“Më 30 qershor do ketë grupe kriminale të paguara”, ç’thotë Rama
Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Real Story” në Vizion Plus tha se ekziston mundësia që më 30 qershor të ketë njerëz të paguar që do tentojnë të prishin zgjedhjet.
Kreu i qeverisë theksoi se zgjedhjet do të mbahen sidoqoftë me çdo kusht.
“Patjetër që jemi të sigurt. 100% të sigurt. Presidenti ka thënë nëse palët bien dakord unë jam dakord që ta shtynë. Por ka diçka që pala kryesore që jemi ne nuk jemi dakord. Presidenti ka qenë shumë korrekt për këtë gjë që ua kalon palëve. Ne nuk jemi dakord dhe kaq. 30 qershorin nuk e kemi vendosur ne. Është vendosur nga Kushtetuta”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë tha se do të ketë grupe kriminale më 30 qershor. “Nuk do ketë mijëra njerëz në 30 qershor, do ketë grupe kriminale dhe njerëz të paguar, por besoj që deri në atë ditë do fillojnë të mendojnë për problemet më pas”, tha Rama