Mak Albania shet të gjitha pasuritë në Shqipëri, përfshirë ish-Sheraton dhe Linzën
Pas hotel Butrintit në Sarandë dhe resortit të Mali i Robit, dy shitjet e fundit janë Mak Tirana (ish-Hotel Sheraton) dhe kompleksi i Linzës.
Mak Tirana është në negociata për shitje te grupi Kastati me 30 milionë euro. Sipas burimeve nga grupi, hoteli e kishte vlerën rreth 55 milionë euro, por ashtu si në rastet e tjera Mak Albania e ka shitur nën vlerën kontabël.
Burime nga blerësi thanë se janë në negociata sërish me grupin ndërkombëtar të Marriott, për të marrë një markë tjetër. Marriott International, Inc. është një kompani shumëkombëshe në sektorin e hotelerisë me rreth 30-brande, ku ndër më të njohurat janë Ritz, Sheraton, Element, Editions, Bvlgari etj.
Kompania menaxhon më shumë se 6,000 hotele kryesisht të standardit me pesë yje ne 122 vende dhe ka raportuar të ardhura rreth 17 miliardë dollarë në vitin fiskal 2016. Zyrat qendrore të kompanisë janë Washington DC. Marriott mësohet se ia hoqi këtë të drejtë hotelit në Tiranë, për mosplotësim të standardeve. Marriott.
Marka Sheraton u largua nga Shqipëria vetëm pak ditë para mbylljes së vitit 2017. Në atë kohë operatorët turistikë reaguan se kjo mund të ishte dhurata më e keqe që i bëhet turzimit për Vitin e Ri. Largimi i markës prestigjioze ndodhi si për ironi në të njëjtën kohë kur qeveria sapo kishte kaluar paketën për nxitjen e investimeve në fushën e hotelerisë nga marka të njohura ndërkombëtare. Pas largimit të Sheraton, hoteli është shndërruar në MAKTIRANA Hotel and Tower. Në 2016-n, të ardhurat e Sheraton ishin 4 milionë euro, me një rënie me bazë vjetore prej 13.5%, si rrjedhojë e rritjes së konkurrencës së hoteleve në kryeqytet, pas hapjes së Plaza.
Një tjetër pasuri e Mak Albania e shitur së fundmi është kompleksi i Linzës, që është blerë nga grupi Duraku (Shyqyri Duraku). Vlera e transaksionit nuk bëhet e ditur. Linza prej disa kohësh ishte jashtë funksioni dhe pajisjet e saj ishin shitur. Më herët, në dhjetor 2016-s, Shyqyri Duraku kishte blerë Alfa Butrinti (hotel Butrinti në Sarandë), për një vlerë prej 820 mijë eurosh, në një kohë që vlera fillestare e investimit kishte qenë mbi 7 milionë euro, siç bëhet e ditur në shpjegimin në bilanc.
Në vitin 2014, grupi ka shitur edhe Hotel Resort që kishte në Golem tek Mali i Robit, për 1.8 milionë euro. Edhe nga kjo shitje grupi rezultoi me një humbje prej 2.5 milionë eurosh nga vlera kontabël. Aktiviteti u ble nga grupi Hysenbelliu, që e ka shndërruar atë tashmë në një resort luksoz.
Mak Albania ka rezultuar me një aktivitet të përkeqësuar financiar vitet e fundit. Humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Kompania rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.