Bota

Masakra në Paris, zbulohen 3 autorët

Policia franceze ka identifikuar tre autorët e sulmit terrorist të ndodhur sot në Paris. Sipas burimeve zyrtare, dy prej tyre janë vëllezërit terroristë franko-algjerianë Said dhe Cherif Kouachi, të cilët kanë luftuar në Irak. Ndërsa autori i tretë i masakrës është 18-vjeçari Hamyd Murad.

autoret-paris

Dy vëllezërit, Said dhe Cherif Kouachi, përkatësisht 34 dhe 32 vjeç, kanë lindur në Paris dhe janë me nënshtetësi franceze. Cherif ka qenë pjesë e rrjetit të xhihadistëve në Irak dhe është dënuar me tre vjet burg për lidhjet me terrorizmin në maj 2008. Ata janë kthyer nga Siria në Francë verën e shkuar.

Ndërsa kombësia e 18-vjeçarit Hamyd Mourad është e panjohur. Vitin e shkuar ai u regjistrua në një lice në Charleville-Mezieres rreth 50 milje nga qyteti Reims në verilindje të Francës. Identifikimi i autorëve është bërë 8 orë pas sulmit ndaj zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo”, ku mbetën të vdekur 12 persona.

Francezët marshojnë në emër të lirisë së shprehjes

20:00 – Mijëra qyetarë kanë marshuar pasditen e sotme në sheshet e qyteteve kryesore të Francës, në shenjë solidariteti lidhur me ngjarjen tragjike në zyrat e revistës satirike franceze ”Charlie Hebdo”. Shumë prej tyre u shprehën se, me këtë veprim, tregonin mbështetjen për lirinë e shprehjes.

Bashkimi Kombëtar i Gazetarëve dhe kreu i Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo i ka ftuar të gjithë qytetarët francezë që të marshojnë në heshtje në nderim të viktimave të sulmit terrorist paraditen e sotme.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 20 mijë persona u grumbulluan në Paris, mbi 10 mijë të tjerë në Lion dhe Tuluzë si edhe rreth 5.000 në Marsejë. Mijëra të tjerë janë grumbulluar në Lilë, Bordo dhe Nantë. Marshimi nisi në Sheshin e Republikës në Paris dhe vijoi deri në vendin ku ndodhi masakra, që u mori jetën 2 policëve, 5 gazetarëve dhe 5 punonjësve të tjerë të revistës “Charlie HEBDO”.

Marshime pati gati në të gjitha qytetet e tjera të vendit, si në Nantes, Toulouse, Lille, Strasburg, Nimes, Bordeaux, Montpellier, Lyon, Rennes, Limoges. Pak orë pas mesditës shumë qytetarë parisienë kanë dalë pa njoftim me tabela në duar në mbështetje të revistës që ka rënë dy herë pre e sulmeve me armë.

11:50 – Dy persona të armatosur kanë sulmuar mesditën e sotme në Paris redaksinë e revistës satirike franceze “Charlie HEBDO”, duke vrarë 12 persona dhe plagosur rëndë 9 të tjerë. Sipas BBC-së, dy persona kanë qëlluar me armë tip Kallashnikov AK-47 ndaj disa personave të tjerë që mendohet se janë gazetarë. Gjithashtu ata kanë goditur edhe ndërtesën e revistës me granatë-hedhëse.

Shkak i këtij sulmi dyshohet një karikaturë satirike e kësaj reviste për liderin e ISIS-it, Ebu Bekr el-Bagdadi, por edhe qëndrimi i saj dukshëm kundër krerëve radikalë islamikë. Sulmi dyshohet se është kryer pikërisht nga militantët e Shtetit Islamik.

Sipas policisë franceze numri i viktimave është 12, por mjekët e spitalit ku ndodhen të plagosurit kanë thënë se ky numër mund të ndryshojë. Sipas dëshmitarëve okularë autorët kanë qenë të maskuar dhe janë larguar menjëherë nga ndërtesa ku ka ndodhur krimi.

Agjencia franceze e lajmeve AFP, raporton se dy nga viktimat janë policë, ndërsa pesë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën. Gazetari i “Europe News”, Pierre de Cossette, ka thënë se në momentin e sulmit personat e armatosur kanë thirrur: “Hakmarrja është nga Profeti”.

Sipas dëshmitarëve, personat e armatosur kanë hyrë në redaksi dhe kanë hapur zjarr në çdo drejtim kundër personelit. Më pas ata kanë dalë dhe kanë rrëmbyer një makinë duke u drejtuar në lindje të vendit. Kjo është goditja e dytë ndaj kësaj reviste, pas atij të vitit 2011, kur ajo u sulmua me bombë pasi publikoi një karikaturë të Profetit Muhamed.

Presidenti francez, Fransua Hollond ka thirrur një takim urgjent me kabinetin e tij. Ai ka thënë se i gjithë shteti do të jetë i izoluar dhe kapja e autorëve nuk do të vonojë.

Franca, 3 ditë zie kombëtare

Në një fjalim prekës para popullit të tij, Hollond ka shpallur tri ditë zie kombëtare, duke filluar nga e enjtja, kur do të mbahet edhe një minutë heshtje në mesditë. Ai ka vlerësuar gazetarët e revistës “Charlie Hebdo” që u masakruan gjatë paradites së të mërkurës në zyrat e tyre të punës, duke i kërkuar popullit të qendrojë i bashkuar.

“Ky ishte një sulm ndaj lirisë. Duhet të kuptojmë se bashkimi është arma jonë. Asgjë nuk mund të na ndajë. Franca është një komb i madh kur vihet nën presion. Jemi më të fortë se armiqtë tanë kur qendrojmë të bashkuar. Do të fitojmë! Asgjë nuk do të na bëjë të heqim dorë nga vendosmëria jonë. Rroftë Republika! Rroftë Franca! Kanë vdekur karikaturistë mjaft të talentuar, gazetarë guximtarë. Ata kanë lënë shenjën e tyre në breza të tërë francezësh përmes ndikimit, lirisë dhe pavarësisë së rrallë. Dua t’u them atyre se këtë mesazh të lirisë do të vazhdojmë ta mbrojmë në emër të tyre”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Hollond.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button