Opinion

Më i gëzuar që e kanë marrë, se sa që e kanë sharë 

Nga Mero Baze

Zëvendëskryeministri i qeverisë italiane, Antonio Tajani, i ka telefonuar Sali Berishës duke e paralajmëruar ashpër se një protestë kundër Italisë, organizuar nga partia e tij, do të kishte pasoja të rënda për të dhe raportet me Italinë.

Biseda e ashpër ka ndodhur pas paralajmërimeve të Sali Berishës se do të udhëhiqte protestat kundër marrëveshjes Rama- Meloni për akomodimin e emigrantëve të paligjshëm që tentojnë brigjet italiane në një bazë ushtarake në Shëngjin.

Pak para se Berisha ta bënte publike bisedën, ka pasur njerëz të afërt me të që bënë deklarata se Edi Rama kërkon të nxjerrë Berishën “non grata” dhe në Itali.

Me sa duket Berisha e ka perceptuar bisedën me zëvendëskryeministrin Tajani, si një paralajmërim që nëse e bën protestën, do të shpallesh “non grata”, dhe është tërhequr.

Nuk besoj se Tajani ja ka thënë këtë, por me sa duket Berisha tani mendon se të gjithë do ta fusin në listë të zezë, dhe është i kënaqur që ka arritur një “Pazar’ që të tërhiqet.

Argumentet nuk i kishte gjetur keq për tërheqje. Tha se nuk duhet të protestojmë kundër një vendi të lirë dhe aq më tepër një vendi mik si Italia që na është gjendur gjithnjë pranë.

Në fakt dhe SHBA na është gjendur gjithnjë pranë dhe është vend i lirë, por ai bën vazhdimisht protesta kundër tyre. Madje bën përditë në çdo konferencë shtypi.

Por ajo që bën përshtypje në gjithë këtë histori, ishte gëzimi që kishte Sali Berisha që zëvendëskryeministri Tajani e kishte marrë në telefon.

Ky gëzim e tejkalonte tonin e ashpër të bisedës dhe kërcënimet që i kishte bërë. Ajo që i ka munguar atij që nga shpallja “non grata” nga SHBA është që nuk e merr askush në telefon dhe nuk i shkel askush në zyrë. Tajani e ka marrë dhe e kishte bërë të lumtur.

Pas kësaj ai ishte gati jo vetëm të tërhiqej nga protesta, por t’i dalë zot dhe Edi Ramës se mos ja shan njeri marrëveshjen me Melonin.

Gëzimi që dikush më në fund e përfilli dhe i kërkoi diçka e ka lumturuar, pasi i duket vetja njeri që ka diçka në dorë. Ja për shembull mund të paralajmërojë protesta kundër Italisë dhe i detyron ta marrin në telefon. Me SHBA dhe Britaninë e Madhe nuk i ka ecur shumë. S’ka lënë gjë pa u thënë e pa protestuar kundër tyre, po ata nuk e kanë marrë në telefon dhe as janë shqetësuar. Madje as kur i kërcënon me gjyqe në Francë.

Ky rasti i Italisë i ka dhënë shumë shpresë se si mund t’i rregullojë raportet me vendet e tjera evropiane. Duhet të planifikojë ndonjë protestë kundër çdo vendi, me radhë. Një herë kundër Gjermanisë, pastaj kundër Francës, Spanjës e me radhë, se ndoshta dikush e merr në telefon. Rasti i Tajanit është një shembull që ai e ëndërron. Dhe një arsye më shumë për t’i mobilizuar demokratët të jenë më të egër dhe të ashpër me SHBA dhe Britaninë e Madhe, se ndoshta dhe ata e marrin në telefon. Pastaj le të thonë çfarë të duan në telefon, po ta marrin një herë se i plasën buzën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button