Shkupi filloi skriningun dypalësh me Brukselin. Komisioni Evropian ka filluar të kontrollojë se si po zbatohet legjislacioni evropian që Maqedonia e Veriut ka miratuar. Siç ka sqaruar më herët në një intervistë për MIA-n, këshilltari shtetëror në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Dragan Tilev, tani BE shikon se si funksionojnë në vend sistemi gjyqësor, sistemi i kontrollit financiar, Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Prokuroria Publike. Pas përfundimit të këtij shqyrtimi dypalësh, Brukseli pritet të dorëzojë raport që do të detajojë se ku po dështojmë dhe çfarë reformash duhet të ndërmarrim. ZV/kryeministri Bojan Mariçiq deklaroi sot se autoritetet po punojnë shumë për ta përmbushur objektivin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.“Ne iu përgjigjëm pyetjeve të Komisionit dhe treguam nivel të lartë gatishmërie. Kjo është nxitje për ne që të vazhdojmë dhe t’i përfundojmë takimet e shqyrtimit sa më shpejt dhe me sukses. Kjo do të na japë pasqyrë të plotë se sa të suksesshëm jemi, ku kemi ende shumë punë për të bërë dhe në çfarë afati kohor mund t’i përfundojmë negociatat”, deklaroi Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.