë janë kryer nga Drejtoria e Certifikimit në total 637 ekspertime teknike për makinat e lojërat e fatit, të konfiskuara nga këto organe, nëpërmjet të cilave evidentohet me fakte përdorimi i makinave elektronike të lojërave të fatit nga personat /subjektet në procedim penal për veprën penale të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Në vijim të kësaj punë të intensifikuar vetëm në 6 javët e fundit (për periudhën Prill – Maj 2015) janë identifikuar 362 adresa sekondare lojëra fati të kontrolluara në 17 qytete; 87 adresa sekondare, ku janë konstatuar shkelje; janë marrë 78 masa administrative me konfiskim, 9 masa administrative me gjobe në vlerën 45 000 USD, janë konfiskuar 157 pajisje lojërash fati, nga të cilat 75 automatë elektronikë, janë firmosur 5 urdhra për vendosje barre siguruese për 7 automjete në pronësi të 5 subjekteve debitore ndaj NJMLF.
Njësia eMbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka dërguar informacion për konsumim të veprave penale lidhur me lojërat e fatit për 19 persona.
Duke ndjekur në proces të gjitha detyrimet që ligji aktual i ngarkon kësaj njësie, në pritje të miratimit edhe të ligjit të ri për lojërat e fatit dhe kazinotë, NjMLF po synon disiplinimin e plotë të këtij tregu dhe minimizimin e evazionit dhe të shmangieve tatimore.
Sipas të dhënave tashmë publike, për periudhën deri në fund të muajit prill 2015, janë kontrolluar 6 500 pika sekondare lojëra fati; janë konstatuar 1 709 shkelje ligjore në fushën e lojërave të fatit; janë marrë 144 masa administrative me gjobë ndaj subjekteve të lojërave të fatit në vlerën e 720 000 USD.
Gjatë së njëjtës periudhë, më shumë se 1 500 aktivitete lojëra fati të paligjshme janë bllokuar dhe konfiskuar, ndërsa 1 149 automate elektronike janë konfiskuar.
Nga NJMLF, aktualisht, ndaj 9 subjekteve të licencuara, është marrë masa administrative “pezullim aktiviteti”, ndërsa masa administrative “bllokim i llogarive bankare” është marrë ndaj 35 subjekteve të licencuara. Po kështu, u është hequr licenca 20 subjekteve të licencuara.
Në vijim të kontrolleve specifike dhe zbatimit të masave të aplikuara janë zhbllokuar në favor të shtetit fondet e ngurtësuara të garancisë ndaj 15 subjekteve në vlerën 650 000 USD., të cilët kanë rezultuar debitorë ndaj NjMLF dhe DPT.