Maqedonia

Maqedoni: Ndryshimet kushtetuese kalojnë fazën e parë

Komisioni parlamentar për çështje kushtetuese në Maqedoni i hapi rrugën debatit në seancë plenare të parlamentit mbi projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht për ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, sipas marrëveshjes së 17 qershorit me Greqinë.

Në këtë mënyrë, Komisioni parlamentar e kaloi fazën e parë të kësaj sfide jo të lehtë që i pret ligjvënësit brenda pak ditësh. Dhjetë deputetë të komisionit kushtetues nga radhët e partive qeveritare dhe të partive joqeveritare shqiptare votuan pro vendimit që Parlamenti ta mbështesë propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushteuese dhe parlamenti të sjellë vendim për qasjen tek ndryshimi i Kushtetutës. Ndërkaq, shtatë deputetë të opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-DPMNE votuan kundër.

Parlamenti e ngarkon qeverinë që brenda një periudhe kohore prej 15 ditësh ta përgatisë tekstin e ndryshmeve kushtetuese.

Seanca plenare për këtë pritet të mbahet të hënën.

Ligjvënësit opozitarë të VMRO-DPMNE-së thanë se nuk do ta votonin ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë.

Në fazën e dytë, parlamenti duhet ta miratojë projektin e amendamenteve kushtetuese dhe për këtë kërkohet një shumicë prej 50 përqind plus 1, ose 61 vota të deputetëve.

Pas debateve në seancë plenare kalohet në votim për çka nevojiten dy të tretat e votave nga 120 ligjvënsit sa ka parlamenti i Maqedonisë.

Por, shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat e nevojshme për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Së bashku me dy deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe dy deputetët tjerë të njërit krah të Lëvizjes Besa, të cilat nuk janë pjesë e qeverisë, llogariten 71 deputetë, ndërsa duhen edhe nëntë deputetë nga radhët e opozitës maqedonase për të arritur dy të tretat.

Sipas disa njoftimeve, përfshirë edhe vërejtjet e Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, VMRO-DPMNE-ja po ushtron trysni dhe kërcënime ndaj ligjvënësve të saj për të mos votuar ndryshimet kushtetuese. Opozita thotë se ndryshimi i emrit të Maqedonisë do të prekë edhe identitetin dhe gjuhën e popullit maqedonas. Por pushteti siguron të kundërtën: se identiteti dhe gjuha maqedonase mbeten të paprekura ndërsa hapet rruga e integrimit të shpejtë në NATO dhe përparimi drejt Bashkimit Evropian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button