Bota

Meksikë, terror në lokalitetin turistik të Akapulkos; përleshje me armë polici-trafikantë

Momente paniku janë verifikuar gjatë natës në Akapulko, destinacioni i njohur turistik në bregun e paqësorit të Meksikës, për shkak të një seri shkëmbimesh zjarri mes kriminelëve dhe agjentëve të policisë.

Të shtënat kanë përhapur terror në një nga zonat më të vizituara të qytetit, që nuk konsiderohet më parajsa e sigurt turistike.

Gjithçka filloi me dy sulme të verifikuara njëkohësisht, me siguri të koordinuar, kundër selisë së policisë federale meksikane dhe “Playa Suites”, një kompleks turistik ku qëndrojnë zakonisht agjentët e dërguar në Akapulko nga qeveria qendrore.

Këto sulme, në të cilat një nga kriminelët mbeti i vrarë dhe një polic i plagosur, kanë vijuar me ndjekje dhe shkëmbime zjarri përgjatë vijës bregdetare Miguel Aleman, epiqendër e aktivitetit turistik, ku qindra persona janë detyruar të strehohen në dyqane e qendra tregtare për t’u mbrojtur nga plumbat.

Prokurori i shtetit Gerrero, Xavier Olea Pelaez ka deklaruar se, është thuajse e sigurt që sulmet të kenë qenë një përgjigje ndaj arrestimit të dy bosëve të rëndësishëm të narkotrafikut.

Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, deri para pak vitesh dhuna e luftës së drogës në Meksikë kishte mbetur jashtë territorit të Akapulkos, por gjërat së fundmi kanë ndryshuar, duke goditur rëndë turizmin në këtë lokalitet, që është njëkohësisht një nga burimet kryesore të të ardhurave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button