LSI prezanton kandidatët për Këshillin Bashkiak të Fierit
Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes deputetëve Petrit Vasili dhe Robert Bitri, prezantoi të martën në Fier kandidatët e saj për këshillin bashkiak të qytetit. Në fjalën e tij, Vasili vlerësoi kandidatin e koalicionit të majtë për këtë bashki, Armando Subashi, i cili tha ai, do të garantojë më shumë punësim dhe shërbime.
“Ne sot shkojmë në çdo komunë të Fierit dhe flasim vetëm për më shumë shërbime dhe më shumë punësim. Këto do të jenë dhe motoja jonë”, premtoi Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI-së.
Në vijim të fjalës së tij, ai shprehu bindjen se pjesëmarrja e rinisë së LSI-së në listat për këshilltarë të Bashkisë Fier është një potencial më shumë në këto zgjedhje, pasi forca e saj, shtoi ai, ‘nuk lë as drejtuesit dhe pushtetin të myket’.
Ndërkohë, deputeti i LSI-së për qarkun e Fierit, Robert Bitri, u shpreh se koalicioni i majtë i ka të gjitha potencialet për ta zhvilluar Bashkinë e Fierit në shërbim të qytetarëve për më shumë shërbime dhe punësim.
Fjalën në takim e mori dhe kandidati i majtë për Bashkinë Fier, Armando Subashi, i cili deklaroi se me ndarjen e re territoriale kjo bashki do të japë më shumë shërbime për qytetarët dhe se dera e saj do të jetë gjithmonë e hapur.