LSI, ankesa për Vorën mbërrin në KQZ. Të mërkurën shqyrtimi
Ashtu siç pritej, LSI ka ankimuar pranë KQZ rezultatin për Bashkinë e Vorës. Partia e drejtuar nga Ilir Meta kërkon pavlefshmërinë e rezultatit në këtë bashki, ku fitues u shpall kandidati demokrat Fiqiri Ismaili, me 258 vota më shumë se rivali i LSI-së në garë.
Në këtë kërkesë thuhet se, LSI nuk njeh rezultatin e ngushtë për shkak të rreth 600 personave që sipas saj janë regjistruar si zgjedhës prej 2013-s deri në prag të zgjedhjeve të 2015-s.
Shqyrtimi i kërkesës së relatuar në këtë mbledhje pritet të bëhet ditën e mërkurë dhe është me interes të shihet si do t’i jepet zgjidhje kësaj kërkese nga trupa e institucionit më të lartë zgjedhor.
Kjo, për shkak se çështja e votuesve të Vorës, sikundër Durrësi dhe Kavaja, është duke u hetuar nga prokuroria. Kërkesa e LSI për Vorën spikat në rreth 80 kërkesa ankimore që kanë mbërritur në KQZ.