Marrëveshja Rama- Meloni, spektakël për të legjitimuar pushtetin
Ky shkrim i Fatos Lubonjës është botuar në 9 nëntor në gazetën italiane Il Manifesto
Nëse në Itali ka pasur një lloj habie se si Meloni e bëri marrëveshjen me Ramën, pa u konsultuar as me aleatët e saj, në Shqipëri vendimi i Ramës për t’i ofruar gratis Italisë një copë tokë për të ndërtuar aty kampin e refugjatëve pa u konsultuar me kërkend nuk ka ngjallur ndonjë habi.
Ideja e një lideri të gjithpushtetshëm që identifikohet me partinë/shtet dhe gjithë popullin e tij, vazhdon të dominojë në Shqipëri edhe pas tridhjetë vjetësh vendosje të pluralizmit; sot në formën e asaj që Stuard Mill e quan “tirani e maxhorancës”.
Në Shqipëri janë mësuar që Rama vendos për gjithçka, duke imponuar shijet dhe interesat e tij si shije dhe interesa të vendit. Kështu kanë bërë edhe paraardhësit e tij. Megjithatë gjithpushtetshmëria e tij nuk buron thjesht nga gadishmëria e shqiptarëve për t’ia dorëzuar lirinë e tyre një lideri autoritar. Ajo nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të faktorëve të brendshëm e të jashtëm që i mbajnë këta liderë në pushtet. Nëse do të kërkojmë themelet e pushtetit të Ramës në sistemin e sotëm shqiptar, do t’i gjejmë në rolin e tij si mediator ndërmjet katër faktorësh që do t’i krahasoja me katër këmbët e karrikes së tij të pushtetit: pushteti i të ashtuquajturve oligarkë; pushteti i krimit të organizuar që është ivestitori kryesor në ekonominë shqiptare; pushteti mediatik ku kanë investuar të parët dhe të dytët dhe, së fundi ai më vendimtari: pushteti i partnerëve tanë të ashtuquajtur strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndër të cilët Italia ka një rol special.
Rama, deri më sot është treguar mediatori më i aftë për të harmonizuar interesat e këtyre katër pushteteve. Thënia e tij “Kur Italia na thërret ne jemi gjithmonë gati”, e motivuar, sipas tij, me mirënjohjen e vaçantë ndaj Italinë për pritjen e emigrantëve- duke harruar se kjo mirëpritje e fillimit është pasuar edhe me turpin e Stadiumit të Barit dhe tragjedinë e “I Katri i Radës”- duhet lexuar në kontekstin e lojës së tij në funksion të ruajtjes së katër këmbëve që e mbajnë në pushtet.
Këtë gatishmëri në mirënjohje ai e ka aplikuar edhe ndaj SHBA kur u ka ofruar shërbime, kundra interesave të shqiptarëve, siç ishte ofrimi për të sjellë në Shqipëri për çmontim armët kimike të Sirisë, pranimi i 3000 muhaxhedinëve, etj. Në Shqipëri flitet se edhe për një pjesë të ujrave të Shqipërisë së Jugut do t’i çohen Italisë. Kujtoj se paraardhësi i tij Sali Berisha, me të njëjtën lehtësi dhe vendimmarrje personale, i ofroi Berlusconit tokën shqiptare për të ndërtuar një central bërthamor.
Ky vasalitet i politikanëve shqiptarë me të fuqishmit e huaj që i mbajnë në pushtet është një histori e vjetër që ka filluar që në vitin 1912 kur Shqipëria u njoh si shtet i pavarur, kryesisht për interesat e Austro- Hungarisë dhe Italisë. Politikanët shqiptarë kanë mësuar ç’prej asaj kohe se është më e lehtë të fitosh legjitimitet duke u shërbyer këtyre të fuqishmëve sesa duke i shërbyer popullit tënd. Kështu ka ndodhur me mbretin Zog midis dy luftrave, që e ktheu vendin në gjysëm koloni të Italisë, kështu ndodhi pas Luftës së dytë me Enver Hoxhën në raport me Jugosllavinë, URSS dhe Kinën që e mbajtën në pushtet, me pasojat dramatike për popullin shqiptar. E njëjta paradigmë fatkeqësisht po funksionon në Shqipëri edhe me vendet perëndimore pas rënies së komunizmit.
Problemi është se ai që gjatë viteve ’90 dukej si angazhim i sinqertë i vendeve perëndimore për të ndihmuar në ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vende si Shqipëria, ka degraduar në politika që i trajtojnë këto vende thjesht si burime interesash ekonomike dhe gjeostrategjike. Në këto kushte shohim (jo vetë në Shqipëri) liderë autoritarë të mbajnë pushtetin abuziv, deri kriminal, brenda vendit jo vetëm pa u trazuar, por edhe duke u mbështetur së jashtmi nga politikanë perëndimorë që i shohin këta autokratë si mënyra më e lehtë për të zgjidhur problemet e tyre pa u merakosur se kështu thellojnë problemet e njerëzve që vuajnë këto autokraci.
Marrëveshja Rama Meloni duhet lexuar në këtë kontekst.
Veç të tjerash ajo tregon se të dy liderët kanë shumë gjëra të përbashkëta që të çojnë të mendosh se në vend se të jemi në një situatë ku Shqipëria autoritare kërkon t’u afrohet standarteve të një Italie demokratike, është Italia demokratike ajo që po rrëshket drejt një modeli shqiptar. E tregon këtë lehtësia me të cilën të dy kryeministrat shkelin standartet ndërkombëtare dhe evopiane përsa i përket të drejtave të kërkuesve azil; e tregon vendimmarja jo transparente, jo institucionale, por personale, për këtë marrëveshje kaq delikate; e tregon edhe fakti se të dy palët kërkojnë nëpërmjet këtij akti të bëjnë fushata propagandistike nëpërmjet të cilave të mbulojnë të vërtetën e dështimit të politikave të tyre të brendëshme.
Sidomos kjo e vërtetë e fundit të bën të mendosh për profecinë e Guy Debordit që duket se vlen për të dy vendet: “Nëse në një sistem, iluzioni me format e tij spektakolare arrin deri atje sa të mbizotërojë ndaj realitetit, kjo tregon se i gjithë rendi social është në një krizë të thellë legjitimiteti”.
Il Manifesto 9 nëntor 2023