Kosova

Mbi 4.5 milionë euro tender e puna nuk ka filluar

energjiaMegjithëse prioritet për KEK-un, ende nuk dihet se kur do të fillojë riparimi kapital i kaldajës dhe qarqeve rregulluese njësia A5 Termocentrali “Kosova A”. Tender ky prej rreth 5 milionë euro. Një Operator Ekonomik ka ankesa rreth procedurave për këtë tender, KEK-ut sikur po i ngutet puna, e OSHP brenda një periudhe shumë të shkurtër ka marr dy vendime të ndryshme prej njëra tjetrës, për të që njëjtën çështje.

Kështu problemi sa po shkon e rritet. Paralajmërohet kallëzim penal në Prokurori lidhur me procedurat e këtij tenderi. Operatori ekonomik, në këtë rast “Ekoinvest”, që ka konkurruar për këtë tender, vlerëson se që nga fillimi, ky tender është përcjellë me shkelje ligjore të cilat janë bërë nga ana e KEK-ut dhe Organit Shqyrtues i Prokurimit.

Drilon Potera nga “Ekoinvest”, thotë se pas ankesës së tyre fillestare janë bërë dy shkelje të tjera. “Pasi kemi dërguar në OSHP ankesën për çështjen tonë, KEK ka dërguar kërkesën për heqjen e pezullimit automatik të lëndës që bëhet pas çdo ankese që dërgon OE. Më datë 20 gusht OSHP e ka lëshuar një vendim ku ka refuzuar kërkesën e KEK-ut për heqjen e pezullimit automatik, duke u arsyetuar se lënda është e një rëndësi të veçantë dhe duke u zotuar se lëndën do e shqyrtojnë me prioritet më të madh, kundër këtij vendimi të OSHP-së, KEK ka pasur 3 ditë afat që të dërgojë ankesën kundër këtij vendimi mirëpo nuk e ka shfrytëzuar këtë periudhë kohore dhe e kanë dërguar ankesën 8 ditë pas shpalljes së vendimit e që për çudi OSHP e ka pranuar këtë ankesë edhe pse është dashtë që ta refuzojnë në vend. Dhe pas 6 ditësh e kanë dërguar vendomini për heqjen e pezullimit automatik, pra e ka leju KEK-un të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës ende pa u bërë shqyrtimi i procedurës nga paneli shqyrtues”, thotë Potera.

Kjo kompani thotë se KEK ka kërkuar që dosja e tenderit të përgatitet nga kompanitë konkurruese në një afat rekord kohor prej 15 ditëve, që sipas tyre, afati i shkurtër për përgatitje të ofertës i ka vendosur kompanitë në konkurrencë jo të barabartë pasi që kompani të caktuara mund të kenë pasur informata për këtë tender para shpalljes së tij.

Pas kësaj, thonë se KEK nuk ka dhënë shenja se është çështje urgjente duke kaluar 37 ditë për vlerësim të ofertave, apo dyfishi i kohës për përgatitje të ofertave. Kjo duket se u ka ngjallur edhe dyshimet se vlerësimi nuk do i përmbahet standardeve objektive, duke u synuar të gjendet mënyra e shpalljes së fituesit përmes favorizimit.

Ndërsa Edmond Nulleshi nga KEK thotë se nga aspekti operativ dhe tekniko teknologjik, aktiviteti i prokurimit “Riparimi kapital i kaldajës dhe qarqeve rregulluese njësia A5” është i ndërlidhur dhe varet ne tërësi nga riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit te njësisë A5.

Sipas tij, nga afatet kohore te realizimit te riparimit kapital varet edhe lëshimi në punë i njësisë në fjalë.

Nulleshi thotë se pas avarisë së datës 06 qershor 2014, duke pasur parasysh rëndësinë që të kenë njësinë A5 të aftësuar në tërësi sivjet dhe me qëllim që ajo mos të ndalet dy herë ( një herë për turbinë/gjenerator e herën tjetër për kaldaje) afatet kohore të aktivitetit të prokurimit për Riparim të kaldajës janë koordinuar dhe bashkërenduar edhe me hapat e ndërmarr me dhënien e kontratës për riparim kapital të turbinës dhe gjeneratorit, gjithmonë brenda afatit kohor të validitetit të ofertave dhe në përputhje të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Në këtë rast, pas publikimit të njoftimit për dhënie të kontratës, kemi marr një ankesë nga një ofertues. Si rrjedhim, kjo ankesë duke përfshi të gjitha rrethanat e pretendimit është shqyrtuar detajisht nga ana e KEK-ut. Në momentin që jemi bindur në tërësi se pretendimet e asaj ankese nuk qëndrojnë dhe se përzgjedhja e ofertës së përgjegjshme më të lirë ishte konform Ligjit te Prokurimit Publik, kemi kërkuar nga OSHP të shqyrtoi me prioritet lëndën në fjalë dhe të heq masën e pezullimit automatik, duke marr parasysh bashkërenditjen kohore të këtij projekti me riparimin kapital të njësisë A5 dhe lëshimin në punë të saj”, thotë Nulleshi.

Nulleshi thotë se eksperti shqyrtues i caktuar nga OSHP ka dhënë konstatimin se vendimi i KEK-ut për përzgjedhje është marrë duke u bazuar në përputhje të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik dhe aktet nën ligjore dhe se OE i shpallur fitues me çmim më të ulët i plotëson në tërësi kërkesat formale të përgjegjshmërisë, të përshtatshmërisë, të kualifikimit si dhe specifikimin teknik të tenderit.

Por, në vendimin e ekspertit shqyrtues që ka siguruar KosovaPress thuhet se KEK nuk ka respektuar në tërësi dispozitat ligjore e edhe përkundër kësaj, ky ekspert i ka propozuar panelit shqyrtues që ta aprovojë vendimin e KEK-ut për dhënie të kontratës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button