Libri

Mes arvanitasve, në gjurmët e konsullit Henri Belle

Nga Luan Rama

Librin e konsullit francez Henri Belle Tre vjet në Greqi (Trois années en Grèce) e kisha lexuar para disa vitesh dhe ishte udhëtimi para një viti nga Athina drejt Eleusës, Evias, Thivës, Livadhjasë e deri në Delf që më risolli përshkrimet e këtij konsulli mbi shqiptarët e Greqisë dhe simpatinë e tij të madhe për ata kur shkruante: “Te shqiptarët mund të kesh besim të plotë … Janë të ndershëm dhe me një besnikëri proverbiale. Të gjithë janë burra të bukur, me pamje të fuqishme e burrërore … elementi dominues është elementi shqiptar, ku nuk duhen ngatërruar shqiptarët e besimit ortodoks me ata myslimanë, të cilët për interesat e tyre janë të lidhur me Turqinë. Gjithë Atika dhe Beotia, jugu i Eubesë, ishujt Hidra, Spezai, Andros, gjithë Argolidha dhe Karinthia, madje dhe jugu Elidës dhe vargmalet që zgjaten përgjatë bregut perëndimor të Peloponezit, nga Alfe gjer në gjirin e Navarinit, janë të banuara me shqiptarë. Më 1830 bavarezët që kishin poste zyrtare në oborrin e mbretit Othon, ishin të detyruar të mësonin gjuhën shqipe dhe në Athinë kishte një gjykatë të veçantë shqiptare. Edhe sot, në shumë fshatra, nëse flet greqisht është e pamundur të kuptohesh nga ata. Gjithë tentativat e propagandës ruse në Shqipëri kanë dështuar dhe për këta malësorë veçanërisht në jug, si toskët, japigët (labët), çamët dhe suljotët, është e lehtë t’i bashkohen helenizmit. Shpirti, shpresat, gjuha, pak nga pak ato filtrojnë dhe marrëdhëniet që krijohen midis dy popujve, emigrimet në tokën e lirë të mbretërisë, përgatisin një vëllazëri që mund të ketë një influencë reale në ngjarjet e së ardhmes …”

Henri Belle e shikonte me një lloj realizmi e njëkohësisht romantizmi bashkëpunimin e dy popujve, atij grek e shqiptar, bazat e të cilit ishin hedhur gjatë viteve të revolucionit grek për pavarësi përmes figurave historike si Boçari, Kondurioti, Miauli, Bubulina, Tombazi, Çamadi, e një radhë e gjatë heronjsh të kësaj lufte, por dhe më pas, kur disa herë shqiptarët e Greqisë tentuan ta shkëpusnin Shqipërinë nga Perandoria Osmane me përpjekjen e krijimit të një shteti të përbashkët greko-shqiptar, histori në të cilën u pleks në një çast të dhënë dhe shkrimtari Aleksandër Dymas, i cili ëndërroi të bënte për Shqipërinë e Greqinë atë që kishte bërë Garibaldi për Italinë e bashkuar. Por kjo dukej si një histori rokamboleske. E habitshme është se të njëjtin konstatim si Belle kishte bërë më parë etnografi dhe kartografi i njohur francez Guillaume Lejean, i cili udhëtoi në Shqipëri, Epir dhe në Greqi, duke arritur në konkluzionin e shprehur në botimet e tij se “në Greqi, gjaku helen është përzier me atë shqiptar”. Në atë kohë, ky konstatim ishte më se normal dhe realist, madje i pakundërshtueshëm nga grekët dhe politikanët e saj, (veçse historiani Fallemayer pësoi dënimet më të mëdha pse shkoi shumë më thellë historisë). Arvanitët ishin në tryezën e vendimmarrjes politike të së ardhmes së Greqisë, por sot, me kalimin e kohës dhe me peshën e historisë së ngarkuar me luftëra dhe hegjemonizëm, një thënie e tillë duket si sakrilegj, e padyshim, jo nga shqiptarët, por nga grekët. Ne këtu veç konstatojmë atë ç’kanë shkruar historianët, diplomatët, shkencëtarët e huaj dhe jo ne, që mos të na akuzojnë pastaj për nacionalizëm. A kemi të drejtë të pohojmë konkluzionet historike të perëndimorëve mbi gjendjen e Ballkanit, të Shqipërisë e Greqisë në atë kohë? Sigurisht që po, dhe kjo me një qëllim të mirë, për të theksuar faktin që shpesh ne kemi përjetuar një histori të përbashkët çka përbën dhe bazën për një të ardhme të përbashkët, veçanërisht sot.

Belle kishte ardhur në Greqi në vitin 1861, hipur në një anije që vinte nga jugu i Italisë drejt brigjeve joniane, duke kaluar pranë Hidrës hijerëndë dhe shkëmbore, një ishull, si dhe Spezai “motërza” e saj disa milje më larg e banuar dhe ajo me arvanitas që do t’i linte një përshtypje të veçantë, siç shkruan dhe në reportazhin e tij, por veçanërisht në librin: “E panjohur dhe e pabanuar para shekullit XVIII, Hidra u bë në këtë epokë një vend strehimi për shqiptarët që i iknin tiranisë së funksionarëve turq. Por nëse ashpërsia dhe mjerimi i këtij vendi shkëmbor u garantonte atyre qetësi, në të kundërtën ajo nuk u garantonte asnjë mjet për ekzistencën e tyre. Ata nuk paguanin taksa, por veç u jepnin turqve disa marinarë për flotën e tyre imperiale. Ata vetëqeveriseshin. Asnjë funksionar osman nuk vinte të vëzhgonte e të kontrollonte vendimet e prijësve të tyre. Ishte një republikë e vërtetë e pavarur, ku prijësit zgjidheshin gjithnjë nga e njëjta familje. Ata ishin prijës që s’mund t’i kundërshtoje. Një këshill pleqsh gjykonte proceset e rralla që mund të ndodhnin. Të gjitha anijet e tyre që lundronin me flamurin osman, u bënë po aq pirate e të rrezikshme që sulmonin flotën e sulltanit deri në brigjet me topat e Azisë. Tombazët, Çamadët e veçanërisht Miaulët, të tre hidriotë, panë që emri i tyre shumë herë u duartrokit nga e gjithë Europa, e cila i shikonte me simpati peripecitë e kësaj lufte…” Dhe ai nuk mungon të përshkruajë jetën e këtij ishulli dhe kontributin e tij historik përmes familjeve të mëdha dhe anijeve luftarake. “Koka e grave me një shall të madh mëndafshi në ngjyrë të verdhë e të çelët, qëndisur me të artë, bënte që ato t’u ngjanin virgjëreshave të piktorit Bida. Kishin një rrobe të sipërme, e ngushtë dhe në velur të kuq, tepër e shkurtër dhe e mbërthyer në gjoks, e hapur përpara e me mëngë të ngjitura që mbaronin me qëndisma ari. Më sipër u shfaqej një këmishë e hollë …”.

Pasi kalon Hidrën, Belle i drejtohet Athinës dhe ndalon në portin e saj në Piré, që siç shkruan ai, për disa dhjetëvjeçarë, ky port i banuar me pak njerëz, tashmë kishte filluar të popullohej. Sigurisht Athina për të ishte një zbulim, për faktin e vetë historisë së qytetit, por dhe të pasurisë së objekteve antike, Akropolit dhe tempujve të tjerë, ende në këmbë, të cilat ishin krenaria e Greqisë dhe ajo çka grishte gjithnjë udhëtarët e Perëndimit, veçanërisht letrarë, arkeologë, historianë piktorë e artistë të shumtë që vinin të njiheshin nga afër me bëmat plot shkëlqime të një antikiteti të lavdishëm. Pas një qëndrimi në Athinë, siç shkruan Belle në reportazhet e tij, ai nis udhëtimet në Greqinë kontinentale, pra Greqinë pa ishujt, duke filluar udhëtimin drejt Eleusës dhe Mandras, ku pikëtakon mjaft shqiptarë. “Ja tokat e Eleusës … burra me fez të kuq, gra të veshura me të bardha, fëmijë këmbëzbathur dhe koshat me rrush të zi … pronarë të këtyre tokave janë pothuaj të gjithë shqiptarë, të cilët kanë krijuar një sindikatë për të kontrolluar shpërndarjen e ujit dhe për të gjykuar ankesat …” Ai vështron ndërkohë nga ullinjtë, trungjet e pemëve, palmat dhe shton se “të ngjan sikur imazhet e tablove e këndshme të piktorit Decamps, që e kanë bërë të mrekullueshëm Orientin, kanë ikur nga tablotë dhe kanë marrë jetë këtu para syve tanë“. Ata vazhdojnë udhëtimin dhe pikëtakojnë “gra shtatlarta, me hundë të gjatë, pak të përkulur, thatime e me sy të vegjël“. “Janë shqiptare të Elefsinës, të një fshati të mjerë që anashkalojmë, ngjitur me qytezën antike të Eleusës, në një cep të kodrinës së gurtë në cep të detit. Nga tempulli i famshëm i Geres kanë mbetur veç ca gurë të bazamentit … ndërsa torra katrore është e kohës së Mesjetës, çka përbënte një postë fortifikimi për të survejuar bregun …”

Edhe unë e vizitova Mandrën. Shkova në Vilia-n e bukur plot lule, lart mbi kodrina dhe pastaj zbrita poshtë në Kryekuq, për shqiptarët e së cilës shkruante Floberi në kujtimet e tij. Isha i shoqëruar nga një arvanitas i moçëm, i cili më çoi në këtë fshat apo qytezë, ku në hyrje të ndërtesave më tregoi lapidarin me portretin e gjyshit të tij, një nga figurat historike të revolucionit. Ishin pikërisht ato vende nga kishte kaluar dhe konsulli francez në vitet 1861 dhe 1862. Pas Kryekuqit dhe Eleusës, Belle, i shoqëruar nga një drogman grek, Aleksandros, i ishte afruar Mandras, “e banuar nga një koloni shqiptare”, siç shkruante ai.– Burrat e grumbulluar para kafenesë së vetme të komunës na vështrojnë me një shikim disi të rëndë. Ballë i dalë, mollëza të kërcyera, mustaqe të verdha, të ashpra, të prera si të tartarëve, flokë të rruara veç jo prapa, nga ku varet një tufë flokësh, çka na kujton tipat bullgarë apo më mirë hunët e sllavizuar … Kur udhëton në Orient, në çdo hap të del një problem etnografik, çka është burim zënkash i shkencëtarëve me ndjeshmëri nacionale. Grekët duan të jenë me çdo kusht të të njëjtit gjak si helenët e kohës së Themistokliut. Megjithatë, në fund ata arrijnë të binden se me përjashtim të Manjës dhe disa ishujve, Greqia është e populluar nga një racë e re si pasojë e kryqëzimit me tributë e veriut, veçanërisht me shqiptarët. Këta shqiptarë kanë sjellë me vete instinkte të reja, zakone të veçanta që ia kanë imponuar racës helene, duke u përzier me të, trajtat e fizionomisë së tyre dhe forcën e tyre morale. Pra duhet zhveshur iluzioni klasik dhe të mësojmë ta duam kauzën greke ndryshe nga ideja e lidhur veç me kujtimin e të parëve të tyre. Këta shqiptarë të Mandras kanë mbetur jo aq socialë. Ata njihen për trimëri, por dhe me karakter jo të mirë, çka i bën ata të respektohen nga grupet e kaçakëve që enden nëpër Greqi. Me ata, shqiptarët s’kanë dashur të kenë asnjëherë lidhje vëllazërore … Nuk kuptojnë asnjë fjalë greke dhe u përgjigjen në mënyrë të menjëhershme pyetjeve tona …” Në Beoti, ku ai vazhdon udhëtimin e tij, shton se “Pothuajse të gjitha gratë këtu janë shqiptare, madje dhe ato në Vilia apo fshatrat e tjera të Kiteron. Janë gra të varfra e të mjera, që nuk e kanë atë freski dhe pamje të bukur që kishin gratë e dikurshme të Beotisë … Këto figura të dobëta me kockat që u dallohen, janë të një race më të ashpër dhe më pak të lëmuar. Grupe të shumta grash ngjiten e zbresin përgjatë një kodrine në majë të së cilës gjendet një kishë e vjetër. Ky sanktuer (tempull i shenjtë) kushtuar Shën Lukës është ngritur sipas traditës në vendin ku ndodhej tempulli i vjetër i Apollonit Ismenus …” Në drekë, pasi kalojnë fshatrat e Spaides, Dritza dhe Bratsi, “të populluar nga shqiptarë”, siç shkruan ai, Belle me shoqëruesit e tij mbërrijnë në Tanagra. Por një udhëtim tjetër vitin e kaluar më bëri të ndjek gjurmët e konsullit francez dhe kjo në Evian e bukur ku më pëlqejnë plazhet e virgjra dhe paqja që mbretëron në kodrinat plot gjelbërim, por dhe te njerëzit dhe bukëpjekësit e fshatit. Gjithçka duket dehëse, det, pyje me pisha, faqe kodrinore plot ullinj, qetësi dhe gryka ku gurgullojnë përrenj të rrëmbyer. Dhe menjëherë e kupton pse shqiptarët ishin vendosur atje prej tre shekujsh dhe kishin populluar ishullin, si dhe barinjtë vlleh. Belle shkruante se kishin qenë shqiptarët e Hidrës që kishin ardhur këtu. Dhe ashtu, hipur mbi kuaj, ai kishte zbritur në Mantudhi e pastaj në Agjia Ana. “Mbërrijmë në Mantudhi, – shkruante në libër Belle, – një fshat i madh që është ngritur në rangun e nënprefekturës ku mbretëron një mjedis i pastër dhe i begatë. Banorët e saj janë pothuaj të gjithë të ardhur e të emigruar nga Hidra, duke sjellë një eksperiencë në fushën e ndërtimit, çka tani i jep një pamje të veçantë shtëpive të ishullit. Në orën dhjetë ne mbërrijmë në fshatin e Agjia Anës me një sipërfaqe të madhe e të shtrirë, ku nga lart duken tutje në horizont Skopelos dhe Skiathos. Sot festohet dita e Shën Konstantinit, një nga shenjtët më të mëdhenj të kishës ortodokse, ku në shesh turma e njerëzve po zbavitej. Eubea (Evia e quajtur më pas. L.R.) e veriut është e famshme për vallet e saj. Ajo që po interpretojnë banorët e Mantudhit është një valle e quajtur “sirtos”, me lëvizjet ritmike të peshkatarëve që tërheqin rrjetat në breg. Në fillim është korifeu, pastaj burrat e më pas gratë e pastaj vajzat e reja e fëmijët. Ata nuk kapeshin nga duart, por shamitë krijonin një lloj vargu njerëzor që gjallonte në atë shesh nën tingujt e muzikës së një orkestre të çuditshme të përbërë nga dy vlleh bohemë, ku njëri i binte fyellit dhe tjetri i binte fort tamburasë në një formë kungulli. Fytyrat e tyre thatime e ngjyrë ulliri, mollëzat e tyre të dala, flokët tepër të gjata ngjyrë abanozi e që u binin pas, flisnin për origjinën e tyre aziatike, ku në sytë e tyre të mëdhenj e të zinj reflektoheshin dritëza të kuqërremta, saqë të dukej se në to reflektoheshin ngjyrat plot shkëlqime të Indisë, atdheut të të parëve të tyre, si dhe gjithë atmosfera klimatike e brigjeve të lumit Gang. Ata shikonin para tyre me atë qetësinë e një statuje të Vishnës. E megjithatë, nganjëherë kishin një lloj nënqeshje me atë rreth njerëzish të gëzuar që lëviznin rreth tyre. Në cep të sheshit qëndronte prifti me mjekrën e tij të bardhë, që i mbështetur mbi shkop dhe në shoqërinë e disa pleqve, shikonte ata që kërcenin. Është e pamundur të imagjinosh një skenë të tillë të gjallë e piktoreske nën tingujt britës e të përsëritur të tamburasë që gjëmonte disi, të shikoje atë varg tunikësh të bardhë të grave që kërcenin, një varg që vallëzonte, me ato përparëse para tyre dhe brezat e mëndafshtë e të kuq. Sfondi i kësaj skene të mrekullueshme përbëhej nga gërxhe më të larta dhe kodrinat e blerta në ijët e malit Kandili, ashtu i zhveshur, me gurë, dhe aty këtu me pisha, e ku përrenjtë kanë lënë gjurmët mbi të. Në të gjitha anët e atij sheshi vazhdonin të vallëzonin në rrathë të ndryshme, madje në një rrugicë afër nesh gjetëm një grup të vogël prej 7-8 vajzash të reja që të kapura për dore hidhnin një valle me një lloj ritmi e kadence sipas tingujve të një kitare të keqe me dy kordonë që i binte një grua plakë, ndërkohë që dy camërdhokë me flokët biondë e sytë e zinj kërkonin t’i imitonin. Ato vajza të reja ishin të këndshme e me tipare më të hijshme se athinaset dhe shumica kishin flokë të verdhë, disi të hirtë …”

Gjatë këtij udhëtimi, Belle mbante shënime, por dhe vizatonte. Skicat e tij do të ishin bazë e vizatimeve të piktorëve të njohur që do të ilustronin reportazhet e tij dhe që disa po i vendosim në këto shënime. “Mbi shesh, një valle të rinjsh ishte formuar. Me duart e vendosura mbi supet e njëri-tjetrit ata hidhnin tre hapa në një anë dhe një hap pas, ndërkohë që prijësi i valles, një djalosh shtatlartë e i zhdërvjelltë, me një fez që i varej mbi vesh, ushtronte me forcë lëvizjet e këmbëve me një pamje krenare dhe të mrekullueshme, ku një çast nxitonte e një çast tjetër ngadalësonte sipas ‘adagio’-s apo ‘scherzo’-s së orkestrës. Dukej i palodhur dhe herë pas here lëshonte një klithmë të fortë, duke parë me një vështrim sentimental aty anash një vajze që nuk ishte tjetër veçse e fejuara e tij. Ishte një fshatare e shëndetshme, së cilës i shkëlqente fytyra, e freskët dhe e zhvilluar, shumë simpatike dhe me një hundë të përkulur, por që mjerisht ishte veshur si europiane, d.m.th. me një krinolinë jeshile dhe një korsé tepër të shtrënguar pas trupit që i jepte një pamje të zakonshme për ne, në kontrast me veshjen e shoqeve të saj. Pas pak ajo e la atë mjedis që të vinte me një veshje tjetër, përsëri europiane. Madje atë mbrëmje ajo u ndërrua tri herë. Si vajzë e kryetarit të fshatit, ajo donte të dallohej nga shoqet e saj dhe me naivitetin e vet mendonte se lordi, siç u thërresin të huajve këtu, do të tregonte admirim për këtë veshje luksoze. Por e varfra nuk dyshonte aspak në mendimet që shkëmbenim ne kur e shikonim tek lëvizte me vështirësi, e shtrënguar nga ajo korsé aspak e bukur që i shëmtonte linjat e trupit të saj, jo të mësuar me qytetërimin tonë. Ky shembull jo i këndshëm, në të kundërtën shihej me zili nga shoqet e saj. E megjithatë ato vajza ishin shumë të bukura me fustanet e tyre të gjata prej leshi të bardhë e të qëndisur me mëndafshe me ngjyra, me ato mëngë që u tundeshin në ajër, me ato shami të tejdukshme mëndafshi që u rrethonin kokat e ku dy cepat e tyre u tundeshin plot hije nga pas. Këto vello të prodhuara në Kumi dhe që nuk njihen në pjesën tjetër të Greqisë janë të një finese të jashtëzakonshme dhe bien mbi trupin e tyre si një lloj reje poroze dhe e dallgëzuar plot efekt. Si kapele, ato kishin një lloj fezi të kuq të mbuluar pak a shumë me një radhë monedhash të vogla argjendi që përbënin si të thuash pjesën e madhe të prikës së tyre. Të sapomartuarat e mbështjellin mesin e tyre me një brez të shkëlqyer mëndafshi në ngjyrë të kuqe ekarlat. Një lloj fundi u bije mbi rrobën e tyre të zbukuruar me copa argjendi të stampuara sipas modeleve perëndimore. Ndërkohë që ne iknim larg, valltarët e valltaret kërcenin ende. Ne u binim kuajve që të fitonim kohën e humbur duke u ngjitur në ato pjerrësi të ashpra që ngrihen në veri të Mantudhit …”

Gjatë këtij udhëtimi, Belle kalon pyllin e mrekullueshëm të pishave dhe vazhdon drejt Oreas, Lamias. Ata pinë kafe në një han që quhej hani i Bulbul-it (Bilbilit), i cili atëherë ishte ndërtuar me drutë e pishave, ndërkohë që unë e gjeta me gurë dhe një krua me ujë të ftohtë aty pranë. Pastaj ata shkojnë në hanin e Kastaniotisa-s, një vend ku një anglez ishte vendosur bashkë me gruan e tij dhe që para dhjetë vjetësh kishte ngritur një fermë, por atë e kishin plaçkitur dhe vrarë bashkë me gruan e tij. Quhej zoti Leaves. Pastaj Belle ndalon në Oréas. Në atë port vijnë  anijet nga Athina dhe Volos. Bashkë me shoqëruesit, ata shkojnë në shtëpinë e një hidrioti: “Këtu janë vendosur shumë hidriotë, të cilët dallohen për aktivitetin e tyre, shpirtin e rregullin, thjeshtësinë dhe “bonsensin”. Në sajë të cilësive të tyre të mira, aferat e tyre shkojnë mbarë dhe nuk është e rrallë të gjesh nga ata që kanë bërë pasuri të madhe. Na futën në një sallon të thjeshtë, por të rehatshëm. Në mure, portrete të heronjve të Revolucionit grek… një gravurë me anijen e hidriotit Tombazi, aktet e famshme të të cilit kanë mbetur në kujtesën e helenëve…” Kur Belle shkon në Tebën e vjetër apo Thiva, siç quhet sot, ai vazhdon të pikëtakojë shqiptarët dhe pikërisht kjo pjesë e tregimit të tij m’u kujtua kur unë udhëtoja drejt Thivës për në Livadhja. M’u shfaq skica e tij me kënetën e liqenit Kopais, e cila u tha veç në vitet ’50-’60 të shekullit XX, por që atëherë ishte burim sëmundjesh të shumta. Atje punonin shqiptarë dhe vllehë: mblidhnin ushujza, pasi tregtia e tyre për sipërmarrësit e Athinës ishte shumë fitimprurëse. Qindra mijëra ushujza merrnin udhën e tregjeve të Ballkanit dhe të Europës. Tutje kënetës ishin fushat, fushat e begata të Beotisë dhe Thivës ku dhe atje punonin dikur shqiptarët… E megjithatë, arvanitasit kishin mbetur aty, gjithnjë. “Në kohën e korrjeve, vijnë këtu grupet e shqiptarëve myslimanë nga 30-40 persona dhe nën komandën e një prijësi të tyre. Është pak a shumë e njëjta mënyrë organizimi si fshatarët e Abruzzë-s që zbresin në fushat rreth Romës. Është prijësi ai që bën dhe kontratën e punës në emër të të gjithëve. Përgjithësisht, këtyre punonjësve u jepet një dhrahmi në ditë, si dhe misër e mjaltë. Grekëve duhet t’u japësh të paktën tri dhrahmi, verë, bukë, si dhe duhan për të pirë. Këta myslimanë nuk pinë asnjëherë verë dhe jetojnë në mënyrë të veçuar, të paqtë dhe ku asnjëri prej tyre nuk ngatërrohet me ndonjë histori të keqe. Te shqiptarët mund të kesh besim të plotë. Edhe pse ata punojnë veçse me ditë apo me muaj gjatë vitit, në gjithë punën e tyre bëjnë një punë të konsiderueshme dhe më shumë se çdo punëtor tjetër, ndërkohë që grekët, nën pretekstin e fesë, tri ditë në javë nuk punojnë, kurse shqiptarët punojnë gjithë javës. Ata nuk kanë ditë festash dhe të premten, veç ndonjë lutje drejt Gurit të Zi të Mekës, u mjafton. Janë të ndershëm dhe me një besnikëri proverbiale. Të gjithë janë burra të bukur, me pamje të fuqishme e burrërore që kontraston me gjallërinë e papërmbajtshme të helenëve. Kur koha për të cilën ishin angazhuar mbaron, të grupuar dhe nën udhëheqjen e prijësit të tyre, ata kthehen në krahinën e tyre, duke marrë me vete atë ç’kanë fituar pa shpërdoruar as edhe një lepta greke. Pa ndihmën e tyre asgjë s’do të ishte bërë e mundur për pronarët e mëdhenj të mbretërisë. Janë ata që bëjnë korrjet, kanalet e ujërave, ato të vaditjes dhe në fakt janë të zotë të punës, çka nuk e gjen kurrkund në këtë vend. Duke pirë cigare, punëtorët grekë i vështrojnë ata tek punojnë, duke kritikuar, përfolur, gjykuar e dhënë këshilla, ashtu si u mbushet mendja duke anashkaluar atë çka duhet të bëjnë vetë për veten e tyre… Të nesërmen në mëngjes, duke dalë nga shtëpia, ne pamë të shtrirë në prag një njeri të mjerë, të dobët e të zverdhur në fytyrë, me një pamje të rrënuar. Ai ngriti kokën me vështirësi dhe nxori një psherëtimë pa mundur të fliste e pa lëvizur. “Është një nga punëtorët tanë shqiptarë”, – tha një nga sipërmarrësit. – Ka një muaj me ethe dhe i pëlqen më mirë të jetë i shtrirë aty sesa të shtrihet në shtëpi”. Si mjekim i jepnin një lloj lëngu prej disa gjethesh që t’i largonte ethet. Ne i dhamë një sulfat kinine dhe i lamë disa kokrra për ditët në vazhdim, duke vazhduar më tutje, por kam frikë se me siguri sipërmarrësi i ka marrë ato për veten e tij. Kjo ethe epidemike që mbretëron në gjithë Greqinë bën kërdinë veçanërisht buzë kënetave dhe liqeneve. Rreth liqenit Kopais, ku pronat e zotit M.S. ishin larg veçse 3 km, kjo ethe po i shfaroste njerëzit. Në katër fëmijë që ka një familje, tre vdesin nga ethet dhe ata që mbeten bëjnë një jetë mjerane dhe të dhimbshme. I sheh ata duke ngrohur gjymtyrët e tyre të vrarëlie në diell, me sytë me zgavra, me një hije plumbi në fytyrë, me barkun e fryrë dhe thonjtë e nxirë nga helmimi. Kështu, krahinat më të bukura të mbretërisë janë bërë të pabanuara nga era e kërmës që mbizotëron gjithnjë e më shumë në terrenet e pambjella dhe të përmbytura. Duket sikur natyra i ka dërmuar këta njerëz nga përbuzja që kishin për ligjin e shenjtë të punës. Nëse grekët përbuzin disi bujqësinë, përsëri ata i bëjnë në mënyrë inteligjente punët e tyre, qeveria kujdesej më shumë për mirëqenien e përgjithshme e begatinë kombëtare, sesa për jetën e këtyre njerëzve. Për dhjetë vjet, ajo do t’i shtonte me një të tretën prodhimet dhe pasuria publike do të trefishohej…”

Kur unë mbërrita në Livadhja, qyteti të dukej disi i lënë pas dore në krahasim me modernitetin e Athinës apo të Selanikut. Rrallëherë mund të dëgjosh fjalë shqip edhe pse shqiptarë të ditëve tona janë instaluar atje. Veç lokaleve, veç arvanitëve të vjetër, të rinjtë duket se e shohin të kaluarën si diçka muzeore, pasi shkollat shqipe kanë munguar përjetësisht në gjithë territorin e Greqisë. Pikërisht këtu kishte ndaluar Belle me shoqëruesit e tij. Kafeneja “Afërdita” nuk ekziston më, por shkrimet e Belle na risjellin një kohë ku jetonin bashkë e në harmoni arvanitas e grekë. Atje ai shëtiti në pazarin e qytetit, kaloi nëpër dyqanet e artizanëve të ndryshëm apo te këpucarët, siç shkruante ai: “Këtu ka këpucë për të gjitha llojet e këmbëve: këmbë shqiptari për të cilat athinasit thonë se janë të gjata dhe ku gishti i madh është në Maqedoni ndërsa thembra në Beoti; këmbë greku, të cilët siç pretendojnë ata janë të përsosura, ka këpucë për fëmijët, gratë etj…” Në biseda me miqtë e tij flitet për kaçakun shqiptar, Daveli, ku një nga fisnikët ankohej se ai herë pas here zbriste me bandën e vet dhe kërkonte para, ushqim, dhi, keca, qengja, gjithçka, dhe ata ishin të detyruar t’ia jepnin. – Po qeveria nuk ju ndihmon? – kishte pyetur ai. – “Po, por ata dërgojnë ndonjë kompani ushtarësh që vijnë e shtrohen këtu, ku hanë e pinë, ndonjëherë dalin në mal dhe kthehen pa parë kaçak me sy; qëndrojnë si të ishin zotër të qytetit, duke abuzuar dhe s’paguajnë asgjë”. Dhe ai i tregon më në fund se Daveli ishte rrethuar në Arashovë dhe ishte vrarë ashtu, si dhe kapiteni grek. Por kishte kaçakë të tjerë që kishin dalë në mal nga dashuria, siç ishte Kiço, i cili dhjetë vjet më parë e tmerroi gjithë Greqinë e veriut. Ishte një histori e vërtetë, por që ishte kthyer në legjendë. Kiço, kishte qenë palikari i pashëm, “gjeli” i fshatit. Ai donte një vajzë, e cila dhe ajo e pëlqente. Por autoriteti i prindërve ishte absolut dhe pa dëshirën e vajzës ia kishin dhënë dorën e vajzës djalit të një tregtari. Ditën e martesës, Kiço kishte hyrë në kishë dhe e kishte vrarë atë djalë duke u larguar dhe duke u fshehur në Parnas, ku formoi një bandë kaçakësh…. Ndërsa Daveli, emri i të cilit përmendej shpesh nga miqtë përreth, ishte një shqiptar i zbritur nga malet e Pindit bashkë me një bashkëfshatarin e tij të quajtur Karabaleqi, më 1856. Bashkë me 60 fshatarë të tjerë ai ishte vendosur në grykat e Parnasit, duke vrarë majtas e djathtas. Një herë, bashkë me 20 trima të tij ai kishte shkuar në qendër të Eubeas, në Halkidha, ku kishte rrëmbyer në mes të ditës gruan e një pasaniku të madh të ishullit, ndërkohë që miqtë e tij e ruanin. Ishte dita e Krishtlindjeve dhe pasaniku në fjalë kishte ikur në Athinë. Gruaja e fëmijët ishin në shtëpi dhe ajo luante letra me një avokat grek, të fejuarin e vajzës së saj. Porta u hap dhe dy të huaj hynë në dhomë. – “Ju më dukeni si banditë”, – u kishte thënë ai. – “A thua”? – kishin qeshur ata kur menjëherë dhoma ishte mbushur me njëzetë kaçakë. Daveli ishte në krye të tyre. E pamundur të rezistoje. Ata morën argjendaritë, zbukurimet dhe vunë të zienin një poçe me vaj që t’u fusnin këmbët. Një nga ata e detyroi gruan të luante letra me të: – Nëse ti fiton unë s’do të të bëj gjë, por nëse unë fitoj ti do të vritesh”. Por ndërkohë, një shërbëtor kishte mundur të ikte dhe kishte dhënë alarmin. Loja ishte nga fundi dhe vaji filloi të ziente kur u dëgjuan zërat e ushtarëve që po vinin. Kaçakët ua mbathën menjëherë duke e marrë gruan me vete si peng. Ajo u çua me kalë deri rrëzë malit të Parnasit, ku e futën në një shpellë të quajtur Korisien. Meqë këpucët iu prishën duke ecur shtigjeve malore, ata dërguan dikë në Livadhja t’i blinte këpucë të reja. Vajzën e trajtonin shumë mirë dhe çdo ditë i jepnin mish qengji të pjekur dhe shumë herë thirrën një prift nga Kastri që t’u bënte meshë…”

Konsullit francez duket se i pëlqenin historitë, tregimet, bëmat e famshme që ndodhnin në gjirin e këtij populli kozmopolit ku jetonin bashkë grekë, shqiptarë, hebrenj, vllehë madje dhe turq të mbetur edhe pas Revolucionit. Henri Belle shkruan gjithashtu dhe për trimëritë e djalit të Odise Andrucos dhe palikarëve të tij, histori që i dëgjoi gjatë udhëtimit të tij nga Livadhja drejt Parnassit, vende që unë i përshkova kur do të shkoja në lartësitë e maleve për të gjetur fshatin arvanitas Qiriaqi (Kiriaki) me një pikë turistike mjaft të bukur të quajtur “Arvanica”. “Ishin shqiptarë të fuqishëm, – shkruan Belle për palikarët e Andrucos, – fytyra me forma të ashpra, me sy gri e flokë të verdhë ose gështenjë që u vareshin mbi supe, si dhe me një hundë shkabë tepër të theksuar, që binte edhe më në sy si shkak i gropave të syve. Ishin të veshur me një gunë leshi me qime dhe brezin e kishin të ngjeshur plot me pistoleta, kobure të gjata, thika e jataganë të zbukuruar në argjend me një dorezë të punuar si krahë fluture. Një nga ata, me fytyrë të ashpër, i ulur me këmbët mbledhur nën vete, luante një “guzla” shqiptare me një lloj mandoline me bisht të gjatë…” Belle tregon se pikërisht ky hero kishte gozhduar disa herë osmallinjtë në Thermopile, por më vonë ishte zemëruar me qeveritarët grekë, kishte luftuar kundër tyre, dhe një ditë më së fundi, ishte rrethuar nga ushtria greke në Akropol, por aty kishte pranuar të dorëzohej një bashkëluftëtari të tij grek, por më së fundi, ata e kishin flakur nga bedenat drejt humnerës. Por siç thotë Belle, ndryshe nga si e trajtuan qeveritarët e rinj, populli i këndonte këngë heroike… Më pas, me miqtë e shoqëruesit e tij, Belle kishte vazhduar drejt Galaxidhi-t ku gratë, siç shkruante ai, janë shumë më tepër në numër sesa burrat. “Në dy-tri rrugë që kryqëzohen, turma nxiton me zhurmë. Fruta të mëdha, pjepra gjithë lëng, limona të ëmbël, kumbulla vishnje dhe rrushi i mrekullueshëm zbukuronte tendat e tyre. Aty dëgjoje të gjitha gjuhët e Europës: qytetarët flisnin italisht, fshatarët flisnin greqisht, hebrenjtë spanjisht, flitej gjithashtu gjuha malteze e përzier me arabishte dhe disa fjalë italiane. Shqiptarët shkëmbejnë mendimet në gjuhën e tyre të ashpër e të rëndë, shkurtazi e me pak fjalë, ndërkohë që suljotët vijnë t’u shtrëngojnë duart vëllezërve të tyre; marinarë turq kanë mbërritur në port me një anije turke që në mëngjes. Këtu janë të gjitha kombet, besimet, të cilat pikëtakohen në këtë mjedis kaq të ngushtë. Katolikët janë të shumtë në ishujt jonianë. Në Korfuz janë 8000 katolikë nën udhëheqjen e një peshkopi të emëruar nga Roma. Përballë, tutje, shfaqet vargmali i errët e në ngjyrë gri i Akrokerauneve, me ato tarraca gjigante që ngjiten gjer në thepisjet shkëmbore, ku hulli mermeri dhe copa bore përzier, shfaqnin ngjyrat e tyre të bardha. Tutje më tej, mbi një shkëmb që ngrihej, dukeshin mure të kuqërremtë. Janë qytetet ku valëvitet flamuri turk. Është Parga e famshme me fatkeqësitë e saj gjatë luftës për Pavarësi; pastaj Filati dhe akoma më larg pothuaj nëpër re, fortesa e famshme e Sulit…”

Kur Belle kishte udhëtuar në Arkadi, ai kishte përshkruar dhe pikëtakimin e tij me arvanitët e fshatit të quajtur Polica. “Një ngjitje e fundit më e fortë se të tjerat, na çon në fshatin e vogël Polica, e rrethuar me kopshte gjithë ujë. Aty këtu gurë të mëdhenj tregonin për vendndodhjen e një prej portave të vjetra të Figale-së. Burra e gra të mbledhur rreth nesh na hedhin vështrime mosbesuese, duke qëndruar pa lëvizur për të ndihmuar shërbyesit tanë, ndryshe siç bëjnë zakonisht grekët kur të ofrojnë mikpritjen. Meqë i tregova Aleksandërit që na shoqëronte në drejtim të tyre, ai më tha: “Këta nuk janë grekë zotëri, këta janë shqiptarë, një racë e keqe!” Në fakt, ata ndryshojnë nga fshatarët e Arkadisë që kemi takuar si për nga kostumi, tiparet e tyre, shtati, ngjyra dhe mënyra e sjelljes. Megjithatë, burrat dhe gratë kishin gjymtyra të fuqishme dhe në harmoni. Burrat mbanin një fustanellë jo si një lloj fundi të mbledhur poshtë dhe shtrënguar rreth trupit, por si një fund tuniku të hapur dhe të kapur në ije me një brez leshi apo lëkure. Rreth fezit u rrotullohej një turban i hollë. Është pikërisht kostumi i fshatarëve në rrethinat e Janinës dhe maleve Mikeli. Ata flasin pak, kanë një pamje të trishtë e të errët, madje dhe ato pak fjalë i thonë me zë te ulët dhe një gjuhë të ashpër që nuk ishte gjuha e malësorëve grekë. Sjellja e tyre ishte trimërore e kryelartë. Askush nuk kërkoi ndonjë lëmoshë dhe gjatë gjithë qëndrimit tonë herë ishin të respektueshëm e herë arrogantë. Nuk ka në Greqi kaq shumë fshatra shqiptarë sa në Greqinë kontinentale, por të gjithë janë të përqendruar në masivet malore midis luginës së Neda-s dhe asaj të Alfesë. Kjo dyndje e vazhdueshme dhe progresive drejt Greqisë e racës së veriut është një fenomen historik nga më interesantëtNdërkohë që ne bënim studimet tona etnografike në terren, qielli u mbulua dhe një stuhi kërcënuese vinte rreth kokave tona në malin e Ira-s që ndahej nga ne veç prej një lugine. Ishte diçka shqetësuese për ne që do të kalonim natën atje, në atë strehë që krijonte ajo çati bërë me degë. Shqiptarët pyesnin me mendje se çdo te ndodhte, por ata veç na thane: “Si mund ta dimë ne, kur gjithçka është në duart e Zotit!…”

Dhe vërtet, si mund ta dinin ata që kontributi i tyre do të zvenitej ndër vite nga zyrtarët e mëvonshëm në librat e shkollës dhe historisë së Greqisë së re? Padyshim që ata e bënë Greqinë atdheun e tyre, e megjithatë, historinë nuk e harruan, siç ishin dhe ato arvanitase të Vilias që nga Morea ishin vendosur aty gati tre shekuj më parë dhe që mua më kënduan në shqipen e vjetër këngën e Moresë dhe këngë dashurie. Henri Belle ishte idealist dhe shikonte të ardhmen e dy popujve si diçka të përbashkët, për çka do të shkruante dhe Guillaume Lejean e të tjerë. Kështu themi dhe në sot: kontributi i shqiptarëve në revolucionin grek duhet të jetë një piketë e fuqishme për të parë të ardhmen tonë të përbashkët, për ta vështruar këtë të ardhme pa hijet e mosbesimit, pa thirrjet e “shtetit-komb” pa ethe nacionaliste, pa “megalo-idea”, por me përjetimin e një kohe të re të pajtimit, bashkëpunimit dhe të progresit të përbashkët në Ballkanin e hapur, brenda familjes europiane

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button