MaqedoniaRajoni

Maqedoni: Formimi i Qeverisë me shumë të panjohura

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni po duket i vështirë krijimi i qeverisë: VMRO-ja nxiton të formojë qeverinë, ndërsa sipas partisë opozitare LSDM, “regjimi nuk mund të krijojë qeveri”.

Duhet sa më parë të formohet qeveria e re, të vazhdojmë me ritmin e fuqishëm të punës dhe të kthehemi në shtigjet e ekonomisë dhe të gjitha reformave, duke i përfshirë edhe ato që lidhen me anëtarësimin në BE dhe NATO. Këtë e theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski para mbështetësve partiakë.

“Ne gjithsesi tani do të drejtohemi nga negociatat për koalicion, negociatat për formimin e qeverisë dhe përfundimisht duhet të krijojmë kushte që kriza në Republikën e Maqedonisë të përfundojë, populli e pret këtë, këtë e kërkon prej nesh”, ka thënë Gruevski.

Zaev: Regjimi nuk guxon të formojë qeveri

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev i ka bërë thirrje të gjitha partive politike shqiptare, që fituan mandate në zgjedhje (11.12), që t’i bashkohen partisë së tij për formimin e qeverisë së re dhe ta refuzojnë Nikolla Gruevskin. Të respektojnë dëshirën e shumicës, e cila sipas tij, votoi për ndryshime. Sipas Zaevit, shumica e qytetarëve votuan për jetë, kundër regjimit. Ai paralajmëroi se LSDM do të dorëzojë edhe ankesa në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. “Regjimi nuk guxon të formojë qeverinë e Maqedonisë. Të gjitha partitë, përveç VMRO-DPMNE-së nuk duhet të mendojnë për të shkelur vullnetin e shprehur në zgjedhje për formimin e qeverisë në koalicion me Nikolla Gruevskin. Rezultatet zyrtare ende nuk kanë dalë. Nëse korigjohen një pjesë e numrave, LSDM do të ketë më shumë mandate”, ka deklaruar Zaev.

Mazedonien Jubel Wahlen (Reuters/O. Teofilovski)

BDI përgatit kërkesat për qeveri

Burime brenda partisë, thonë se BDI po përgatit kushtet me të cilat kjo parti do të pranonte të bashkëqeveriste me ndonjërën parti maqedonase. Ndër kushtet kryesore pritet të jetë realizmi i Marrëveshjes së Ohrit në tërësi dhe brenda një kohe të shkurtër zyrtarizimi i gjuhës shqipe në nivel republike, kryetari i parlamentit ose kryeministri të jetë shqiptar, ministri i financave të jetë shqiptar, si dhe disa kërkesa të tjera që shihen si vendimtare për qeverisjen e ardhshme.

Kasami: Qeveri teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të reja

Kryetari i Lëvizjes BESA, që në zgjedhjet e së dielës fitoi pesë mandate deputetësh, Bilall Kasami është i mendimit se pas këtyre zgjedhjeve në Maqedoni duhet të ketë qeveri teknike, e cila do të organizojë më pas zgjedhje të reja në vend.

“Këto zgjedhje duhet të jenë vetëm një urë e kalimit nga ajo situatë e rëndë e krizës në të cilën ishte Maqedonia drejt një stabiliteti afatgjatë. Vlerësoj se do të duhet të rishqyrtohet seriozisht oferta e Lëvizjes BESA, që pas këtyre zgjedhjeve të dalë një qeveri teknike, qeveri e cila do të ketë mandat rikthimin e Maqedonisë në një normalitet, qeveri e cila do të ketë detyra të caktuara dhe e cila do të ketë për detyrë përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja”, ka thënë Kasami.

Pikëpamjet e analistëve për qeverinë e re

Rezultati i ngushtë mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në zgjedhje e bën të vështirë formimin e qeverisë së re, pasi asnjëri subjekt nuk ka fituar shumicën e 120 mandateve në Parlament. Analisti politik Albert Hani, thekson, se populli shqiptar dha mesazh të qartë për atë se çka pret nga politikanët. Politikanët e zgjedhur nuk duhet të shkojnë kundër dëshirës së popullit dhe të përkrahin parti politike që i keqpërdor shqiptarët e Maqedonisë për t’u pozicionuar më mirë në shoqëri.

“Edhe pse me më pak mandate për deputetë në këtë përbërje të re të Parlamentit, pozita politike e shqiptarëve është tejet e lakmueshme. Nëse mençuria mbizotëron egon, politikanët e zgjedhur jo vetëm që formalisht mund të faktorizohen, por mund që të kenë të drejtën e vetos në proceset vendimmarrëse. Tani dialogu i mirëfilltë ndërpartiak është mëse i nevojshëm”, deklaron Hani.

Analisti Sasho Ordanovski vlerëson se mundësia e vetme për dalje të Maqedonisë nga kriza është koalicioni i gjerë mes LSDM-së dhe dy ose tri partive shqiptare, me të cilat do të ketë numrin e mjaftueshëm të mandateve për formimin e qeverisë. Ai beson se BDI-ja nuk do t’ia lejojë vetes të bëjë përsëri koalicion me VMRO-DPMNE-në në kushte kur pikërisht për shkak të koalicionimit me VMRO-në i humbi afro 67 mijë vota.

“Këto rezultate fillestare ka gjasa që të ndryshojnë pas ankesave. Kur të formohet parlamenti, para se të mbërrijmë në bisedimet për koalicione, nuk do të habitesha nëse ndonjë deputet ndërron anën pasi dallimi është shumë i vogël dhe çdo mandat mund të bëjë ndryshim.Versioni më i pamundshëm është koalicioni VMRO-BDI. Për BDI-në do të jetë vetëvrasje politike nëse përsëri të hyjë në koalicion me këtë subjekt”, deklaroi analisti politik Sasho Ordanovski.

Besa Arifi, prof. në Universitet, thotë se votat shqiptare si qytetarë të këtij vendi e plotësuan kushtin e parë për ta rrëzuar regjimin, e përkrahën opozitën të udhëhequr nga LSDM.  “Vota e shqiptarëve ishte e qartë dhe e zëshme. Kushti i dytë duhet që tani të plotësohet. Këtë kusht duhet ta plotësojnë politikanët shqiptarë.Tani është radha e tyre. Ata duhet pa kompromis ta izolojnë Nikolla Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në dhe për asnjë kusht, absolutisht për asnjë, të mos koalicionojnë me Gruevskin”, shprehet Arifi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button