Te ndryshme
Marcus Antonius dhe Marcus Brutus në fjalimet elektorale për diasporën
![](https://24-ore.com/wp-content/uploads/2024/12/IMG_7912-150x150.jpeg)
Fjalimi i Markut në të djathtë
Të nderuar shqiptarë të diasporës, ju që me krenari mbani mbi shpatulla flamurin tonë kombëtar…
Unë nuk kam ardhur këtu për t’ju kërkuar falje që u larguat nga Shqipëria. Jo, përkundrazi! Kam ardhur për t’ju thënë: Faleminderit! Po, faleminderit që e kthyet Shqipërinë në një eksportues global të punës së kualifikuar! Në vitet kur qeverisnim ne, ne ju dhamë mundësinë të largoheshit, t’ju shpëtonim nga burokracia, nga korrupsioni, nga varfëria. E vërteta është se ne nuk ju mbajtëm peng—ne ju hapëm dyert e botës!
Ata që më kundërshtojnë do të thonë se në kohën tonë ndodhi Gërdeci, se populli humbi gjithçka me fajdet, se u vranë protestues në bulevard. Po, e vërtetë! Po sikur të mos kishin ndodhur këto gjëra, a do ishit ju këtu sot, duke ndërtuar një të ardhme më të mirë në botën e zhvilluar? A nuk është e vërtetë se ne ju dhamë forcën për të ëndërruar përtej kufijve? Ne nuk ju dhamë mjerim—ne ju dhamë një biletë pa kthim drejt suksesit!
Prandaj, ju ftoj sot, të na besoni sërish. Sepse ne kemi një vizion: një Shqipëri të zbrazët nga qytetarët, por të mbushur me patriotizëm në largësi! Një Shqipëri ku shpresat nuk varen nga qeveria, por nga biletat e avionit! Dhe kur të na jepni votën tuaj, ne do të vazhdojmë me të njëjtën përkushtim, duke ju dhënë arsye të reja për të mos u kthyer kurrë!
![](https://24-ore.com/wp-content/uploads/2025/01/bruti1.jpg)
Fjalimi i Markut në të majtë
Vëllezër dhe motra, shqiptarë të larguar nga vendlindja, më dëgjoni me vëmendje!
Unë nuk dua të gënjej si vellai im në të djathtë që ju premton ëndrra të thyera. Ne, ndryshe nga të ata, kemi qenë të ndershëm në rrënimin e Shqipërisë! Ne nuk e fshehëm korrupsionin—ne e bëmë atë aq të madh, sa të gjithë e panë! Ne nuk premtuam ndershmëri—ne premtuam vetëm vazhdimësi! Dhe, a nuk ia dolëm me sukses?
Disa do të thonë se qeverisja jonë është përfshirë në skandale, se zëvendëskryeministri ynë është në arrati, se gjysma e kabinetit tonë është nën hetim. Po, e pranojmë! Por pyesni veten: a nuk ishte pikërisht kjo arsyeja pse u larguat? A nuk ju ndihmoi kjo të ndërtoni një jetë të re në Gjermani, Itali, Angli? Po të kishim bërë një qeverisje të ndershme, a do të ishit ju këtu, me punë të sigurt dhe të ardhme të garantuar?
Ndaj, ju kërkoj votën tuaj. Jo sepse kemi ndryshuar—por sepse do të vazhdojmë njësoj! Shqipëria nuk do të bëhet, por të paktën ne nuk do t’ju gënjejmë duke ju thënë të kundërtën. Nëse doni të keni një arsye për të qëndruar jashtë Shqipërisë, votoni për ne! Ne nuk ju kemi tradhtuar kurrë duke ndërtuar një shtet funksional. Dhe as nuk do ta bëjmë!
Faleminderit!