Mbreti i joshjes, Steve McQueen
”The King of Cool”. Kështu është quajtur një ndër aktorët më tërheqës të të gjitha kohërave. Sharmant në çdo qelizë, me një zë të ngrohtë mashkullor, anti hero e rebel, pikërisht ai që çdo femër ëndërron që ta rrëmbejë të paktën njëherë në jetë (nëse nuk ju ka shkuar asnjëherë ndërmend kjo gjë, atëherë gënjeni).
Në vitin 1974 ishte aktori më i paguar i të gjitha kohërave edhe pse kishte katër vite që nuk luante në asnjë film. Luftonte gjithnjë me producentët e regjisorët por popullariteti i tij bënte që të ishte ai që vendoste shpeshherë në sheshxhirim.
Një karakter i vështirë që vinte si shkak i një fëmijërie të vështirë. Babai i tij e la nënën vetëm pas 6 muajsh që e kishte njohur. Nëna e tij Julia Ann ishte rebele dhe e alkolizuar. Steve u rrit me gjyshërit dhe dajën e tij. Në moshën 8 vjeçare Julia Ann e merr përsëri në Indianapolis për të jetuar me të dhe bashkëshortin e saj të ri i cili e rrihte shpesh Steven, gjë që e detyroi atë të ikte nga shtëpia dhe të jetonte në rrugë. Nëna e tij u rimartua për të tretën herë dhe për një kohë të shkurtër ai jetoi përsëri me të. Por shpirti i tij rebel e shtynte gjithnjë drejt telasheve. Bashkohet shpeshherë me grupe të vogla kriminale. Në moshën 14 vjeçare policia e kap duke vjedhur pjesë makinash dhe e dërgon menjëherë tek njerku i tij i cili e rreh brutalisht duke e rrëzuar dhe nga shkallët. McQueen e sheh në sy dhe i thotë : ”Nëse më prek dhe njëherë tjetër të betohem se do të të vras”.
Pas kësaj ngjarjeje McQueen shkon në një qendër riformimi për të rinjtë “Boys Republic”. Kjo do t’i shërbente atij për të ndryshuar e për t’u pjekur. Ai do të bëhej më vonë lider dhe frymëzues për djemtë e tjerë të cilët e zgjedhin në bordin drejtues. Edhe pasi arrin famën McQueen do të khtehej gjithnjë këtu për të ndihmuar e folur me djemtë e kësaj qendre.
Adhurues i shpejtësisë, kishte një talent natyral për të drejtuar motorrat. Fillon të fitojë paratë e para në garat e Long Island City Raceway, me të cilat blen një Harley Davidson. Falë talentit të tij ai filloi të fitonte një sasi të konsiderueshme parash gjatë çdo fundjave garash. Në vitin 1955, në moshën 25 vjeçare transferohet në California. McQueen arrin një sukses të konsiderueshëm fillimisht nëpër serialet televiziv. Në moshën 29 vjeçare roli i cili duhet të ishte i Sammy Davis Jr., në filmin me Frank Sinatrën “Never So Few”, i shkon Steve McQueen pasi Frank Sinatra kërkoi largimin e Davis pas intervistës së dhënë prej tij në radio në të cilën kishte folur keq për Sinatrën. Sinatra sheh diçka të veçantë tek McQueen prandaj vendos në qendër të vëmendjes në film personazhin e tij, duke i ofruar McQueen një sërë planesh të para.
Në vitet 70’ McQueen kthehet në një yll. Grupe të ndryshme si Rolling Stone i kushtojnë këngë duke përmendur shpesh në tekstet e tyre emrin e tij. Vitet 70’ ishin dhe vitet e rivalitetit të tij profesional me Paul Newman. Pas suksesit të filmit “The Towering Inferno” ku të dy “rivalët” luanin bashkë, McQueen tërhiqet për katër vite nga karriera e tij e aktrimit për t’ju dedikuar pasionit të tij të përhershëm…garave.
Një dashuri fatale do të ishte ajo me Ali Mcgrow, një ndër aktoret më të hijshme të atyre viteve. Filmi “Love Story” i kishte dhuruar asaj pupullaritet dhe një pëlqim të konsiderueshëm nga kritika. Producenti i filmit “The Getaway” David Foster, do të organizonte një takim midis saj, McQueen dhe regjisorit Sam Peckinpah. Sipas Foster ajo ishte shumë e frikësuar për këtë takim duke qenë se fama për McQueen dhe Peckinpah ishte se ato ishin “të egjër, sherrxhi dhe birrëdashës”. Por, në takim atraksioni midis të dyve ishte manjetik. Ali McGraw do të shprehej: ” Isha kaq e frikësuar nga tërheqja e pakontrollueshme që ndjeja për të.” Historia e dashurisë së tyre do të fillonte gjatë xhirimit të filmit duke bërë që McQueen të ndahej nga gruaja e tij dhe po të njëjtën gjë do të bënte dhe McGraw. Pasioni i tyre do të kurorëzohej me lidhjen e tyre në martesë në vitin 1973. Martesa e tyre do të përfundonte më pas në vitin 1978.
80’-ta do të ishte viti i shuarjes së një prej yjeve më të shndritshëm, të veçantë e kompleks në të gjithë historinë hollivudiane, mbretit të joshjes Steve McQueen.