Kosova

Mes Kosovës dhe BE-së qëndron Serbia

Prej muajsh vazhdon vala e refugjatëve nga Kosova për në vendet e BE. Për Serbinë , si vend tranzit eksodi masiv i kosovarëve pritet sa me teori konspirative, aq edhe me dëshirë për të fituar pikë në elektorat.

Refugjate nga Kosova

Një grup djemsh të rinj rrinë mbledhur pranë njëri-tjetrit në një stacion autobusi të Beogradit duke vështruar me kuriozitet ambientin e panjohur të kryeqytetit serb. Me njëri-tjetrin ata flasin shqip, por me gazetarët nuk duan të prononcohen. Prishtina është larg, disa orë rrugë me autobus. Qëllimi i tyre është Subotica, një qytet serb në veri, pak kilometra nga kufiri hungarez, vend i zonës Shengen, që për shumë kosovarë tingëllon si toka e premtuar.

BE bashkëpërgjegjëse?

Në Serbi këta djem të rinj mund të lëvizin legalisht dhe pa kufizime, por në kufirin me Hungarinë ata konsiderohen refugjatë ilegalë. Komisari serb për refugjatët, Vladimir Cucić thekson se „ata duhet madje të lëvizin lirisht në Serbi“. Qëndrimi i tij dhe qeverisë serbe: Kosova e pavarësuar nga Serbia nuk është shtet sovran. „Prandaj Serbia vetëm mund të paralajmërojë kolegët hungarezë për valët që janë nisur në drejtim të veriut. Lirinë e lëvizjes ne nuk mundemi dhe as nuk duam ta kufizojmë“, thekson Cucić.

Sipas disa statistikave deri në 100.000 vetë e kanë braktisur Kosovën në muajt e fundit. Ky eksod ka lidhje edhe me marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës që parashikon lirinë e lëvizjes për qytetarët kosovarë dhe ata serbë në të dyja vendet. Kjo marrëveshje u bë me presionin e Brukselit, për këtë arsye ministri i Jashtëm serb, Ivica Dačić u shpreh se BE është bashkëshkaktare e problematikës së refugjatëve. Ministri i Brendshëm serb, Stefanović madje shkoi edhe një hap më larg, kur konstatoi me kënaqësi se fakti që kosovarët udhëtojnë përmes Serbisë apo madje aplikojnë edhe për një pasaportë serbe, tregojnë se ata ende e pranojnë Serbinë si shtetin e tyre.

Teofil Pančić, opinionisti serb i gazetës javore “Vreme”, i sheh deklarata të tilla si një triumfalizëm bosh. Nuk është serioze që të vazhdosh ta perceptosh Kosovën ende si pjesë të Serbisë, thotë si. Dhe disa pasaporta janë më të vlefshme se të tjera, ashtu si serbët duan të kenë një pasaportë të BE-së përmes pasaportave kroate, bullgare apo hungareze, ashtu edhe kosovarët kërkojnë pasaportë serbe.

Pak teori konspiracioniste

Si arsye për eksodin nga Kosova përmendet shpesh gjendja e vështirë ekonomike, por disa opinionistëve e analistëve nuk i mjaftojnë fakte të tilla. Komisari serb për refugjatët, Cucić thotë se ai nuk do të jetë një “teoricien ballkanas i konspiracionit“, por ai mendon se ka një strukturë pas këtij eksodi. „Si është e mundur që nga hiçi nisen mijëra e mijëra vetë drejt Hungarisë, dhe para pak ditësh gati askush më?“, pyet ai. Teza e Cucić: Njerëzit në Kosovë u manipuluan dhe është stimuluar artificialisht një eksod masiv. Kështu Prishtina krijon fakte dhe mund të kërkojë tanimë nga BE lirinë e lëvizjes ose avantazhe të tjera. Duket se ai nuk është i vetëm me këtë teori.

Madje dhe më keq. Portalet nacionaliste serbe si srbijadanas.com apo web-tribune.com pretendojnë ta njohin arsyen e vërtetë të eksodit. Shqiptarët – portalet përdorin qëllimisht fjalën fyese “shiftari” – ikin me fëmijët e tyre, sepse kërcënon një luftë e re, lexohet aty. Ndërsa një gazetë bulevardeske “Informer” bën fjalë për invazionin shqiptar.

Për Teofil Pančić këto teori janë të pakuptimta. Për të është varfëria e madhe arsyeja që i bë njerëzit të braktisin vendin e tyre. „Prej vitesh Kosova gjendet në një gjendje askërkund. Nuk është e lehtë të jesh qytetar i një shteti që nuk njihet plotësisht, që është edhe i pavarur, edhe gjysmë i njohur. Këtu shtohet edhe gjendja shumë e vështirë ekonomike dhe në pasaportë që nuk mundëson asnjë udhëtim.“ Kjo situatë është një bombë sociale me sahat.

Rruga e kthimit

Nëse kjo bombë mund të çaktivizohet me një kërkesë për azil në Europë, nuk dihet. Mesazhi i politikanëve gjermanë dhe austriakë është i qartë: Kosovarët nuk kanë shans për azil. Ata do të kthehen shpejt në vendin e tyre. Por sipas komisarit serb për refugjatët, Cucić ky problem nuk merr fund këtu. „BE do t’u japë me vete këtyre njerëzve edhe një ndalim udhëtimi për në vendet e BE. Ata- ashtu si edhe romët do të ndryshojnë emrat – gjë që bëhet shpejt për pak para, dhe do ta provojnë sërish fatin e tyre.“ Ndoshta shihemi sërish në ndonjë stacion autobusi në Beograd.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button