Mbyllet Java Çame në Varrezat Monumentale të Shqiptarëve të Çamërisë
Java e Historisë dhe Kulturës së Çamërisë përfundoi në Varrezat Monumentale të Shqiptarëve të Çamërisë në fshatin Kllogjer të Sarandës, ku prehen eshtrat e më shumë se 2700 shqiptarëve të Çamërisë që vdiqën nga etja dhe uria pas gjenocidit të kryer ndaj tyre.
Në këtë aktivitet përmbyllës morën pjesë një delegacion i Shoqatës “Çamëria” kryesuar nga kryetari i shoqatës, Ardian Tana, i shoqëruar edhe nga deputetët e PDIU-së, Tahir Muhedini dhe Omer Mamo.
Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana, vlerësoi kujtimin e të gjithë atyre që humbën jetën nga kalvari i rëndë i rrugëtimit pas genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. “Ne kujtojmë ata gjyshër, prindër, paraardhësit tanë që humbën jetën nga etja dhe nga uria, por kujtojmë edhe të gjithë ata që u vranë barbarisht nga forcat zerviste në Çamëri. Janë rreth 3 mijë të vrarë në genocid dhe po aq që humbën jetën këtu”, tha Tana.
Deputeti Tahir Muhedini vlerësoi se si çdo vit, shoqata “Çamëria” dhe PDIU organizojnë këtë ceremoni përkujtimore në respekt të atyre që ishin vrarë. “Nëse përpara pak vitesh këtu nuk kishte një varrezë për të respektuar ata që u vranë nga fashisti Zerva, sot ne kemi një vend ku të vendosim lule”, tha Muhedini.
Deputeti Omer Mamo theksoi në fjalën e tij se nderimi ndaj paraardhësve është një detyrë e shenjtë për cilindo dhe ngenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë duhet të përkujtohet çdo vit, në shenjë respekti ndaj atyre që dhanë jetën vetëm pse ishin shqiptarë.
Mbyllet Java Çame në Varrezat Monumentale të Shqiptarëve të Çamërisë
Në Kllogjer të Sarandës dhanë jetën rreth 2700 shqiptarë të Çamërisë nga etja dhe uria, pas kalvarit të mundimshëm të dëbimit nga Çamëria, teksa aty ishte ngritur kampi që priste refugjatët. Rreth tre mijë të tjeër humbën jetën nga genocidi i ushtruar nga forcat zerviste në Çamëri, duke bërë që thuajse 20 për qind e popullsisë shqitpare të Çamërisë të ketë vdekur në genocid.
Java e Kulturës dhe Historisë së Çamërisë është një javë përkujtimore që zhvillohet çdo vit, përgjatë javës kur është 27 qershori, dita e nisjes së genocidit, me Masakrën e Paramithisë më 27 qershor 1944 dhe që prej vitit
1994 është njohur me ligj të shtetit shqiptar si “Dita e Genocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë nga Forcat Shoviniste Greke”.
Këtë vit, Java Çame nisi njëkohësisht në Tiranë dhe në Prishtinë, që u dekoruan me “I Love Çamëria” dhe “70 vjet Genocid”, për të treguar se i gjithë kombi shqiptarë është i bashkuar kur vjen fjala për çështjen çame, si pjesë e pandashme e çështjes kombëtare. Ajo mblodhi për herë të parë të gjithë aktorët politikë, duke bashkuar kryetarët e partive parlamentare në mbështetje të kësaj kauze në Ekspozitën e mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar.
Java Çame u pasurua me botimin e një libri nga studiuesit më të njohur të fushës për çështjen çame, simpozium shkencor për rilindasin Hasan Tahsini, mbajtjen e një minutë heshtjeje nga të gjithë deputetët në Parlament dhe kulmimin e vetë një tubim madhështor në qendër të Tiranës, përpara se të përfundonte si çdo vit në Kllogjer të Sarandës, pak kilometra nga kufiri në Qafë Botë