Mandatet e Leskajt dhe Sulit drejt Kushtetueses, të hënën mblidhet Këshilli i Rregullores
Maxhoranca dhe opozita ranë dakord sot në Kuvend që të hënën e ardhshme të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Imuniteteve për çështjen e mandatit të deputetëve socialistë Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, të akuzuar nga opozita se kanë përfituar fonde publike në kushtet e konfliktit të interesit. Ky vendim konsensual i marre ne seancën e sotme i hap rrugën dërgimit për intepretim në Kushtetuese të mandatit të tyre, e mbështetur më herët nga dy deputetët.
Kuvendi mban heshtje në nderim të pilotëve të rënë në krye të detyrës
Kuvendi i Shqipërisë mbajti të enjten dy minuta heshtje në nderim të pilotëve të Forcave të Armatosura, kapitenit Florian Deliaj dhe togerit Donald Hoxha, që humbën jetën në krye të detyrës, si pasojë e rrëzimit të mërkurën të një helikopteri ushtarak.
Në nisje të seancës së sotme plenare, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli tha se dje ushtria shqiptare humbi dy nga ushtarakët e saj më të mirë, familjarët dy djem të mrekullueshëm dhe shoqëria shqiptare dy djem të devotshëm, që sakrifikuan jetën për të realizuar detyrën e tyre. Më pas ajo ftoi deputetët të mbajnë dy minuta heshtje në nderim të dy pilotëve që humbën jetën në mënyrë tragjike.
Debate për dekretin e Presidentit për ligjin e medias; Meta ndërpret seancën
Seanca e sotme e Kuvendit u ndërpre thuajse në nisje të saj nga kryetari Ilir Meta, pas mosmarrëveshjeve mes palëve për futjen në rend dite të dekretit të Presidentit që kthen për rishqyrtim në parlament disa ndryshime në ligjin e medias. Në fillim të seancës, grupi parlamentar i PS-së, përmes nënkryetarit Erjon Braçe, kërkoi futjen për votim të këtij dekreti në axhendën e sotme të Kuvendit, por opozita u shpreh kundër pasi kjo sipas saj, është në shkelje të rregullores.
Pas debateve kryeparlamentari ndërpreu për pak çaste seancën.
Kuvendi diskuton sot nismat e opozitës
Opozita do të jetë e pranishme në seancën e sotme të Kuvendit për te mbrojtur dy nismat ligjore të propozuara prej saj, amendamentet në ligjin ‘Për dekriminalizimin’ dhe ato në ligjin ‘Për funksionimin e komisioneve hetimore’. Miratimi i tyre, bashkë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, janë tre kushtet e vendosura nga opozita për rikthimin në normalitet të marrëdhënies së saj me parlamentin.
Një ditë më pare, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shprehu vendosmërinë e opozitës “për t’i dhënë fund dhunimit të rendit kushtetues dhe për ta rikthyer vendin formalisht në kushtet e kushtetutshmërisë”.
Rendi i dites i seances se sotme parashikon gjithashtu aderimin e Shqipërisë në marrëveshjen për ngritjen e Qendrës së Ekselencës në Financë (CEF), si dhe miratimin e projekt-rezolutes për veprimtarinë e Autoritetit të Mediave Audiovizive.