Arte

Lufta 50-vjeçare ndaj fesë në tablo

Persekutimi i fesë në tablotë e Pjerinë Sheldijës/ Në Kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, e cila është kthyer në një galeri arti

Me duart e këmbët e lidhura, At Anton Harapi i veshur me fratin katolik vështron hapësirën bosh të burgut. Më 1946 ai do të pushkatohej nga regjimi komunist bashkë me disa klerikë të tjerë.

Lufta ndaj klerit katolik kishte nisur në Shqipëri që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe hyrjes së komunizmit në vend. “A e dini se çdo ndërtese i vihen themelet n’dhe? Edhe pse në varr, ne hijshëm duhet të jemi gurt e themelit të njasajë binaje të cilën sot e quajmë Shqypni”, do të shprehej At Anton Harapi, para pushkatimit. Pjerin Sheldija piktori i njohur shkodran e ka imagjinuar si në këtë tablo me flokët e pushpurisur At Harapin pak ditë para vdekjes. Një nga persekutimet më të mëdha në historinë e Shqipërisë komuniste është dhe lufta ndaj fesë së çdo besimi. Xhami e Kisha u shkatërruan, ndërsa njerëzit që merreshin me fenë përfunduan në burgje, pushkatime apo internime. Çdo gjurmë e besimeve fetare për gati gjysmëshekulli u përpoq të zhdukej në këtë vend. Temat fetare ishin të ndaluara dhe në art, letërsi, pikturë, apo kinematografi. Çdo fe ka historinë e saj në Shqipërinë e asaj periudhe po aq tragjike sa tjetra. Në Kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, sapo besimtarët hapin derën për t’u futur brenda ndeshen me tablotë e mëdha në çdo cep të murit. Bashkë me paqen që vjen natyrshëm brenda teje, sapo shkel në një godinë fetare, në këtë kishë njihesh dhe me historinë. Tablotë, pjesa më e madhe e kompozuar nga Pjerin Sheldija nuk janë tablo të zakonshme fetare. Ato mbartin brenda gjithë kalvarin e gjatë dhe dramatik që e ka shoqëruar besimin në Shqipëri. Historia tragjike ndaj klerit katolik nuk është vetëm në dorëshkrimet apo ditarët e pabotuar të françeskanëve, por edhe në këto tablo, që janë ngritur mbi dhembjen. I veshur me fratin e kuq, me sytë nga qielli, Krishti qëndron i kryqëzuar në një pemë. Sipër tij fle një engjëll, ndërsa poshtë dy partizanë me kapota dhe kapele me yll, me pushkë në dorë e ruajnë. Ky është subjekti i tablosë “Kryqëzimi i shekullit XX” (1992) që gjendet në muret e Kishës së Shën Françeskut. Për herë të parë kjo tablo u paraqit në ekspozitën e Lidhjes së Artistëve të Shkodrës në Galerinë e artëve të qytetit në nëntor të vitit 1992. Pas kësaj ekspozite piktori ia dhuroi Kuvendit Françeskan. Ishte kjo tablo që do ta bënte Sheldinë t’u përkushtohej tablove me tema fetare. Ai është i pari piktor në Shqipëri që trajtoi temën e persekutimit të klerit katolik shqiptar. Dy punë të tij janë dhuruar Papa Gjon Palit II, si dhe të tjera në koleksione private në Vatikan, Milano, Magliano, Corsoli etj. Në Kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht përmes tablove të Sheldijës, tregohet historia e motër Marie Tucit. Ajo u arrestua në Ndërfushaz më 10 gusht 1949 dhe provoi tortura nga më çnjerëzoret. Hetuesit komunistë u munduan me të gjitha mënyrat e torturave, por vajza rezistoi heroikisht. Pastaj e përdhunuan në mënyrë barbare, sipas deklaratave të shoqeve të saj të burgosura me të. “Të gjitha torturat e mundura u ushtruan mbi trupin tim”, sipas një letre që nuk arritën ta nxirrnin jashtë nga burgu; ndër të tjera e futën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace! Vdiq në spitalin e burgut në Shkodër, më 24 shtator 1950. Në muralen e realizuar nga Sheldija ajo shfaqet në burg e prangosur, dhe një mace e zezë kërcënuese duket sikur sapo ka dalë nga thesi i zi. “Dom Mark Gjanit, tue e torturue, i kërkuen ta mohonte Krishtin. U arrestua në vitin 1947 në Kalivare, vdiq në Shën Pal të Mirditës, pas torturave çnjerëzore, në vitin 1947. Kur e torturonin, kërkonin prej tij të mallkonte Jezu Krishtin dhe ai përgjigjej duke bërtitur: “Rroftë Jezu Krishti!”, e kjo për disa ditë rresht, derisa vdiq ndër këto tortura shtazarake. Këto fjalë të Dom Mark Xhanit janë treguar me lot në sy, nga një person që quhej Nikollë Perndoj nga Kthella e Oroshit, që kishte qenë në të njëjtën qeli me të. Trupi i tij u hodh në një kanal. Historia e tij gjendet në tablonë “Rrnoftë Krishti Mbret!(1993), ku pavarësisht torturave frati mban sytë nga qielli”.  “Shpifja e madhe” është një tjetër tablo e Sheldisë realizuar më 1996. Engjëj që përpiqen t’i ndalin komunistët në zjarrin që duan t’i vënë fesë. Duket sikur Sheldija ka hyrë në mendjen e secilit protagonist në këtë vepër. Fretër që mbajnë armë në duar. “Gjetja e armëve” në kishë ishte një tjetër propagandë për të justifikuar në popull masakrën ndaj dhjetëra klerikëve. Atë Mati Prenushi dhe gardiani i fretërve në Shkodër, At Çiprian Nikën, u akuzuan me shpifje se kishin futur armë në Alterin e kishës së Shënandout, në kishën françeskane të Gjuhadolit. Të dy fretërit, u pushkatuan. Dom Ndoc Suma i cili njihej dhe si etnograf u arrestua ndërsa kremtonte Meshën e Shenjtë, dhe u dënua me 30 vjet burg. Pasioni i tij ishte të mblidhte tregime mitologjike nga tradita e vjetër shqiptare, dhe vdiq në burg. Teksa ecën në kishën, që mban në mure historinë, të duket sikur po ecën në një galeri arti. E shkuara është këtu si një dëshmi, e cila të trondit kur e sheh falë tablove të Sheldijës. I vetëm ai ka vendosur që ashtu si Onufri apo Shpataragu shekuj më parë t’i përkushtohet një arti që ndaloi së marri frymë për gati 50 vjet, atij me karakter fetar. “Do punoj deri në fuqitë e frymës së fundit”, shprehet ai edhe pse në moshë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button