Mblidhet Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut, percaktohen proritetet
Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut në Kuvend miratoi sot Planin e Punës për periudhën 20 tetor-24 dhjetor 2014. Fillimisht, kryetarja e komisionit Vasilika Hysi bëri me dije se numri i anëtarëve të këtij komisioni nga 5-së shkon në 7-të, ku deputeti Pandeli Majko caktohet anëtar në vend të deputetes Ermonela Felaj, gjithashtu caktohet anëtar dhe deputeti Xhemal Qefalia.
Ndërkohë, plani i punës sipas kryetares Hysi është hartuar duke pasur parasysh disa prioritete, që lidhen dhe me detyrimet e Kuvendit dhe rritjen e rolit të tij, për të përmbushur pesë rekomandimet e progres-raportit të BE-së, të cilat janë gjithashtu pjesë e Planit të Veprimit dhe e qeverisë shqiptare.
Hysi tha se fusha e veprimit të këtij nënkomisioni do të shtrihet dhe tek shqetësimet e qytetarëve. Ndërkohë që në fokus të punës së tij do të jetë dhe zhvillimi i seancave dëgjimore me shoqërinë civile; vizita monitoruese në institucionet e paraburgimit në Tiranë; shqyrtimi i raporteve të Avokatit të Popullit etj