Merr fund saga, Kuvendi i Kosovës voton mes debatesh ngritjen e Speciales
Kuvendi i Kosovës i dha fund sagës së ngritjes së Gjykatës Speciale, duke votuar këtë të hënë në seancën maratonë për ngritjen e saj.
Në favor të amendamentit 24 të Kushtetutës së Kosovës, që i hap dritën jeshile ngritjes së gjykatës që do hetojë dhe gjykojë pretendimet për krime lufte, votuan 82 deputetë nga 117 që ishin të pranishëm në sallë, 5 deputetë votuan kundër dhe një abstenoi.
Seanca është shoqëruar me debate të ashpra mes përfaqësuesve të koalicionit qeveritar dhe deputetëve të opozitës, veçanërisht atyre të Vetëvendosje. Albin Kurti tha se gjykata hedh baltë ndaj Kosovës dhe luftës çlirimtare, ndërsa zv.kryeministri Thaçi u shpreh se ngritja e kësaj gjykate është një domosdoshmëri për rrugën integruese të vendit.
“Duke qenë se Kosova është republikë parlamentare, atëherë le të votohen në Kuvend”, ka deklaruar Kurti.
Gjithashtu, Kurti ka kritikuar atë amendament që parashikon burgimin e të dyshuarve në shtete të tjera dhe jo në Kosovë.
“Kjo është njësoj si burgu i Guantanamos. Por ndërsa burgu i Guantanamos dihet që ndodhet në ishullin kuban, në rastin tonë nuk dihet se ku do të burgosen të dyshuarit. Mund të jenë vende që janë Kundër UÇK-së dhe që janë edhe kundër ndërhyrjes së NATO-s”, ka thënë Kurti.
Ish-kryetari i Vetëvendosjes ka kritikuar edhe atë pjesë të amendamenteve, që parashikojnë se gjyqtarët kosovarë nuk do të përfshihen në procesin gjyqësor.
“Duke bërë thirrje për pastrim, neve duan të na vulosin si të papastër. Këto janë metoda të ndyra”, ka thënë Kurti.
Hashim Thaçi, pasi bëri një rezyme të shkurtër që prej daljes në skenë të UÇK-së, e deri në marrjen e pavarësisë, u kërkoi deputetëve të votojnë ngritjen e gjykatës speciale.
“Deputetë të nderuar, qeveria e Kosovës ka proceduar ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të themeleohet gjykata speciale, si një vendim jo i lehtë, por i domosdoshëm në kohë dhe përgjegjësi për thellimin të partneritetit me bashkësinë ndërkombëtarë, i përgjegjësive tona për të mos patur pengesa që do na vononin në integrimin euroatlantik. Ne këtë vit mund ta shndërrojmë në një vit europian të Kosovës”, deklaroi Thaçi.
Thaçi akuzoi partitë politike opozitare për pengim të ngritjes së ushtrisë së Kosovës për interesa të ngushta të saj.
“Themelimi i ushtrisë së Kosovës, i Forcave të Armatosura të Kosovës, është peng i interesave të ngushta të politikës shqiptare. Partnerët e koalicionit, edhe minoritetit serb, kanë shprehur vullnet për ta votuar”, deklaroi Thaçi.
Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti replikoi me Hashim Thaçin.
“Unë nuk mendoj se UÇK ka kryer krime lufte, por ka ish-luftëtarë të UÇK-së që kanë kryer krime pas luftës. Korrupsioni është një krim. Ky vend është pas sot, është këtu sot për shkak të krimeve të luftës së serbisë dhe krimeve të paqes së shqiptarëve”, tha Kurti.