Ekonomia

Lufta ndaj informalitetit, Haxhinasto: Më shumë kontrolle në shërbimet e transportit

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto, në kuadër të luftës kundër informalitetit deklaroi të martën se “do të rriten kontrollet në linjat e transportit urban, ndër-urban dhe në shërbimet taksi”.

Ministri Haxhinasto zhvilloi një takim me punonjës të policisë “gri”, një strukturë e posaçme pranë kësaj ministrie, të cilët janë të angazhuar në zbatimin e operacionit në luftën ndaj informalitetit në bashkëpunim me Policinë e Rendit dhe tatimet, lidhur me sektorin e transportit urban, ndërurban, taksi…etj.

Në përfundim të takimit, Ministri Haxhinasto u shpreh se “sektori i transportit ende vuan nga një informalitet i lartë”. “Po bëhet një raportim periodik nga ana e shërbimeve përkatëse mbi kontrollet. Në sektorët e sipërcituar ka ende informalitet të lartë, por jam i bindur që shumë shpejt ky informalitet do të jetë në rënie, pasi angazhimi i shërbimit të transportit do të fokusohet edhe më shumë në zbatim të ligjit dhe të penaliteteve përkatëse. Do të ketë kontrolle më të shumta në linjat urbane për dhënien e biletave, do të ketë kontroll në shërbimet taksi për përdorimin e tahografeve (matësit të km)”, tha Haxhinasto.

Sipas Ministrit të Transporteve kjo politikë do të sjellë ulje të informalitetit, rritje të pagesave të taksave, dhënien e biletave, si dhe mosabuzim me kostot e transportit me shërbimet taksi. “Kështu do të jenë të gjithë të barbartë përpara ligjit. Masa e dënimit është përcaktuar në Kodin Penal dhe është vetëm ajo që përcakton masën e ndëshkimit. Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi, por ulja e informalitetit. Janë bërë shumë evidentime të mosdhënies të biletave në autobuzët qytetas dhe ndër-qytetas”, tha Haxhinasto.

Informaliteti dëmton biznesin, klientin dhe vetë sipërmarrësit, tha më tej Haxhinasto. “Të dëmtuarit e parë në këtë mes janë vetë sipërmarrësit, që duke iu fshehur taksave dëmtojnë njëri-tjetrin, tregun ku ata operojnë dhe më tej klientët, duke krijuar një situatë anarkie”, theksoi Haxhinasto, i cili në prononcimin e bërë nuk përjashtoi dhe mundësinë e policëve civil për kontrollin e dhënien e biletave në urbane apo përdorimin e tahografeve në shërbimet taksi.

Ministri Haxhinasto tha se kontrolle do të bëhen edhe për kushtet e transportit të fëmijëve nëpër shkolla me linjat përkatëse dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim me forcat e qarkullimit në Tiranë.

Forcimi i masave kundër informalitetit në fushën e transportit, ka si qëllimi ofrimin e një shërbimi cilësor për qytetarët, rregullimin e tregut në interes të operatorëve të transportit, si dhe siiguri më të madhe në transport, veçanërisht për fëmijët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button