Kronika

Merr zgjidhje problemi i ujërave të zeza për 5 mijë banorët e rrugës “Mihal Grameno”

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës merr zgjidhje furnizimi me ujë dhe problemi i ujërave të zeza për 5 mijë banorët e zonës pranë “Shkollës së Baletit”. Bashkia e Tiranës po punon për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve në rrugën “Mihal Grameno”, ku vazhdimisht ka pasur vështirësi, si pasojë e daljes së ujërave në sipërfaqe dhe bllokimit të tubacioneve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Besnik Baraj dhe Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, inspektoi punimet që po ecin me ritme të larta dhe theksoi se përmes këtij investimi merr zgjidhje problemi i ujërave të bardha dhe të zeza në një zonë ku nuk ishte ndërhyrë prej 50 vitesh.

“Rikthehemi në rrugën ‘Mihal Grameno’ pas 50 vitesh; një rrugë e cila ishte planifikuar vetëm për disa qindra banorë. Kurse, sot ky është një investim që katërfishon kapacitetet për ujërat e zeza, ujërat e bardha dhe krejt papritur rruga ‘Mihal Grameno’, nga një rrugë e cila ishte një përrua, sot sistemohet dhe është një tjetër rrugë që u shpëton përmbytjeve dhe që i rikthehet urbanizimi dhe infrastruktura e nevojshme për ujin e pijshëm”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku garantoi qytetarët se Bashkia e Tiranës do të jetë e pranishme me investimet e saj për përmirësimin e infrastrukturës, pavarësisht periudhës së fushatës zgjedhore apo stinës së verës. Veliaj renditi një sërë investimesh që janë ndërmarrë në Njësinë nr. 2, të cilat janë drejt përfundimit. “Do të jemi në terren gjatë gjithë këtij muaji, edhe gjatë fushatës, edhe pas fushatës, edhe gjatë pushimeve, edhe kur të fillojë shkolla. Këtu po përfundojmë edhe disa projekte të tjera, po asfaltojmë në Sauk, një tjetër zonë që është rritur. Po bëjmë gjithashtu një investim mbrapa Ambasadës Amerikane, ndaj i kërkoj stafit të Bashkisë që pavarësisht se politika, partitë do kenë aktivitetet e tyre, të jemi të fokusuar tek puna, duke besuar që puna e përditshme është edhe fushata më e mirë në qytetin e Tiranës”, theksoi ai.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në shfrytëzimin e ujit të pijshëm, ndërsa i ftoi që në rast të problemeve, të drejtohen pranë zyrave të reja të UKT-së.

Gjithashtu, kreu i bashkisë ftoi të gjithë banorët e kësaj njësie që të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i komuniteteve” i vendosur në dispozicion nga Bashkia e Tiranës për të përmirësuar infrastrukturën në komunitetin e tyre.

Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka ndërmarrë një seri tjetër projektesh të rëndësishëm në njësinë administrative nr. 2, veçanërisht për rikonstruksionin e rrjetit ujësjellës-kanalizimeve, pasi rrjeti ekzistues paraqet probleme të mëdha si pasojë e amortizimit ndër vite.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button